E qorton motra pas sherrit, gjendet i vetëvarur 12-vjeçari
DURRES - Fjalët e rënda të thëna para shokëve të tij prekin në sedër 12-vjeçarin deri në vetëflijim. Nxënësi i klasës së gjashtë, në shkollën "Met Hasa" në zonën informale të Porto-Romanos i ka dhënë fund jetës mesditën e djeshme, duke u vetëvarur me rripin e pantallonave. Burime të policisë së Durrësit pohuan dje se, viktima është S.Lekndreu, vetëm 12 vjeç, i cili u gjet u pajetë në banjën e shtëpisë nga familjarët e tij. Vendimin e ka marrë rreth orës 14:00, sapo ka lënë shkollën dhe ka mbërritur në shtëpi, duke e ndarë me veten se të nesërmen nuk do u dilte para syve moshatarëve. Nga dëshmitë e para të marra në vendngjarje nga ana e ekspertëve të policisë pohohet, se një sherr me shokët e shkollës ka qenë fillesa e ngjarjes fatale. Lekndreu mësohet se në oborrin e shkollës 9-vjeçare ka nisur një grindje me disa moshatarë, por që ka përfunduar me konfrontim fizik. Në ato momente bëhet e ditur nga burimet se ka qenë dëshmitare dhe e motra më e madhe e 12-vjeçarit. Ajo i ka folur të vëllait, me qëllim shuarjen e sherrit, por kjo ndërhyrje ka qenë e papranueshme prej minorenit. Duket se ai është prekur në sedër nga fjalët e motrës përballë "rivalëve", duke mos reaguar më. I mbyllur në vetvete është kthyer në shtëpinë përdhese, të ndërtuar disa vite më parë dhe ka hyrë në banjën e saj. Aty, sipas policisë, ka shfrytëzuar rripin e pantallonave të tij për t'i dhënë fund jetës. Prindërit ishin të parët që e gjetën trupin e pajetë të Lekndreut, pa pasur mundësi që ta shpëtonin nga vdekja. Policia e njoftuar për ngjarjen nisi një grup ekspertësh drejt zonës periferike të Durrësit për të saktësuar shkaqet dhe rrethanat e vetëflijimit. Menjëherë janë mbledhur dëshmitë, të cilat konfirmonin sherrin me shokët e më pas qortimin, që i kishte bërë e motra për të mos u grindur me ta. Nisur nga këto fakte, policia ka konstatuar paraprakisht se bëhet fjalë për një vetëvrasje, shkaktuar nga një depresion i rëndë i çastit. Familja Lekndreu ishte shpërngulur nga Tropoja për të jetuar në zonën e Porto-Romanos. Që nga fillimi i vitit në Qarkun e Durrësit janë shënuar 3 raste vetëflijimi djemsh të mitur. Në të tre rastet, viktimat ishin qortuar nga familjarët më të rritur për motive të rëndomta, pa e menduar kurrë se do të provokonin ndërmarrjen e një veprimi ekstrem për ta. o.u
Precedentët
Qershor 2008
Një 11-vjeçar u gjet i vetëvarur me një tel elektrik në lagjen Stallë të Sukthit në Durrës. Rreth orës 18:45 të 24 qershorit u gjet trupi i tij i pajetë. Nga hetimet e policisë ai e kishte ndërmarrë vendimin, pasi e ëma nuk e kishte lejuar të luante futboll me shokët.
Janar 2008
Një tjetër 11-vjeçar, me origjinë nga Dibra i dha fund jetës duke u vetëvarur me rripin e pantallonave. Z.Prifti jetonte po në lagjen "Stallë" të Sukthit, ku u vetëvar në kushtet e depresionit, pas vdekjes së vëllait prej sëmundjes.