Hamit Beqja: Dashuria ime me vajzën ruse, Ljudmilla
Fuqia e një burri është mendja e tij. Por ç‘ndodh kur trupi nuk është i dikurshmi, kur kthen sytë në të kaluarën tënde dhe ke pas më shumë se një gjysmë shekulli për të kujtuar? Ǒemër mund të ketë trishtimi në një moshë kur apartamenti është kthyer jo vetëm në një vend ku mund të konsumosh kafet me miqtë, por në gjithçka tjetër që dikur ta mbushte hapësira që ishte jashtë tij.
Një psikolog gjithnjë di të ruajë raportin e tij me trishtimin, ashtu siç di të kuptojë se jeta është një proces dhe e rëndësishme është që ti di ta kuptosh atë.
Ndodhemi në apartamentin e profesor Hamit Beqës, në këndin e tij të dashur, ku ulen të gjithë miqtë e tij. Lili (bashkëshortja) është gjithnjë aty, e mësuar me miqtë e të shoqit, me kujdesin e saj të pafund ndaj tij. Profesori mund të flasë gjatë për Lilin (Liria), që për të ka mbetur po aq e bukur dhe e zgjuar sa atëherë kur e ka njohur për herë të parë. Mund të tregojë se një grua e mirë ia bën më të lehtë rrugëtimin një burri.
Ky burrë, që gjithnjë ka qenë i veshur me një tis të lehtë kureshtjeje për të gjithë ata që e kanë njohur nga larg nëpërmjet shkrimeve të tij të hapura për moralin, familjen, apo dhe marrëdhëniet mes çiftit, ky personazh që ka ditur të ruajë balancat në çdo sistem, ka mbetur po ai. Ndryshimi i vetëm është se profesorin nuk mund ta takosh më në kafet shumë pranë shtëpisë (pasi mosha dhe sëmundja nuk ia bën të mundur këtë, si dhe duart).
Teksa mban në to një libër, duart e tij të gjata e tregojnë se vitet nuk kanë kursyer as një njeri, mendja e së cilit është ende e bukur. Por le të mos flasim për duart, duke besuar se brenda tyre vijojnë të jenë ndjesitë e dikurshme, dhe se profesori do të vazhdojë t‘i përdorë për të shkruar sërish. Kjo e fundit është një nga pasionet që gjithnjë e ka bërë të ngjajë ndryshe profesorin, duke e pasur të shkruarin një moto në jetën e tij.
Libri që ai mban në duar quhet "Shënime autobiografike", ose "Gjurmë jete", siç i thotë ai, ku për mbrëmje të tëra ai është ulur për të hedhur në letër jo konceptet mbi fenomene, por vetë jetën e tij. Sa e lehtë ka qenë kjo? Sa e lehtë është të tregosh jetën tënde pa dashur të justifikosh momente të cilat do të kishe dashur t‘i zgjidhje ndryshe? Si një njeri, jeta e të cilit u shtri në një nga sistemet më totalitare në Ballkan, duke bërë filozofin në një vend ku kjo e fundit ishte e ndaluar, këto shënime marrin një tjetër dimension, pasi nuk tregojnë thjesht një jetë, por marrëdhënien e një jete me një sistem dhe japin një tjetër formë të tij.
Profesori thotë se nuk ka mbajtur ndonjëherë ditarë dhe pse kjo gjë mund të shihet si mangësi në stilin e tij të punës si studiues. Nuk ka asnjë arkiv personal. Nuk ruan asnjë dorëshkrim. I ka grisur dhe i gris të gjitha shkrimet. Dhe dokumentet e tij janë vetëm librat dhe shkrimet e botuara. Por në këtë zbërthim të jetës së tij ai i është referuar kujtesës. "Por në kujtesë ka dhe bjerrje, humbje. Kujtesa edhe mund të tradhtojë, t‘i shtrembërojë ngjarjet. Në të mund të ketë edhe subjektivizëm. Kështu ndodh sidomos me ata që shkruajnë për të kaluarën, duke u bazuar kryesisht në kujtesë dhe për më tepër që janë subjektivë, tendenciozë, nënvizojnë ‘meritat‘ e veta dhe të bashkëfamiljarëve, të farefisit, të ‘klanit‘ që mund të kenë, e pasur, e kanë, të ‘pinjojve të vetë‘", thotë profesori.
