E Diel, 1 Nëntor 2026

SEKRETI I MADH I RUSISë

"Gazprom", gjiganti rus i gazit natyror, shpeshherë prezantohet si një gorillë 100-kilesh i botës energjetike. Gjatë viteve të fundit,kompania ka pasur sukses shumë të madh në "zaptimin"

e tregjeve fitimprurëse evropiane. Ai është treguar gjithashtu

i "pamëshirshëm" në detyrimin e konsumatorëve nga Republikat Ish-Sovjetike që të paguajnë për gazin që konsumojnë diçka shumë të përafërt me çmimet botërore, duke ulur furnizimin, nëse është e

domosdoshme, për të detyruar konsumatorët hezitues si Ukraina. Por, problemet po ziejnë. Me sa duket, "Gazprom" ka shumë konsumatorë dhe pak gaz. Thembra e Akilit e "Gazpromit" është se prodhon vetëm 550 miliardë metër kub gaz, aq sa për të furnizuar tregun e vet të brendshëm, ai mbështetet në importin e lirë prej Azisë Qendrore, për të plotësuar shumicën e angazhimeve të veta

ndaj klientëve në Evropë, që zë afro 80 miliardë metër kub. Dhe përderisa vetëm klientët e huaj të "Gazprom"-it paguajnë çmimin

e plotë të tregut, janë pikërisht eksportet e kompanisë që zënë pjesën më të madhe të të ardhurave të tij, 21 miliardë dollarë vetëm për tremujorin e dytë të vitit 2007. Tani, ato shtete mbi të cilat mbështeten fitimet e "Gazprom"-it, duke përfshirë Turkmenistanin, Uzbekistanin dhe Kazakistanin, kanë nisur të bëjnë vetë marrëveshje me klientë të mëdhenj si Kina. Marrëveshjet, nga ana e tyre, po kthehen në një rrezik ekzistencial për "Gazprom"-in, një prej levave strategjike më

të vlefshme të pushtetit në Rusi. Kontrolli i çerekut të furnizimit me gaz në Evropë, është një prej pikave kryesore të politikës së jashtme të Rusisë, si dhe krenarisë kombëtare të rikthyer; furnizimi me energji elektrike të lirë dhe ngrohja e

shtëpive në Rusi është një gur prove i kredibilitetit të qeverisë

ruse. Azia Qendrore tashmë është duke dëmtuar të dyja këto

parime dhe mund të rrezikojë petropolitikën e Vladimir Putinit.

"Gazprom" nuk ka hapur një burim të ri gazi që nga viti

1991 dhe burimet ekzistuese po tkurren. Një raport i kohëve

të fundit i Ministrisë ruse të Industrisë dhe Energjetikës paralajmëronte se nëse rënia vazhdon, Rusia mund të mos jetë

në gjendje të plotësojë as nevojat e brendshme për gaz në vitin 2010. Raporti rekomandonte dyfishimin e çmimeve, një lëvizje që

ka irrituar biznesin dhe mund të dëmtojë gjithashtu rritjen ekonomike. Ndërkohë, kreu i "Gazprom"-it, Dimitri Medvedev, gjithashtu zëvendëskryeministër i parë dhe pasardhësi i caktuar i Vladimir Putinit, ka shpallur një plan radikal për të rritur prodhimin e brendshëm të kompanisë, duke investuar 420 miliardë dollarë në kërkim dhe impiante të reja të prodhimit të gazit. Mbështetja në importet e lira për të furnizuar konsumatorët e huaj, nuk është diçka e re për "Gazprom"-in; për vite të tëra kompania ka blerë gaz nga Azia Qendrore me çmime shumë

të ulëta. Deri nga fundi i vitit që lamë pas, "Gazprom"-i paguante vetëm 65 dollarë për 1000 metër kub te turkmenët, më pas

shisnin të njëjtin gaz te konsumatorët në Evropën Perëndimore

me çmime deri 250 dollarë (ndoshta vetëm për shkak të monopolit

që rusët kanë mbi gazsjellësit). Tani, "monopoli i Rusisë

është i sulmuar", thotë Steve Levine, autor i "Nafta dhe lavdia",

një studim i politikave energjetike të Azisë Qendrore. "Të tjerë

fqinj po fillojnë të ndërtojnë gazsjellës dhe prodhuesit lokalë po bëhen më të zgjuar".

Asnjë rrezik nuk është më i fortë sesa lëvizja e Kinës në Turkmenistan. Vitin e kaluar, Presidenti i Kinës, Hu Jintao, firmosi një marrëveshje me liderin turkmen, Sapurmurat

Niyazov, për të blerë 30 miliardë metër kub gaz turkmen

çdo vit për 30 vitet e ardhshme, si dhe të financojë një gazsjellës të ri në provincën Ksiniang në Kinë. Kjo, përveç një marrëveshjeje të firmosur me Iranin në mars, që premton 14 miliardë metër kub gaz turkmen në vit drejt Teheranit.

