E Diel, 1 Nëntor 2026

Golem, alkooli metilik shkaktoi vdekjen e çiftit

Pas analizave që i janë bërë verës nga e cila një çift gjeti vdekjen dy ditë më parë në Durrës, ekspertët bëjnë me dije se në pije ka pasur një përqindje të lartë të alkoolit metilik. Sipas tyre, kjo përbërje ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme të Tomi Rrumbullakut dhe Diana Xibrakut në një lokal të Durrësit. Hetimi, tashmë është përqendruar në faktin nëse vera i kishte në përbërjen e saj këto kimikate, si pasojë e prodhimit, apo dikush ia ka injektuar shishes, me qëllim vrasjen e tyre. Gjithsesi, zbulimi i alkoolit metilik ka rikthyer frikën e përdorimit të kësaj substance për prodhimin e pijeve alkoolike. Tregu shqiptar i pijeve ka një histori tragjike me këtë kimikat. Në vitet ‘92-‘93, një substancë e tillë u përdor në mënyrë masive për prodhimin e konjakut, fërnetit dhe pijeve të tjera, si pasojë e konsumimit të të cilave humbën jetën mbi 20 persona vetëm në kryeqytet. Megjithatë, nuk dihet ende nëse kemi të bëjmë me një rigjallërim të prodhimit klandestin të pijeve me kimikate vrasëse, apo me një plan për vrasjen e çiftit, i cili ishte protagonisti i një historie dashurie jashtëmartesore.

Burime nga mjekësia ligjore thanë se në verën e llojit "Kabërnet" francez, u gjet një sasi e madhe e alkoolit metilik, substancë industriale vdekjeprurëse për njerëz, nëse hidhet në masë të madhe. Ditën e djeshme, ekspertë të Institutit të Shëndetit Publik dhe të Mjekësisë-Ligjore, të cilët kanë analizuar ushqimet, si dhe verën e konsumuar, kanë dalë në përfundimin se në këtë të fundit është gjendur përqindje e lartë e alkoolit metilik. Ndërkohë, hetimet e policisë për vdekjen e tyre tashmë janë ndaluar në faktin se kimikati në sasi të madhe ishte përbërës i verës së konsumuar më parë, apo nëse dikush e ka hedhur në shishe për vrasjen e burrit dhe gruas. Hetimet janë duke u zhvilluar nga një grup i policisë së Durrësit, me ndihmën dhe të ekspertëve të mbërritur atje nga Tirana. Dy personat e lartpërmendur vdiqën teksa ishin duke ngrënë në një restorant. Për këtë arsye, grupi hetimor shoqëroi edhe pronarin e hotelit ku po drekonin viktimat, ndërkohë që më pas ai është lënë sërish i lirë. Policia tha se nuk ka ndonjë provë se ai është i implikuar në këtë ngjarje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›