Por ai është dalluar gjithnjë për një kujtesë të fortë dhe është nga ata që beson ende se kujtesa nuk mund të tradhtojë asnjëherë për ngjarje të rëndësishme që kanë ndodhur në jetën tënde. Ajo di të ruajë të gjitha ato gjëra që ti kërkon t‘i ruash. Dhe këto shënime që ai ka hedhur në letër nuk janë gjë tjetër, por këto ngjarje. Për profesorin, ky libër nuk është ashtu siç mund të mendojë shumëkush, një lloj autokritike ndaj jetës së tij në "regjimin e vjetër". Ai thjesht ka shkruar gjithçka ka jetuar, i bindur se ka mundur ta tregojë ashtu siç di vetëm ai.
"Por si mund të shkruhen ‘Shënime autobiografike‘ duke përfshirë këtë periudhë të së kaluarës, pa bërë një minimum katarsisi?", thotë Beqja. Por a i ka shërbyer ai regjimit totalitar? "Po, i kam shërbyer. Kam qenë një propagandues i zellshëm. Por në dyzet libra që unë kam shkruar (përveç teksteve shkollore), mendoj që ka edhe vlera që janë ruajtur e do të ruhen, ka edhe shumë ndihmesa të mirëfillta shkencore e profesionale. Së paku kështu thonë shumë nga ata që e njohin aktivitetin tim... Kuptohet që duke u hyrë "Shënimeve autobiografike" unë nuk mund të mos e vijoj këtë prirje trajtimi autokritik të jetës e të veprimtarisë, madje ta pasuroj e ta konkretizoj atë. Pa këto, këto shënime do të ishin të mangëta. Ndoshta po bëj një deklaratë të tepërt: katarsisin jo të një të zhgënjyeri e të një të dorëzuari. Në të kundërtën: të një njeriu që ka mbetur e do të jetë një luftëtar për progres e demokraci", thotë Beqja. Ai beson se është dhe do të mbetet njëherësh dhe socialist, dhe demokrat, ashtu siç beson se çdo lëvizje që ka bërë në jetë, e ka bërë nga dashuria. Ashtu si këto rrëfime, ku profesori shpalos zemrën e tij, duke treguar gjithçka që nga fëmijëria në qytetin e Shkodrës, studimet në Bashkimin Sovjetik dhe Lilën, ose Ludjmillën, rusen me të cilën ndau për herë të parë ndjenjën e dashurisë. Kujton kohët kur zemrën e ndjente aq shumë në trup kur ishte pranë saj, ashtu siç kujton ndarjen, i bindur se nuk kishte për ta harruar kurrë.
Por pas çdo ndarjeje do të vijë sërish dashuria tjetër. Ajo dashuri e cila ende kujdeset për të dhe që ka çuditërisht një emër të ngjashëm me rusen, Lili (Liria). Ai kujton gjithçka nga njohja me vajzën që do t‘i binte menjëherë në sy për energjinë dhe forcën e saj, dhe edhe pse kishte pesëmbëdhjetë vjet diferencë moshe. Vendos të martohet me të, i bindur se kishte bërë zgjedhjen e duhur. Dhe kaq vite më pas është më i sigurt për këtë.
Janë shumë detaje që jeta e çdonjërit prej nesh mbart, të cilat i kuptojmë se ia vlejnë vërtet dhe që jemi shumë me fat që i kemi pasur vetëm kur ia tregojmë dikujt, apo në këtë rast kur i hedh në një libër.
Përtej mënyrës se si jemi mësuar t‘i shohim personazhet që na kanë frymëzuar, ose në rastin e profesor Beqës, na ka treguar se si të sillemi me njerëzit që duam, se sa të thjeshta janë gjërat që i komplikojmë me veten, në këtë libër na shfaqet një njeri me të gjitha të përditshmet e tij. Me dashurinë dhe humbjen dhe me dëshirën që nuk resht asnjëherë për të jetuar jetën. Një liberal i vërtetë, ashtu siç e njohin të gjithë.
Nëse ai është mësuar që shpesh të gjendet përballë njerëzve për t‘i dëgjuar për problemet e tyre, duke u rekomanduar një zgjedhje, këtë herë është vënë në vendin e tyre, duke treguar ai jetën e tij. Dhe pa doreza. Ashtu siç ka bërë gjithnjë.
