Sindi: Qetësuesit, birra dhe Shtëpia e Bardhë
Mund të jetë zonja e parë e Amerikës, por sigurisht që për të flitet më pak se Bill Klinton apo Mishel Obama. Ndoshta, ngaqë thotë se politika nuk është asgjë për të, edhe nëse një ditë do të jetojë në Shtëpinë e Bardhë, i pëlqen më shumë të vazhdojë punën e saj si vullnetare në mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve. Është bionde me sy bojëqielli, e gjatë, elegante dhe trup të bukur. E nëse "Mattel" do të vendoste të prodhonte kukullën "Barby" në versionin 50-vjeçar, mund ta kopjonte pa më të voglin hezitim. Buzëqesh gjithmonë përkrah të shoqit dhe në podiume nuk flet thuajse kurrë. E ndjek kurdoherë nga pas, si amerikanet me zakone të vjetra, si ato që frymëzonin këngët "country" të brezit të viteve ‘60-të. Kjo është Sindi Mek Kein, e lindur në Henslei, nënë e katër fëmijëve (njëri prej të cilëve i adoptuar) dhe bashkëshortja e Xhon MekKeinit, senatorit favorit për të marrë nominimin e republikanëve për presidencialet e këtij viti në Amerikë. Mes "Political Spuose", zonja MekKkein është ajo për të cilën është folur më pak në këto muaj plot tension. E dimë se Mishelle Obama është avokate dhe e rreptë, që An Romnej kalëron çdo ditë pavarësisht se vuan nga skleroza e shumëfishtë, Elizabet Eduards vuan nga kanceri i gjirit, por lufton me forcë për t‘i qëndruar në krah bashkëshortit, apo për Billin, për të cilin kemi respekt aq shumë sa çdo fjalë që mund të themi është e kotë. Por edhe Sindi ka zgjedhur mënyrën e saj për t‘u përfaqësuar. Mes grave me zakone të vjetra dhe gjërave që mund të shkojnë mirë në jetë, mund të themi se është padyshim mishërimi i përkryer. Pavarësisht atyre që i kanë ndodhur në jetë ka të drejtë kur përsërit shpesh se "mund të jesh e bukur dhe e pasur, mund të martohesh me ndonjë ‘princ‘ që çmendet pas teje, mund të bëhesh e famshme pashmangshmërisht, sepse heroi yt bën karrierë dhe në fund mund të rrezikosh të bëhesh Zonja e Parë e vendit". Por ndryshe nga ajo që duket, personalisht dhe publikisht, Sindi, është një shtëpiake e dëshpëruar, që për vite me radhë iu është nënshtruar kurave qetësuese, ka përfunduar shumë herë në klinika dezintoksikimi dhe ka një martesë të shëndetshme edhe pse Mek ka ecur gjithnjë me moton se asnjë femër nuk duhet lënë të ikë nga dora. "Ajo ka qenë periudha më e errët në jetën time. Megjithatë kur i tregova Mek për këtë, nuk ndodhi asgjë, thjesht e forcoi martesën tonë edhe më shumë", thotë Sindi, e cila pranon se krijoi varësi ndaj qetësuesve pas një operacioni në shpinë në vitin 1989.
E lindur në Arizonë, 53 vjet më parë, Sindi ishte vajza e vetme e një miliarderi që merrej me tregtimin e birrës. Me Xhonin u takua për herë të parë kur ishte 24 vjeç, në një festë në Havai, ku biondja bukuroshe kishte shkuar me pushime: "Isha afër tavolinës ku ishin vendosur antipastat dhe papritur kapiteni simpatik i Marinës me uniformë të bardhë, m‘i nguli sytë gjatë gjithë mbrëmjes. Ishte dashuri me shikim të parë", tregon ajo. Por edhe Xhon e kujton mirë atë moment. "Ishte tmerrësisht e bukur dhe inteligjente. Edhe pse ishte e qetë dhe e sigurt në vetvete. Arrita të tërhiqja vëmendjen e saj gjatë gjithë kohës, duke u kujdesur që askush të mos na ndërpriste bisedën. Kur erdhi koha për t‘u larguar, iu luta nëse do t‘i pëlqente të vinte me mua për një gotë verë në "Royal Hawaiian Hotel". Sapo mbaroi darka e kuptova se kisha rënë në dashuri me të", thotë ai.
