E Diel, 1 Nëntor 2026

Obama: Amerika sipas meje

Fillimisht magjepsi botën. Tani, senatori i ri nga Ilinoisi kërkon të shndërrohet në Presidentin e parë me ngjyrë në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Po cili është "djaloshi" me shanset e mëdha? Në prag të "super së martës", Barak Obama shpjegon arsyet që e nxisin të garojë dhe fitojë.

Brendia e Shtëpisë së Bardhë nuk të ofron atë shkëlqim e ndriçim që të përcjellin filmat e realizuar për të. Është një vend i mbajtur mirë, por i vjetër. Kur e sheh të jep përshtypjen se netëve të dimrit duhet të jetë shumë e ftohtë. Megjithatë, ndërsa ndodhesh në paradhomë, apo në korridoret e saj, e ke të pamundur të harrosh historinë që është "shkruar" aty: Xhoni dhe Bobi, duke bërë ecejake në mesin e krizës me Kubën; Rusvelt, ndërsa hidhte në letër ndryshimet e fundit para një fjalimi drejtuar kombit, që transmetohej në atë kohë në radio; Linkoln, i vetmuar, në çapitjen e paragjumit, ndërsa mbi shpatulla i rëndonin problemet e një kombi të ri… Ndërsa bisedoja në holl me dy punonjës të Shtëpisë së Bardhë, më vinin në mend dy takimet e mëparshme me Presidentin. I pari, me rastin e një urimi paszgjedhor; i dyti një mëngjes pune me një grup senatorësh. Në të dyja takimet Presidenti më kishte përcjellë mbresën që të lë një njeri i këndshëm, i disiplinuar dhe i drejtpërdrejtë. Megjithatë, në mëngjesin e punës në të cilin ndodhej edhe zëvendësi i tij, Çeni, ndër të tjera vura re një aspekt tjetër të Presidentit. Ai kishte nisur të diskutonte axhendën e mandatit të tij të dytë: vazhdimin e qëndrimit të forcave ushtarake në Irak, nevojën e rinovimit të "Aktit Patriotik", domosdoshmërinë e Reformës së Sigurimeve Shoqërore… Befas u duk sikur dikush në dhomën ngjitur kishte shtypur një buton dhe Presidenti ndryshoi menjëherë qëndrim. Sytë e tij u fiksuan në një pikë, zëri iu trazua, tonaliteti i ngjante një personi që nuk ishte mësuar ta ndërprisnin dhe kësisoj nuk e mirëpriste një veprim të tillë, vështrimi dashamirës iu zëvendësua në një vështrim të rreptë. Shihja kolegët e mi senatorë, që i peshonin çdo fjalë, dhe ndër mend më erdhi rreziku i izolimit që shoqëron çdo pushtet të madh. Njëherazi vlerësova "etërit" dhe mençurinë e tyre, që kishte krijuar në Amerikë një sistem qeverisës që e mban pushtetin nën kontroll të vazhdueshëm. "Obama, eja të takosh Laurën", më tha Bush, teksa më shtrëngonte duart. "Laura e mban mend Obamën. E kemi parë në televizor në natën e zgjedhjeve. Keni familje të bukur dhe ajo zonja juaj është shumë mbresëlënëse". "Të dy ne kemi marrë gra më të mira se veten, zoti President", ia ktheva unë, duke i zgjatur dorën Zonjës së Parë.