Me Mehmet Shehun
Drejtpërdrejt me Mehmet Shehun për herë të parë jam takuar në fillimin e gjysmës së dytë të viteve gjashtëdhjetë, para se të formohej Komisioni Qendror për Arsimin, në një mbledhje të zgjeruar të Këshillit të Ministrave, ku u bë një diskutim i lirë për atë problem që filloi të emërtohej si revolucionarizim i mëtejshëm i shkollës. Ramiz Alia, shefi im i drejtpërdrejtë, më kishte thënë: Te shoku Mehmet bëhet një mbledhje për arsimin. Shko e merr pjesë. Ai nuk më tha as fol e as mos fol. Por duke e ditur natyrën time, që shpesh qëllonte që nuk rrija pa folur, më duket se anonte nga ajo se nuk ishte e domosdoshme që unë të flisja. Siç duket, për pjesëmarrjen time në atë mbledhje ai i kish thënë Mehmetit se "kemi ne një shok që merret me arsimin dhe se ai mund të vijë në atë takim". Në atë mbledhje u diskutua për shumë probleme. U prek edhe problemi i pjesëmarrjes së nxënësve të shkollave në punë prodhuese. Mehmet Shehu ishte partizan i flakët i kësaj pjesëmarrjeje. Teorikisht ai e shikonte këtë çështje si marksist. Por ai kishte edhe disa njohuri praktike për të. Ai kishte mësuar në shkollën teknike të Fulz-it, ku punës prodhuese, përgjithësisht punës praktike, i kushtohej mjaft kujdes. Nga brumosja që kishte nga përvoja jetësore edhe nga shpirti i theksuar aplikativ, ai i kushtonte shumë rëndësi kësaj çështjeje.
Në diskutim u futa dhe unë. Shtrova problemin se organizimi i punës prodhuese, ashtu siç po bëhej në fabrika, në uzina e në qendra pune të kësaj natyre, kishte mjaft dobësi. Nuk kishte fronte e vende pune, mjete të lira për të punuar. Qëllonte që nxënësit sorollateshin kot.
Mehmetit nuk i pëlqeu ndërhyrja ime dhe m‘u drejtua hapur: "Ti punon dhe në Komitetin Qendror dhe nuk duhet ta shohësh çështjen kështu. Unë kam qenë me shokun Enver në Çekosllovaki dhe në Gjermani dhe kam parë si nxënësit punonin në miniera e fabrika". Mirëpo unë vazhdova ndërhyrjen time: Edhe atje kanë hequr dorë nga këto forma, pasi i kanë parë se ato nuk japin rendiment dhe nuk kanë shumë efektivitet. Ai u nxeh dhe më replikoi ashpër: "Ata janë revizionistë dhe ne nuk kemi pse t‘i ndjekim".
Për mua çështja u bë e qartë: ai edhe iu referua përvojës së "revizionistëve", edhe u sul kundër tyre. Kuptohet që ai po më kritikonte fort edhe mua. Në diskutim ai e spostoi çështjen në një terren politik dhe ideologjik. Dhe nuk mund të mos them se përgjithësisht ai ishte një politizues dhe ideologjizues i njohur i tejskajshëm i çështjeve. Por edhe unë nuk hoqa dorë nga e imja. Theksova se çështja duhej parë edhe në terrenin profesional, nga prizmi i zbatimit dhe i përfitimit praktik i rendimentit dhe i efikasitetit. Por Mehmet Shehu vazhdonte të tijën...
Femrat
Unë shef kulture, ajo koriste. Na qëllonte të shkonim bashkë në mbrëmje të ndryshme. Rrinim deri vonë. Shpesh pas mesnate. Si rregull, për në shtëpi e përcillja unë. Qëllonte kur binte shi, shtrëngoheshim të dy në një çadër. E ndjeja aromën e mishit, "lëngut", lëkurës së saj. Por nuk e kam prekur asnjëherë me dorë, le më për ta puthur. Se ç‘ndjente ajo, nuk e kapja dot. Mund të mendonte: Mos është impotent ky mashkull?
