Për 4 vjet, 25% e popullsisë së botës do jetë online
Sipas ekspertëve të institutit të kërkimeve “Jupiter”, rritja e numrit të përdoruesve të internetit në periudhën 2007-2012 do të jetë 44% dhe do të jetë më e dukshme në Kinë, Rusi, Indi dhe Brazil.
Kështu, në katër vitet e ardhshme, numri i përsonave që do të kenë akses në internet do të arrijë shifrën e 1,8 miliardë, e barabartë me 1 të katërtën e popullsisë botërore. “Vetëm një e katërta”, por po të mendosh se zhvillimi teknologjik në pjesën më të madhe të popujve nuk përkon sigurisht me atë të vendeve të industrializuara, atëherë gjithçka ndryshon.
Kështu që nuk është pak një përqindje e tillë. Madje “Jupiter” parashikon se do të jenë pikërisht ato vende jo shumë të “zhvilluara”, që do ta shohin si perspektivë të së ardhmes përdorimin e internetit. Parashikohet që rritja më e madhe të jetë në vendet Aziatike, madje ekspertët parashikojnë që aftësitë e përdoruesve të internetit do të jenë të konsiderueshme.
Momentalisht, vendi teknologjikisht më i përgatitur për përdorimin e rrjetit është Suedia. Sipas të dhënave të raportit vjetor të Global Competitiveness, vendi skandinav është në majë të klasifikimit botëror për vendet ku teknologjia e informacionit dhe komunikimit është më i zhvilluar dhe i shpërndarë.
Të tjera vende nordike kanë pozicione të mira në këtë klasifikim. Kështu Islanda është e dyta në klasifikim, ndërsa Danimarka është ngjitur në pozicionin e pestë nga i dhjeti që ishte një vit më parë.
Në vend të tretë dhe të katërt janë Zvicra dhe Holanda. Ndërsa në të gjashtin e të shtatin Hong Kongu dhe Korea e Jugut, ku qeveria ka mbështetur fuqimisht ngritjen e infrastrukturës së informacion-komunikimit (ICT). Rënie të dukshme ka pësuar SHBA, e cila renditet në vendin e nëntë. Ndërsa vendin e dhjetë e zë Luksemburgu.