E Diel, 1 Nëntor 2026

Italia, zgjedhje në muajin prill

Italia do të shkojë në zgjedhje të parakohshme në mesin e prillit, zgjedhje të cilat do të kthenin manjatin e mediave, Silvio Berluskoni, në pushtet, pasi partitë politike dështuan të binin dakord për një qeveri të përkohshme. Presidenti Xhorxho Napolitano thirri në një takim kryetarët e të dyja dhomave të Parlamentit dje, dhe u bëri të ditur atyre se do të shpërndante legjislaturën. Sipas ligjit, ai duhet të thërrasë pas kësaj zgjedhjet brenda 70 ditëve. "Më në fund, në zgjedhje" shkruhej në faqen e parë të së përditshmes italiane "Il Giornale", pronë e vëllait të Berluskonit, Paolo. Italia u zhyt në krizë, pasi Kryeministri Romano Prodi, që mundi me një diferencë fare të vogël Berluskonin në zgjedhjet e 2006-ës, u detyrua të jepte dorëheqjen muajin e shkuar, si pasojë e largimit të një partie të vogël nga koalicioni i tij i qendrës së majtë. Duke hezituar t‘i çonte italianët sërish në zgjedhje, Napolitano i kërkoi kryetarit të Senatit (Dhomës së Lartë të Parlamentit), Franko Marini, të shikonte mundësinë nëse mund të mblidhte mbështetjen e mjaftueshme për një qeveri të përkohshme dhe për reformimin e sistemit elektoral. Por, Berluskoni, duke ndjerë rikthimin e mundshëm në postin e Kryeministrit, post që e ka mbajtur edhe dy herë të tjera më parë, kërkoi zgjedhje të menjëhershme. Pas katër ditësh bisedime me liderët politikë, Marini i tha Napolitanos të hënën se nuk kishte mundur të mblidhte mbështetjen e nevojshme për një administratë të përkohshme. Napolitano thirri Marinin dhe kryetarin e Dhomës së Ulët, Fausto Bertinorin, në një takim, në orën 18.00 të së martës. Në një deklaratë nga pallati presidencial (Kuirinale, siç njihet nga italianët) citohej neni i Kushtetutës që i jep Presidentit fuqinë për të shkrirë Parlamentin, pas këshillimit me dy kryetarët. Qendra e djathtë e Berluskonit ka një kryesim të ndjeshëm në sondazhe. Të hënën, pasi përsëriti "jo"-në e tij për qeverinë e përkohshme, 71-vjeçari tha se kishte një kryesim prej 10-16 pikësh kundrejt qendrës së majtë, që do të udhëhiqet në zgjedhje nga kryebashkiaku 52-vjeçar i Romës, Valter Veltroni. Ky i fundit, ka mbështetur një qeveri të përkohshme, që do të ndryshonte rregullat e votimit, të cilat fajësohen nga të gjithë për brishtësinë e qeverisë së Prodit, e 61-ta në Itali që pas Luftës së Dytë Botërore. Ai tani përballet me një betejë të ashpër kundër njeriut më të pasur të Italisë, por refuzon të pranojë se niset në disavantazh. "Unë nuk u besoj parashikuesve të fatit dhe as sondazheve. Shikoni Barak Obamën, tre muaj më parë askush nuk do të kish guxuar të vinte bast për të, por shikoni ku është ai tani", tha Veltroni, duke e krahasuar veten me demokratin që po lufton që të bëhet Presidenti i parë me ngjyrë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shumë analistë thonë se një qeveri tjetër, e zgjedhur nën rregullat aktuale zgjedhore, do të ishte po aq e paqëndrueshme sa ajo e Prodit, që mundi të qëndronte në pushtet vetëm për 20 muaj dhe u dëmtua nga përplasjet e vazhdueshme mes aleatëve katolikë dhe komunistë. Analistë të tjerë shqetësohen edhe për faktin se një qeveri tjetër Berluskoni, shpenzuese e madhe, do të hidhte poshtë edhe punën e bërë nga qendra e majtë në shkurtimin e deficitit buxhetor. Prodi fitoi zgjedhjet e 2006-ës me distancën më të ngushtë në historinë e Italisë moderne. Ai u detyrua të tërhiqej, kur dalja nga koalicioni e një partie të vogël katolike e privoi atë nga mazhoranca prej një vendi të vetëm në Senat. Destabiliteti i vazhdueshëm i qeverisë së tij erdhi si pasojë e rregullave elektorale të miratuara nga Berluskoni në 2005-ën dhe që konsiderohen nga kritikët si "pilula helmuese" e Prodit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›