Dy fakultetet e reja që do të hapen në Universitetin Bujqësor të Lushnjës
Universitetit Bujqësor të qytetit të Lushnjës do t’i shtohen dy fakultete të reja si filiale të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Qeveria, vendosi dje, hapjen e Fakultetit të Ekonomisë e të Agrobiznesit dhe të Fakultetit të Bujqësisë e të Mjedisit në universitetin e Lushnjës. Gjithashtu, qeveria miratoi hapjen e programeve të studimit, të ciklit të parë, “Drejtimi i fermave dhe i agrobiznesit” dhe “Financë-kontabilitet”, në filialin e Fakultetit të Ekonomisë dhe të Agrobiznesit, të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Në përfundim të këtyre programeve të studimit përfitohen, përkatësisht, diplomë e nivelit të parë, për “Drejtim të fermave dhe agrobiznesit”, dhe diplomë e nivelit të parë, në “Financë-kontabilitet”. Kurse për filialin e Fakultetit të Bujqësisë e të Mjedisit, UBT-së u miratua hapja e programit të studimit, të ciklit të parë, “Hortikulturë”. Në përfundim të këtij programi studimi do të jepet diplomë e nivelit të parë, në “Hortikulturë”. Këto programe studimi realizohen me 180 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është tri vite akademike. Numri i kuotave të pranimeve, në secilin nga këto programe studimi, me kohë të plotë, për vitin akademik 2008-2009, është 25. Ndërsa tarifa vjetore e shkollimit për studentët, që regjistrohen në vitin e parë, në këto programe studimi, me kohë të plotë, në vitin akademik 2008-2009, është 15 mijë lekë.
25 Shtator 2008