Kontrolli ndaj financave publike, nis punën njësia e specializuar
Ministria e Financave dhe Qendra për Mbështetjen e Përmirësimit të Menaxhimit dhe Qeverisjes (SIGMA), prezantuan dje në një seminar, “Njësinë Qendrore të Menaxhimit Financiar dhe Kontrollit”, si dhe Sistemin e Zbatimit të Decentralizuar në Shqipëri. Ministri i Financave, Ridvan Bode, theksoi rëndësinë e krijimit të këtyre dy njësive për menaxhimin dhe kontrollin e financave publike, duke kërkuar përgjegjësi të lartë nga përdoruesit e fondeve publike në qeverisjen qendrore dhe vendore. "Objektivi kryesor i reformave që po ndërmerren në këtë fushë, është përdorimi me transparencë, eficiencë, efektivitet dhe ekonomi i parave të taksapaguesve shqiptare nga ana e institucioneve publike të ngarkuara me kryerjen e shërbimeve publike",- nënvizoi ministri i Financave, Bode. Me asistencën e Bashkimit Europian, gjatë periudhës 2005-2008 janë ndërmarrë një sërë nismash për forcimin e Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik. Produktet me të rëndësishme të realizuara gjatë kësaj periudhe, që i shërbejnë përmirësimit të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik, janë: Ligji "Për Auditimin e Brendshëm", manuali për auditimin e brendshëm dhe Ligji "Për manaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë". Që nga viti i kaluar, Shqipëria po përgatitet për kalimin në Sistemin e Zbatimit të Decentralizuar (DIS), me asistencën e BE-së. Zbatimi i këtij sistemi është kompleks dhe kërkon, njohjen dhe marrjen e përgjegjësive nga ana e institucioneve të vendit përfitues. Në vazhdimësi, këto institucione do të mbështesin Ministrinë e Financave me asistencë teknike në kuadër të programit "IPA 2007", ku do të zbatohet një projekt i asistencës teknike, i cili do të kontribuojë në krijimin e kuadrit ligjor dhe të kapaciteteve administrative të nevojshme.
25 Shtator 2008