E Diel, 1 Nëntor 2026

Energjia "djeg" fabrikën e sfungjerit

Një shkëndijë elektrike është bërë shkak që të digjet pothuajse tërësisht një fabrikë sfungjeri në periferi të qytetit të Elbasanit. Menjëherë pas rënies së zjarrit nga ndërtesa kanë dalë me urgjencë të gjithë punonjësit, duke mos sjellë asnjë problem për shëndetin e tyre.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:10 minuta të paradites së djeshme, rreth 5 kilometra larg qytetit të Elbasanit, afër zonës industriale të Metalurgjikut. Një ndër fabrikat e sfungjerit që zhvillojnë aktivitetin e tyre në këtë zonë, ka shpërthyer në flakë dhe është djegur gati e tëra. Me urgjencë janë nisur tri makina të Repartit të Zjarrfikëses, por ndërhyrja e tyre ka qenë pa rezultat, për shkak të djegies së sfungjerit nga brenda edhe pse në sipërfaqe flakët dukeshin të shuara. Sipas informacioneve paraprake, llogariten në rreth 200 milionë lekë dëme materiale sfungjeri dhe pajisje të tjera prej druri. Ndërkohë, në vendngjarje kanë shkuar edhe organet policore dhe sipas specialistëve, si shkak kryesor mbetet një shkëndijë elektrike e shkaktuar në linjat e brendshme të rrjetit të furnizimit. Ndërkohë policia është duke hetuar në dy pista që çuan në shpërthimin e zjarrit: për arsye të kolpove të tensionit ose për arsye të amortizimit të instalimeve elektrike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›