Planifikimi familjar, 67 % e meshkujve përdorin metodën tradicionale
Emanuela Sako
Studimet e autoriteteve shëndetësore tregojnë se planifikimi familjar me metodat tradicionale në vendin tonë zë vendin e parë. Metoda tradicionale e tërheqjes mashkullore zë vendin e parë të mbrojtjes me 67% të përdorimit dhe metodat moderne mund të përmblidhen vetëm me 8%. Këto janë rezultatet përfundimtare të një studimi kombëtar të shëndetit riprodhues në Shqipëri, që është realizuar nga Ministria e Shëndetësisë, ISHP-ja. Me mbështetjen financiare të USAID, UNFPA, UNICEF, është bërë një analizë e plotë për metodat kryesore dhe problemet që shfaqen për planifikimin familjar. Sipas rezultateve të studimit planifikimi familjar me metoda moderne ngelet më pak i përdorshëm, pasi çiftet shqiptare preferojnë metodat tradicionale. Por, specialistët këshillojnë përdorim më të gjerë të metodave moderne, pasi në këtë mënyrë ulet numri i aborteve, vdekshmëria, amëtare dhe foshnjore. Kështu, studimi tregoi se në Shqipëri, ka një shkallë të lartë të përdorimit të metodave kontraceptive, por një shkallë të ulët të përdorimit të metodave moderne.
Planifikimi familjar
Planifikimi familjar me metoda moderne ul numrin e aborteve. Specialistët theksojnë se kur ka një përdorim të ulët të metodave moderne kontraceptivëve nënat janë më të prirura për të abortuar për shkak të mungesës së kontrollit të shtatzënive të padëshiruara. Sipas statistikave nga studimet e bëra në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore rezulton se mesatarisht 85% e shtatzënive të padëshiruara rezultojnë se shkojnë drejt abortit. Edhe në vendin tonë aborti vazhdon të jetë një nga metodat e kontrollit të lindjeve. Nga të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë raportohet se ka 1 abort në 4.1 lindje për vitin 2006. Megjithëse mund të themi se aborti ka ardhur në ulje në krahasim me periudhën e pas viteve ’90. Por, specialistët mendojnë se shifrat që tregojnë rastet e aborteve janë edhe më të larta, pasi si spitalet shtetërore dhe ato private nuk i publikojnë të gjitha rastet e aborteve. Specialistët e Shëndetësisë theksojnë se planifikimi familjar me metoda moderne ul vdekshmërinë amtare. Kjo vjen për shkak se nëse nuk përdoren masat mbrojtëse lindjet mund të jenë afër njëra-tjetrës dhe kjo përbën një rrezik konkret për nënën. Në vendin tonë vdekshmëria amtare, megjithëse është reduktuar mjaft mbas vitit 1990, ende ka shifra të larta 22.3 vdekje për 100,000 lindje në vitin 2005 dhe 14.6 vdekje për 100,000 për vitin 2007. Planifikimi familjar me metoda moderne ul vdekshmërinë foshnjore. Studimet e kryera në mënyrë të vazhdueshme tregojnë se vdekshmëria foshnjore në vendin tonë shënon shifra mjaft të larta në krahasim me normat e lejuara nga BE-ja. Në vendin tonë vdekshmëria foshnjore për një interval lindjeje më të vogël se 24 muajsh është pothuajse 5 herë më e lartë se ajo me interval lindjeje më të madh se 24 muajsh (përkatësisht 63.8% dhe 14.5%).
Metoda
Rritja e përdorimit të metodave moderne kontraceptive do të ulte ndjeshëm numrin e foshnjave të vdekura, si dhe nënave që do të mund të humbisni jetën për shkak të mënyrës së metodave tradicionale. Numri i lindjeve në vendin tonë ka ardhur duke u pakësuar vitet e fundit. Kjo për shkak të një mënyre më të mirë të mbrojtjes me të gjitha metodat, por edhe për shkak se para viteve ’90 ekzistonte ideja e shtimit të popullsisë dhe shtimit të sa më shumë lindjeve. Kështu, studimi tregon se në Shqipëri numri i lindjeve vazhdon të pësoje një ulje të ndjeshme mesatarisht me 5000-7000 lindje më pak në vit, megjithatë Shqipëria vazhdon të ketë nivel të lartë lindshmërie në raport të dhënat e lindshmërisë në Europë.
25 Shtator 2008