E Diel, 1 Nëntor 2026

"E marta e madhe", dita e gjykimit

Zgjedhjet presidenciale amerikane arritën kulmin dje, ndërsa amerikanët në 24 shtete hodhën votën e tyre. Republikani Xhon MekKein, i hyri kësaj gare me qëllim që të fuqizonte pozicionin e tij, ndërsa Barak Obama, me shpresën se do të thyente Hillari Klintonin në garën e fortë demokrate. Xhorxhia ishte e para që mbylli votimin, në orën 19.00 me orën lokale apo mesnatë, me orën tonë. Ndërkohë, Kalifornia, që ka edhe një numër të madh kandidatësh për konventat përfundimtare, e ku Hillari Klinton e Barak Obama përballen në një betejë deri në votën e fundit, nuk pritet të shpallë asnjë fitues deri orët e para të ditës së sotme. Secili kandidat planifikon të ndjekë rezultatet në shtabet e tyre qendrore: Klinton në Nju Jork, Obama në Çikago, MekKein në Feniks, Mit Romnej në Boston dhe Majk Hakëbi në Litëll Rok. E ndërsa "e marta e madhe" afrohej, Klinton dhe Obama kaluan ditët e fundit të fushatës në brigjet lindore të vendit. Kampi i Obamës përshëndeti rezultatet e reja të sondazheve, që e vinin atë krejt pranë rivales Klinton në rang kombëtar. Por, kryesimi i dukshëm i ish-zonjës së parë në shumë shtete ku dje u votua, do të thoshte fitore për Obamën, edhe nëse do të përfundonte me 100 delegatë më pak. Hillari Klinton votoi mëngjesin e djeshëm në Nju Jork, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj, ish-presidenti Bill Klinton dhe pasi u shfaq në një numër emisionesh televizive që në orët e para të ditës. Ekipi i saj elektoral shpreson, ndërkohë, te një fitore në pjesën më të madhe të shteteve që votuan dje. Ajo shpreson te familjariteti rajonal për të fituar në Konektikat dhe Nju Xhersi, që kufizohen me shtetin e Nju Jorkut. Gjithsesi, sondazhet e fundit në Konektikat tregonin një avantazh të Obamës kundrejt Klintonit, 48 me 44 për qind. Obama, ndërkohë, është fokusuar te shtetet më të vogla, kryesisht republikane, si Kansasi dhe Ajdaho. Nëse Obama do të fitonte në Kaliforni, apo shtete të tjera, ku dy pretendentët kryesorë janë afër në sondazhe, si Misuri, ai do të futej me një avantazh të madh në primaret e radhës. Në kampin republikan, Xhon MekKein padiskutim po lë pas Mit Romnein dhe po i afrohet gjithnjë e më shumë nominimit. Gjithsesi, ka nga ata konservatorë në Uashington që vazhdojnë të shpresojnë se Romnej mund të mundë MekKeinin, pavarësisht se shanset janë të vogla. Ashtu siç kanë rrjedhur ngjarjet deri më tani, MekKein shumë shpejt do të jetë i vetmi republikan në garën për Shtëpinë e Bardhë. Senatori i Arizonës është në fakt aq i bindur për këtë, saqë po planifikon të marrë disa ditë pushim nga fushata dhe të vizitojë Munihun, me rastin e një konference mbi sigurinë kombëtare këtë muaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›