E përplas kamioni, rëndë 70-vjeçari
Elbasan- Një 70-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë, pasi një kamion e ka përplasur e më pas e ka tërhequr zvarrë. Sipas burimeve policore, ngjarja ndodhi në aksin rrugor Elbasan -Librazhd, në fshatin Labinot.
Një kamion me targa TR 3608 ka tërhequr për disa metra zvarrë një motoçikletë që drejtohej nga 70-vjeçari Ahmet Hoxha, lindur e banues në lagjen “Vullnetari” të qytetit të Elbasanit.
Drejtuesi i mjetit është shoqëruar në komisariatin e policisë së Elbasanit, ndërsa 70-vjeçari është dërguar në spitalin kirurgjik. Mjekët deklarojnë se gjendja e tij shëndetësore është mjaft e rëndë në rrezik për jetën.
Ndërkohë, grupi i ekspertizës pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, thotë paraprakisht se shkak i këtij aksidenti është shpejtësia tej normave të lejuara nga ana e drejtuesit të kamionit. Materialet i kaluan prokurorisë për veprime të mëtejshme.