Vajza e dashuruar
Në maturën e pedagogjikes dhe ca shokë të mi "horra", kuptohet nxënës, i qepen një vajze, bashkëmoshatare e imja. I thonë, madje i mbushin mendjen, se profesori të shikon me vëmendje. Nuk t‘i ndan sytë. Diçka ka me ty. Ishte një vajzë e thjeshtë, e urtë, e sjellshme, në gjithçka normale. Do t‘i që asaj i hyn në kokë që unë me të vërtetë duhet të kem ndonjë diskonim ndaj saj. I thotë një shokut tim të ngushtë, dhe ai nxënës më i madh se unë, më organizo bisedim të ngushtë me profesorin.
Çfarë na del? Ajo më thotë hapur se "më duket se ti më shikon e ndjen diçka për mua. Kurse unë të dashuroj me të vërtetë, madje marrëzisht". Nuk ishte adoleshente e papjekur, por mbushte të njëzetat.
Unë e kuptova që këtë rreng ma kishin punuar shokët e mi "horra". Por më polli belaja. As që më shkoi mendja që ta shfrytëzoja rastin për të filluar dashuri, aq më tepër lidhje bipolare seksuale. Por ç‘të bëja me të, si ta ndihmoja, si ta qetësoja?
Ishte vera e 1949-ës. Unë, siç e kam shkruar, kisha vendosur të shkoja patjetër për studime. I them: Po ti e di që unë do të shkoj për studime jashtë. M‘u përgjigj menjëherë: "E di, po unë të pres sa të jetë nevoja". Duke çmuar sinqeritetin e saj, e falënderova. I thashë se e kam të vështirë të premtoj gjë, të lidhem me fjalë. Nuk kemi bërë ndonjë dashuri, aq më tepër të ngushtë, nga ndoshta mund të buronte ndonjë lidhje. Si mund ta marr një zotim të tillë? Mund të shkojnë katër-pesë vjet. Ku e di unë ç‘do të ndodhë me mua. Me sa di unë, edhe ti je vajzë me edukatë familjare, mos u çudit që familja mund të kërkojë të të fejojë. Kuptohet, asnjë argument i imi nuk e bindte. Filloi të qajë: "Po unë do të vuaj gjithë jetën". I thashë, mblidhe veten. Me që më dashke kaq shumë, mos më shqetëso mua. Jeta është e gjatë. Çfarë nuk ndodh gjatë saj. Sa për ne të dy, do të vijë koha e unë me siguri do të të gjej ndryshe. Pastaj, si thotë populli, mali me malin nuk piqen, njeriu me njeriun piqen. U ndamë. Ajo duke u ngashëryer. Unë, po pa provuar ndonjë ndjenjë dashurie, por disi më i lehtë. Por i vrarë në ndërgjegje, pasi siç duket, padashur fare kisha lënduar rëndë një vajzë tepër të sinqertë.
Për rusen Ljudmilla
Ljudmilla e quanin, Lila e thërrisnin. Lila dukej një vajzë e qetë, me një pamje tipike ruse, e rregullt. Gati dy vjet ne nuk kishim pasur ndonjë afrim të dukshëm. Nga fundi i vitit të dytë filluam të afrohemi. Sebepi qenë leximet. Bashkëmoshatarë, të dy 20 vjeç, kishim lexuar shumë, sidomos letërsi artistike. Ndoshta në këtë anë ajo diçka më shumë se unë. Filluam të rrimë bashkë në auditorë. Edhe në pushime. Filluam shëtitjet edhe jashtë shkollës. Kështu filloi pak si ngadalë dashuria jonë. E fortë, e madhe. Unë po e provoja për herë të parë këtë ndjenjë të fuqishme. Për ta ruajtur atë për gjithë jetën. Na kishin porositur djemtë rusë, mos u lidhni ngushtë, mos zini dashuri aty ku mësoni. Vajzat e dashura ruse ishin pak xheloze. Bënin jetë aktive, por të thjeshtë. Nuk ishte zakon të shkonin në restorante. As me djem, me shokë, qoftë edhe me të dashur. Lila në lidhjet me mua kishte një vështirësi të veçantë: babai i saj inxhinier punonte në një institut ushtarak. Atëherë në Bashkimin Sovjetik kjo kategori njerëzish nuk duhej të kishte asnjë lidhje me të huajt. Kështu që unë nuk shkoja në shtëpi të Lilës, nuk isha i prezantuar me prindërit e saj. Ajo vinte në konviktin tonë shpesh, ku hyrja ishte e lirë. Njiheshim si një çift i lidhur ngushtë, si të thuash të martuar. Si i thonë tani, në bashkëjetesë. Mirëpo kjo lidhje kaq e ngushtë binte në sy. Në atë kohë kishte ligje si atje, si në Shqipëri, që ndalonin martesat midis të huajve. Mund të thoni ligj barbar. Por ai zbatohej rigorozisht. Kështu që lidhja jonë shumë e afërt mund të merrej edhe si kundërvënie, sado të kujdesshëm që të ishim në sy të të gjithëve...
