E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimet monopol, Autoriteti i Konkurrencës gjobit 8 kompani sigurimesh



Gjykata e Rrethit Gjyqësor në Tiranë ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Konkurrencës, për gjobitje në masën 2 për qind të xhiros së vitit 2005, ndaj 8 shoqërive të sigurimit, për ndalimin e aktmarrëveshjes mes tyre “Mbi themelimin e Pool-it të Sigurimit Kufitar të Përgjegjësive ndaj palëve të treta të mbajtësit të mjetit motorik”. Kjo gjykatë ka rrëzuar në këtë mënyrë padinë e bërë nga këto shoqëri sigurimesh kundër gjobitjes, bënë të ditur të dje burimet nga Autoriteti i Konkurrencës. Ky i fundit ka kërkuar ndalimin e aktmarrëveshjes së mësipërme të lidhur nga 8 shoqëritë e sigurimit, si dhe masën e gjobitjes për këto shoqëri, duke e vlerësuar marrëveshjen me pasoja kufizuese për konkurrencën, pasi fiksonte çmimin dhe ndante tregun. Në bazë të ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës” është Policia Tatimore organi i ngarkuar për vjeljen e këtyre gjobave, ose që mund ta pezullojë këtë veprim, nëse vetë gjykata shprehet për pezullimin e ekzekutimit. Autoriteti i Konkurrencës kërkon që të gjithë aktorët dhe faktorët e tregut, publikë dhe privatë, në zbatim të ligjit, të bashkëpunojnë për mbrojtjen e konkurrencës së lirë dhe efektive, për një treg funksional, që synon, rritjen e mirëqenies së konsumatorit dhe zhvillimin ekonomik të vendit, bënë të ditur burime nga ky autoritet. Ndërkohë Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi dhe vendimin e Autoritetit për hetim në tregun e sigurimeve të detyrueshme vjetore për mjetet motorike (T.P.L), ndaj kompanive të sigurimeve. Apeli e arsyetoi këtë vendim me faktin, se procedurat hetimore nga Komisioni i Konkurrencës, nuk janë akte me karakter administrativ dhe për rrjedhojë, palët nuk mund të legjitimohen për kundërshtimin e tyre në gjykatë. Autoriteti i Konkurrencës, në mbështetje të ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, në përfundim të hetimit paraprak në tregun e sigurimeve të detyrueshme për periudhën 2005-2006, kërkoi hapjen e një hetimi të thelluar, pasi u vunë re shkelje të konkurrencës në këtë treg.

25 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›