E Diel, 1 Nëntor 2026

Dule: Të gjithë në shesh në protestën kundër Qeverisë



Pjesë e protestës së socialistëve më 30 prill në Tiranë do të jetë dhe Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut. Kryetari i saj Vangjel Dule u bëri thirrje dje mbështetësve të dalin në shesh kundër Qeverisë. "Dua të ftoj ditën e premte jo vetëm anëtarët, simpatizantët e dashamirësit e PBDNJ apo të forcave të tjera që mbështesin kauzën e votës së lirë. Që të gjithë të japin praninë e tyre qytetare për të përcjellë mesazhin, i cili do ti bëjë të gjithë të reflektojnë dhe në këtë mënyrë të vijë zgjidhja të cilën kërkon vendi", tha kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule. Një prej aleatëve të PS, kryetari i PBDNJ-së, gjatë një konference për shtyp, tha se hapja e kutive dhe hetimi i plotë i zgjedhjeve të 28 qershorit është kushti i vetëm për zgjidhjen e krizës politike. "Kërkohet zgjidhje e cila do të nxjerrë vendin nga ngërçi politik, do të nxjerrë vendin nga rrënimi i vazhdueshëm ekonomik", u shpreh Dule. Duke i bërë një analizë situatës ekonomike në vend dhe nivelit të demokracisë, Dule akuzoi Qeverinë se është përgjegjëse e rritjes së papunësisë dhe krizës ekonomike. Sipas tij, kësaj situate do ti japë zgjidhje protesta e opozitës e datës 30 prill. "Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dëshiron edhe ajo nga ana e vet të ftojë ditën e premte gjithë qytetarët. është manifestimi më fisnik, motivi i tij përbën thelbin e shoqërive të civilizuara. është motivi i votës së lirë, i transparencës, i demokracisë", theksoi Dule.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›