Dhe vërtet erdhi dita e ndarjes. Dita më tragjike në jetën time. Por korrespodenca me Lilën vazhdonte. Çdo gjë hapur. Pa llogaritur asnjë farë censure. Siç kam thënë, unë mendoja të shkoja në aspiranturë. Ndërkaq po flitej se do të hiqeshin ligjet e ndalimit të martesës me të huajt edhe në Bashkimin Sovjetik, edhe te ne. Por ngjarjet u rrokullisën në rrugën e vet. Unë në aspiranturë nuk shkova. Pati një pauzë edhe në korrespodencë. Kur pas ca kohe vjen një letër nga Lila. Më njofton se ishte martuar. Shpjegimi: Ashtu rrodhën ngjarjet. Ca shokë e shoqe të mitë e të saj nuk e pritën fare mirë këtë ngjarje. E quajtën një nxitim. Unë, që atëherë isha partizan i flaktë i lirisë së personit, nuk reagova fare. Korrespodenca jonë vazhdoi. Në vitin 1960 shkova në Moskë me një delegacion. U lidha me Lilën nëpërmjet motrës së saj, e cila gjithmonë e kishte parë mirë lidhjen tonë. Për gati një muaj jemi takuar pothuajse përditë. Kemi biseduar si dy miq të vjetër. Unë nuk e kam pyetur se si ishte martuar, as me kë. Fotografinë e vajzës që kish bërë ma kish dërguar dhe më vonë atë e mbante në një album të veçantë gruaja ime, Liria... Gruaja ime Liria, kur u martuam, sistemoi edhe fotografitë e mia, që unë i mbaja fort keq. Ia di për nder që si grua e emancipuar, pa një gram xhelozie, krijoi edhe një album të veçantë për Lilën dhe për mua, ku është edhe ajo fotografi e vajzës së vogël të Lilës. Detyrohem të bëj edhe një shpjegim kurioz, një koincidencë. Në jetë unë kam pasur lidhje të ngushta me dy gra, thuajse me të njëjtin emër, me Lilën e Moskës dhe Lilin (Lirinë) bashkëshorten që kam.
Ai dhe regjimi...
Hamit Beqja në shërbim të regjimit?! Kuptohet është fjala për regjimin komunist. Po! Në shërbim të regjimit. Po e shkruaj pa thonjëza. Këtë cilësim për vetveten nuk e kam thënë unë i pari. E ka thënë një njeri që më njihte mua dhe veprimtarinë time jo keq, pa dashakeqësi, me një farë objektiviteti... Kur e mora vesh këtë cilësim që më ishte bërë, i thashë dashamirit që interesohej për mua: Hamit Beqja, në shërbim të regjimit. Është thënë drejt e bukur!
Por në opinionin publik, sidomos në qarqet intelektuale, kishte edhe mendime të tjera. Si studiues, si profesor psikologjie dhe edukate, kishte që më shihnin edhe si njeri me një farë prirjeje demokratike. Jo në kuptimin e një demokracie politike të institucionalizuar, por në stilin e komunikimit me të tjerët, i prirur për diskutim e dialog, me shpirt polemisti dhe që mund të trajtojë çështje ideologjike, kulturore, edukative, sidomos ato të zanatit të mirëfilltë të tij, ato arsimore e pedagogjike, me një farë sensi liberal. Jo në kuptimin që përdorej nga Partia e Punës ky nocion, si një ndikim i hapët dhe i dëmshëm për komunizmin e komunistët, një ndikim shthurës e çoroditës, sidomos për jetën shpirtërore të shoqërisë socialiste. Por si një liberal në kuptimin e vërtetë e të shëndoshë të kësaj fjale, si njeri që e respekton lirinë e mendimit të tjetrit, me të cilin mund të diskutosh...