E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlera e rentës minerare përcaktohet në bazë të deklarimit në dogana



Vlera e rentës për pasuritë minerare, do të përcaktohet mbi bazën e produktit përfundimtar të deklaruar në doganë. Këshilli i Ministrave miratoi dje disa ndryshime në projektligjin “Për përcaktimin e vlerës në përqindje, të rentës së pasurisë minerare, sipas vlerës së tregut, për çdo mineral apo grup mineralesh”. Sipas relacionit që shoqëron këtë projektligj, në rastet kur mineralet përdoren për prodhim nënproduktesh (koncentrat minerali apo prodhime metalurgjike), të cilat eksportohen, renta minerare do të aplikohet në doganë, mbi vlerën e mineralit të përdorur për prodhimin e nënproduktit. Kjo vlerë do të llogaritet në bazë të faturave të shitjes së sasisë së mineralit, të përdorur për prodhimin e nënproduktit. Në rastin kur eksportuesi i nënproduktit (koncentrat minerali apo prodhime metalurgjike) është njëkohësisht edhe prodhues i mineralit, përqindja e rentës minerare do të llogaritet mbi koston e prodhimit (nxjerrjes) të mineralit të përdorur. Kjo vlerë përcaktohet në bazë të sasisë së produktit përfundimtar (koncentrat apo prodhime metalurgjike), të deklaruar në doganë, si dhe të normativave korresponduese të mineralit të përdorur.

Qeveria: Punonjësit e pushuar nga puna, ankimim në gjykatë

Qeveria miratoi në mbledhjen e djeshme një shtesë në “Kodin e Punës së Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar. Shtesa parashikon ankimimin në gjykatë të punonjësve që janë pushuar nga puna në mënyrë të pajustifikuar. Në bazë të këtij vendimi, çdo punonjës që mendon se është pushuar nga puna në administratë në mënyrë të pajustifikuar mund të ankohet në gjykatë. Siç bën të ditur zyra për shtyp e Kryeministrisë, sipas relacionit që shoqëron këtë vendim, çdo masë ose sanksion administrativ i pajustifikuar, që është marrë ndaj punonjësve, të cilët kanë arsye të dyshojnë për korrupsion dhe që këtë dyshim ua paraqesin personave përgjegjës ose autoriteteve kompetente, është i pavlefshëm. “Raportimi i fakteve që kanë lidhje me korrupsionin, nuk përbën shkelje të detyrimit të sekretit profesional”,- bëri të ditur zyra e shtypit e Kryeministrisë.
.

25 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›