Si shumë politikanë të forcës politike që përfaqëson, Xhon, një mbrojtës i flaktë i vlerave familjare, në atë kohë ishte i martuar dhe me fëmijë (gruaja e kishte pritur edhe gjatë viteve të burgut), por 24-vjeçarja bionde, 18 vjet më e vogël se ai, ishte e parezistueshme. "E mësova se sa vjeç ishte vetëm kur kërkuam lejen për t‘u martuar". Çifti vuri kurorë më 17 maj të vitit 1980, në Foniks, në Arizona, por martesa duket se nuk i priu për mbarë. Të dy, energjikja Sindi dhe simpatiku Xhon, një nga veteranët e Vietnamit, u përballën me një mal me probleme. Ajo nuk arrinte të sillte në jetë fëmijë, pas dy aborteve të padëshirueshme, kurse dy operacionet e njëpasnjëshme në shtyllën kurrizore e kishin bërë që të krijonte varësi ndaj qetësuesve të tillë si Percoçoet dhe Vicodin. Ishte në gjendje të mjerueshme. Ajo kishte arritur deri aty sa t‘i merrte nga magazinat e një organizate bamirëse, themeluesja e së cilës ishte vetë ajo. Pastaj, në vitin 1994, grumbulloi televizionet dhe gazetat e Arizonës për të treguar mbi varësinë dhe për dezintoksikimin e saj. Një moment fisnik, i dhimbshëm dhe transparent, që u përsërit sërish disa vite më vonë gjatë zgjedhjeje presidenciale të vitit 2000, në një televizion kombëtar në programin e Diane Saëyer. Sa keq, vazhdojnë të kujtojnë dhe të shkruajnë gazetarët e Arizonës, të cilët kishin ndjekur me kujdes historinë e vitit 1994, që shfaqja e saj si një shtëpiake e dëshpëruar ishte organizuar për të krijuar një shmangie mediatike për të larguar vëmendjen e tyre nga skandali bankar i "Keating Five", ku Mek Kain po përfshihej dhe për t‘i paraprirë mediave se ishte gati t‘i jepte një lajm tjetër jo të këndshëm: "Food and Drug Admistration" po e hetonte Sindin për krim mjekësor. Bashkëshorti, tregonte ajo, prej vitesh nuk kishte kuptuar asgjë siç ndodh shpesh. Po në 2000-in, MekKejnëve iu deshën të ndesheshin edhe me skandalin, për të cilën ishin tërësisht të pafajshëm. Gjatë zgjedhjeve në Karolinën e Jugut filluan të shpërndaheshin me shpejtësi zërat se senatori kishte pasur një fëmijë me ngjyrë nga një lidhje jashtëmartesore. Thashethemi, jo vetëm që mori dhenë, por u prishi edhe shumë punë: vajza me ngjyrë ekzistonte me të vërtetë dhe ishte një jetime e adoptuar në Bangladesh nga Xhoni dhe Sindi. Ndërkaq Sindi vazhdoi të merrej me bamirësi, kaloi të tjera probleme me shëndetin dhe vazhdon të ketë ende një gardërobë të stërmadhe me veshje të firmës "Saint John‘s" (që krijon veshje dhe kostume vetëm për zonjat konservatore) dhe vazhdon të thotë: "Nuk jam një person politik. Vetëm po i qëndroj në krah bashkëshortit tim". Pas 6 shkurtit, sigurisht pasi të ketë kaluar e marta e madhe, do të marr një ditë pushim dhe do të shkoj të bëj një shëtitje në mal. Republikanët votojnë të shtunën në Kansas, Luizianë dhe Uashington, ndërsa ajo vazhdon të thotë se është thjesht Sindi MekKein, nëna e katër fëmijëve, e që nuk e sheh veten kurrë në politikë.
Bashkëshortja
53 vjeç, është gruaja e dytë e senatorit të Arizonës dhe kandidatit për nominimin republikan në zgjedhjet presidenciale amerikane të këtij viti, Xhon MekKein. Ata u martuan në vitin 1980. Sindi është goditur nga një atak në 2004-ën dhe është treguar e sinqertë, duke mos fshehur varësinë në të shkuarën nga qetësuesit. Punon në organizata bamirëse ndërkombëtare dhe është fokusuar mbi të gjitha në mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve
Takimi
Sindi dhe Xhon u takuan në një festë në Honolulu, në vitin 1979. Ja se si e kujton senatori atë moment. "Ishte tmerrësisht e bukur dhe inteligjente. Edhe pse ishte e qetë dhe e sigurt në vetvete. Arrita të tërhiqja vëmendjen e saj gjatë gjithë kohës, duke u kujdesur që askush të mos na ndërpriste bisedën. Kur erdhi koha për t‘u larguar, iu luta nëse do t‘i pëlqente të vinte me mua për një gotë verë në ‘Royal Hawaiian Hotel‘. Sapo darka mbaroi e kuptova se kisha rënë në dashuri me të"
Dasma
Çifti vuri kurorë më 17 maj të vitit 1980 në Foniks, në Arizona, dhe kanë katër fëmijë, prej të cilëve një vajzë të adoptuar në një jetimore në Bangladesh
Veteran
Senatori Xhon MekKein ka kaluar rreth pesë vjet si i burgosur lufte, në një kamp në Vietnam. Një eksperiencë unike vërtet e veçantë për një President amerikan. Pas kandidimit në vitin 2000, kjo është hera e dytë që merr pjesë në garën për President