Në të njëjtën kohë, turkmenët kanë firmosur gjithashtu një

marrëveshje me Rusinë për 50 miliardë metër kub gaz në vit deri

më 2009-ën. "Nuk ka asnjë dyshim se Turkmenistani ka premtuar të

shesë më shumë gaz nga sa mund të nxjerrë", thotë një diplomat i

lartë amerikan në rajon. "Pyetja është se cilin klient do të zgjedhin"? Shumë gjëra varen nga kjo zgjedhje: Në fakt, as më pak e as më shumë, por e ardhmja e Rusisë si superfuqi energjetike. Por "Gazprom" këmbëngul se nuk ka asnjë problem. "Ne e konsiderojmë Kinën si një rrezik, apo një konkurrent në Azinë Qendrore", thotë zëdhënësi i "Gazprom"-it, Igor Volobujev.

"Ne kemi një kontratë afatgjatë 25-vjeçare me qeverinë

turkmene; ata janë të detyruar të përmbushin detyrimet që kanë.

Kontrata jonë me turkmenët është më afatgjatë se çdo kontratë

që ne kemi me klientët tanë evropianë". Më herët këtë vit, Putin

siguroi klientët e "Gazprom"-it "se ka siguri absolute që Rusia do të përmbushë të gjitha kontratat". Tani, evropianët druhen nga

shkurtime të mundshme, edhe pse amerikanët janë plot gaz. Nuk

është sekret se SHBA-ja do të donte të lëkundte disi "sigurinë

e plotë" të Putinit. Kodi diplomatik është "inkurajim i diversitetit të ofertës"; e deshifruar, kjo do të thotë inkurajim i çdo lloj projekti gazsjellësi që anashkalon Rusinë. "Është një nga ato fusha, ku ne dhe Pekini shihemi pak a shumë sy më sy", thotë diplomati amerikan në rajon. "Sa më shumë rrugë eksporti të ketë, aq më të lumtur do të jemi". Në këtë drejtim, SHBA-ja po inkurajon një numër projektesh gazsjellësi që lënë mënjanë Rusinë; deri tani është ndërtuar vetëm një i tillë, që lidh Bakunë në Azerbajxhan me Kaspikun e pasur me energji, e deri në Mesdhe, por SHBA-ja shpreson se të tjerë do të ndërtohen. Nuk ka nevojë të thuhet se Moska po punon shumë për të mos lejuar që të dëmtohet monopoli i saj. Kohët e fundit, ajo firmosi një marrëveshje të re me Kazakistanin për të ndërtuar një gazsjellës në rrugën nga Kaspiku drejt Rusisë. Për vetë aziatikoqendrorët,

shitja e energjisë është më shumë sesa çështje dollarësh dhe qindarkash; ka të bëjë me fitoren e pavarësisë reale nga zotëria i dikurshëm kolonizues. Një ministër kazak, që nuk dëshironte të

citohej tek kritikonte Rusinë, kujton një incident të kohëve të fundit, kur një ministri ruse as nuk mori mundimin të dërgojë një

makinë për të marrë në aeroport zyrtarë kazakë që vizitonin Moskën.

"Kazakistani po trajtohet vazhdimisht si një vëlla më i vogël

nga fqinjët tanë rusë", ankohet ai. Një tjetër dobësi ka qenë

ndalimi i të gjithë avionëve të "Lufthansa"-s në hapësirën ajrore

sovjetike, pasi kompania gjermane u përgatit të ndërrojë nyjën

e vet të mallrave nga Krasnoyarsku në Rusi, për në Astana

në Kazakistan. "Qeveria ruse mendoi se do të na frikësonte

duke nxjerrë muskujt, në të njëjtën mënyrë siç bëri me Gjeorgjinë

dhe Ukrainën", thotë ministri. "Por, ne kemi të tjerë ku mund

të shkojmë". Duket sikur Kina dhe jo SHBA-ja, është më mirë e pozicionuar për të qenë fituesi i madh në kërkimin për miq të rinj në Azinë Qendrore. Ndonëse Uashingtoni ka shkuar shumë larg duke bërë një sy qorr ndaj praktikave jodemokratike

në rajon, despotë lokalë janë ende të irrituar prej kritikave,

qoftë edhe të niveleve të ulëta dhe këmbënguljes së amerikanëve

që aziatikoqendrorët të heqin dorë nga biznesi me Iranin.

Kirgistani, aleati më i afërt i Amerikës në rajon, ka lënguar prej mungesës së stabilitetit dhe performancës jo të mirë ekonomike. Ndërkohë, Kazakistani po lulëzon dhe ka në plan që pothuajse të dyfishojë prodhimin e naftës deri në 150 milionë tonë në vit deri në 2015-ën. Një pjesë e madhe e kësaj do të eksportohet në Kinë, përmes naftësjellësve të rinj të financuar nga Pekini. "Shumë shpejt, kinezët do të ndërrojnë biçikletat me makina, kështu që nevojat e tyre për naftë do të rriten

shumë. Jemi të lumtur që kemi një fqinj të tillë të madh e

të qëndrueshëm, m‘u në kufirin tonë", thotë Kemal Burkanov, një

deputet kazak. Pavarësisht të gjitha pretendimeve të të qenit furnizuesi dominues i Evropës me energji, "Gazprom" ka qëndruar deri tani mbi këmbë prej balte. Tani që ish-vasalët e Rusisë po zbulojnë fuqinë e tyre, Moska do të duhet ndoshta të përshtatë një diplomaci të re të gazit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›