Që kur kam vënë këmbën në Senat, kam qenë një kritik i politikave të Administratës së Bushit. Politikat e tij të reduktimit të taksave për të pasurit i konsideroj njëherazi të papërgjegjshme nga ana fiskale dhe moralisht të padenja. Kam kritikuar axhendën e Shëndetit Publik. Në vitin 2002, para se të shpallja fushatën për në Senat, mbajta një fjalim në një nga mitingjet e para antiluftë në Çikago. Aty i kërkoja Administratës fakte për ekzistencën e armëve të shkatërrimit në masë në Irak, duke sugjeruar se një sulm aty do të ishte një gabim i madh dhe me kosto të pallogaritshme. Ajo që ndodhi më pas nuk i hodhi poshtë aspak mendimet e mia. Megjithatë jam i mendimit se administrata amerikane ka bërë atë që ka gjykuar më të mirën, sipas saj, për vendin. Të jesh në një pozicion të lartë e të rëndësishëm vendimmarrjeje në Uashington nuk është gjë e lehtë. Janë dhjetëra gjëra të rëndësishme për të cilat duhet të vendosësh për kombin, e nga ana tjetër, duhet të vazhdosh të jesh luajal edhe ndaj partisë që përfaqëson e shumë faktorëve të tjerë, përfshi median. Për më tepër, ata që punojnë në zyrat e Uashingtonit, në më të shumtën e rasteve, janë shkolluar ose si juristë, ose si politikanë profesionistë, që synojnë jo të zgjidhin probleme, por të japin argumente bindëse. Por jashtë Uashingtonit, megjithatë Amerika ndihet më pak e ndarë. Udhëtimin tim të parë në jug të Ilinoisit e kam bërë në vitin 1997. Ishte vera në përfundim të mandatit tim të parë legjislativ. Unë dhe Mishela ende nuk ishim bërë prindër. Në atë periudhë, së bashku me ndihmësin tim, vendosa që të bënim një udhëtim në pjesën jugore të shtetit. Gjatë ditëve të udhëtimit bëmë shumë ndalesa në zona të ndryshme, u takuam me njerëz, në lokale, shtëpi dhe vende pune. Folëm me të papunët, shtëpiaket, me të rinjtë që po linin shtëpitë për t‘u zhvendosur në qytetet e mëdha, mësuam për skuadrat e futbollit të shkollave të mesme, problemet e veteranëve dhe të të moshuarve. Takuam shefin e krimeve, i cili na tha se kriminaliteti vinte nga mungesa e vendeve të punës dhe se në të përfshiheshin kryesisht të rinjtë. Në përfundim të kësaj jave, ajo që ndjeva ishte keqardhja që po largohesha, si dhe një ndjenjë malli. Jo sepse bëra shumë miq, por sepse fytyrat dhe historitë që pashë e dëgjova i ngjanin pak a shumë simes. Tek të gjitha gjeja pjesë të vetes. Në to pashë sytë e gjyshit, prakticitetin e gjyshes, mirësinë e mamasë. Është pikërisht kjo ndjenjë familjariteti që më magjeps sa herë udhëtoj në jug a në veri të Ilinoisit. Sot, po ta shohësh, gjithçka është në përzierje, në një bashkim e bërje bashkë mes njerëzve dhe kulturave, identiteteve dhe mënyrave të jetesës. Gjërat po ndryshojnë me shpejtësi të madhe dhe po të kesh pak kohë do të shohësh se një evangjelist është më tolerant nga sa mendohej dhe një ateist më shpirtëror se më parë. Të gjitha këto ndryshime kryekëput nxjerrin në plan të parë pyetjen: cilat janë vlerat thelbësore që na bëjnë bashkë ne si amerikanë? Është gjuha e vlerave ajo që i bën bashkë njerëzit, që i frymëzon të ndërmarrin veprime, që i bën të dalin jashtë çdo izolimi. Standardet dhe parimet që pjesa më e madhe e amerikanëve i gjykojnë të rëndësishme, duhet të jenë në zemër të politikës sonë, duhet të jenë guri i themelit i çdo debati në lidhje me buxhetet dhe projektet, rregulloret dhe politikat. "Ne i konsiderojmë këto të vërteta si të shenjta: Të gjithë njerëzit janë të barabartë që janë "gdhendur" nga Krijuesi me të drejtat të pamohueshme të tilla si Jeta, Liria dhe kërkimi i Lumturisë". Këto fjalë të thjeshta janë pikënisja e ekzistencës sonë si amerikanë, ato janë jo vetëm themeli i qeverive tona, por edhe përmbajtja e kredos sonë të përbashkët. Këto fjalë nuk mund të t‘i thotë çdo amerikan, vetëm disa, nëse do t‘i pyesësh, janë në gjendje të thonë se gjeneza e Deklaratës së Pavarësisë i ka rrënjët në mendimin liberal dhe republikan të shekullit të 18-të. Ideja thelbësore e deklaratës është se ne kemi lindur në këtë botë të lirë, të gjithë ne, se