E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspertët e ekonomisë: Qeveria keqpërdor raportet e ndërkombëtarëve



Publikimi i disa raporteve të rëndësishme nga ndërkombëtarët në lidhje me Shqipërinë dhe zhvillimin e saj ekonomik këto dy javët e fundit, si dhe keqpërdorimi i rezultateve të tyre nga qeveria, ka shkaktuar reagimin e ekspertëve të ekonomisë. Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike është institucioni që ka konstatuar përpjekjet e qeverisë për pronësimin dhe ndryshimin e rezultateve të raporteve të ndërkombëtareve për qëllime elektorale. “ACER” çmoi edhe se “as nxitimet e disa eksponentëve të opozitës për theksimin e aspekteve negative të vlerësimeve nuk ndihmojnë në identifikimin e problemeve dhe aq më pak në ofrimin e zgjidhjeve përkatëse të tyre”. Në një tryezë të rrumbullakët të organizuar dje, “ACER” vlerësoi se besueshmëria e të dhënave të ofruara përmes indekseve cenohet dukshëm nga konflikti i hapur dhe i fshehtë i interesit i një numri operatorësh lokalë si përsa i takon rolit të tyre të njëkohshëm në përpunimin e politikave publike dhe në vlerësimin e zbatimit të tyre nga ana e qeverisë, ashtu edhe nga roli i dyfishtë i një numri prej tyre (të qenit njëkohësisht në qeveri dhe jashtë saj). Një ditë më parë, “Transparency International Albania” publikoi indeksin e saj të përceptimit të korrupsionit në botë, ku Shqipëria renditej e 85-ta mes 180 vendesh. Këto ditët e fundit u publikuan edhe raportet e “Lirisë Ekonomike në Botë” dhe ai i BB-së “To do bussines”. Jo më larg se dy ditë më parë FMN-ja deklaroi se rritja ekonomike në vend nuk është 11 për qind siç pretendohej nga qeveria shqiptare, por vetëm 6 për qind. Deklarata u bë nga shefi i misionit të FMN-së në Tiranë, Gervin Bell. Ky është një qëndrim, që e përgjysmon “vrullin” elektoral të kreut të Ekzekutivit shqiptar, i cili, duke prekur çështjen e ritmikës së rritjes ekonomike, foli për një nivel 11 përqindësh para deputetëve të partisë së tij, dy ditë më parë. Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike konstaton se në qarqet mediatike dhe vendim-marrëse të vendit është krijuar një klimë pozitive sa u takon njohjes së indekseve të ndryshme të zhvillimit ekonomik dhe social të vendit. Ajo çmon se përmes këtyre indekseve bëhet e mundur krijimi i një perceptimi sa më realist mbi dinamikën e zhvillimit dhe faktorët determinues të tij, por edhe inkurajohet debate publik rreth politikave sektoriale të qeverisë në sektorët e analizuar.

25 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›