secili prej nesh vjen në këtë jetë me një "paketë" të drejtash, të cilat nuk mund t‘ia marrë me dhunë askush e për asnjë arsye. Arsyeja pse unë e vlerësoj kaq shumë Deklaratën ka të bëjë edhe me faktin se një pjesë të mirë të fëmijërisë sime e kam kaluar në Indonezi dhe Kenia. Këto janë vende me probleme të mëdha të të drejtave të njeriut, ku fati i njerëzve është në dorë të juntave ushtarake, apo të gjeneralëve e ushtrive të pamëshirshme. Fati i shumicës së njerëzve që popullojnë vendet me shkelje të të drejtave të njeriut nuk është në dorën e tyre. Po të kthehesh në Amerikë nga vizita në vende të tilla, atëherë do ta kuptosh se çdo të thotë të jesh i lirë dhe se sa e çmuar është liria. Shpesh ne marrim kuptimin negativ të fjalës liri. Mendojmë se është e drejta për të qenë vetëm dhe jemi dyshues ndaj atyre që ndërhyjnë në punët tona. Por kemi edhe një vlerësim pozitiv të lirisë, si vlerat që të jep ajo në vetëbesim dhe vetëpërmirësim, por edhe në ndërmarrjen e rreziqeve. Vlera, që të shtyhen kur je i lirë për sa i përket disiplinës, vetëpërmbajtjes dhe punës apo përgjegjësisë personale. Ato i kanë rrënjët thellë në ndjenjën e optimizmit për jetën dhe besimin në vullnetin e lirë. Por këto vlera shprehin një besim më të madh për sa kohë që individët, burra, gra, janë të lirë që të ndjekin interesat e tyre personale, të lirë, edhe shoqëria si e tërë do të begatohet e do të ecë përpara. Sistemi ynë i vetëqeverisjes dhe ekonomia e tregut të lirë varet nga ecja individuale e secilit prej amerikanëve. Unë i çmoj shumë mënyrat e mira. Sa herë që takoj një fëmijë i cili flet qartas e më sheh në sy dhe më thotë: "Po, zotëri", apo "Faleminderit, zotëri", "Ju lutem", "Më falni", ndihem më me shpresë për vendin dhe nuk mendoj se jam i vetëm në këtë gjë. Nuk mund të bëj ligje për mënyrat e mira, por mund t‘i inkurajoj, nxis kur jam mes njerëzve. E njëjta gjë vlen edhe për kompetencën. Nuk mund ta merrni me mend se sa e bukur bëhet dita ime kur personi me të cilin bashkëpunoj bëhet copash për të përmbushur një detyrim, një obligim në mënyrën më të mirë të mundimshme. Ndonjëherë na duhet njëherazi si ndryshimi kulturor, edhe veprimi qeveritar apo ndryshimi në vlera e në politika për të promovuar shoqërinë që duam. Një nga gjërat që më ka bërë të bashkohem që në fillim me demokratët është ideja e vlerave të përbashkëta, vlerave të komunitetit, sensi përgjegjësive të përbashkëta dhe solidaritetit shoqëror, sensi i shprehjes së lirë, jo vetëm në kishë, sinagogë a xhami, jo vetëm në bllokun ku jetojmë apo brenda familjes sonë, por edhe në instancat më të larta shtetërore. Ashtu si pjesa më e madhe e njerëzve, unë besoj në pushtetin e kulturës sonë për të përcaktuar suksesin personal dhe kohezionin social, si dhe se po të injorojmë faktorët kulturorë të njëri-tjetrit do të jemi gjithmonë në rrezik. Unë besoj gjithashtu se qeveria jonë mund të luajë një rol në formimin e kësaj kulture si për mirë, ashtu edhe për keq. Shpesh pyes veten se përse e kanë të vështirë politikanët që të flasin për vlerat, pa u dukur të shtirur apo persona që bëjnë llogari. Mendoj se pjesërisht kjo ndodh për shkak të standardizimit të jetës në sferat e larta dhe të shkëputjes nga realiteti i njeriut të zakonshëm. Gjërat janë shumë të thjeshta. Gjithçka mund të përfshihet në pyetjen e thjeshtë dhe aq të dashur që nëna më bënte mua, që çdo nënë ia bën fëmijës së saj: "Si ndihesh?". Pikërisht kjo është edhe pikënisja e politikës sime. "Si ndihemi?", - kjo është një pyetje që nuk ia bëjmë mjaftueshëm vetes sonë. Nuk ia bëjmë vetvetes dhe ndaj mendoj se vuajmë nga një deficit ndjeshmërie. Ne si komb, por edhe bota, si e tërë. Jam i bindur se një sens më i fortë ndjeshmërie do të ndikonte për mirë në peshoren e politikës sonë në favor të atyre njerëzve që po luftojnë çdo ditë me jetën. Në fund të fundit bëhet fjalë për një luftë të përbashkët. Nëse nuk do të zgjasim dorën e ndihmës, do të kryenim një akt kundër vetvetes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›