Skaneri i Bariçit për kosovarët e Kombëtares
Jetmir Halilaj
I pëlqen t'i thotë gjithnjë hapur gjërat, madje për këtë një pjesë e kuqezinjve nuk e kishin shumë me qejf. Megjithatë, ai është përpjekur gjithnjë që t'i ndihmojë lojtarët e Kombëtares shqiptare, madje shpeshherë duke dalë edhe nga detyrat që parashikonte kontrata që kishte me FSHF-në. Ish-trajneri i Shqipërisë, Oto Bariç, pohon se i kanë mbetur merak dy gjëra nga koha kur drejtonte kuqezinjtë. E para, që portierit Arjan Beqaj nuk arriti t'i siguronte ndonjë kontratë me ndonjë klub të madh evropian dhe e dyta, që dyshen e Vorsklas Armend Dallku e Debatik Curri nuk arriti t'i transferojë në klubin më të madh kroat, Dinamo Zagreb. Në një intervistë për "Koha Ditore", kroati 75 vjeç, ka vlerësuar kontributin, të mirat e të këqijat e secilit futbollist kosovar që aktivizohet me Kombëtaren shqiptare. "Për mua është portier i shkëlqyer, me përvojë shumë të madhe. Aftësitë e tij po reflektohen edhe në sukseset që ka arritur Shqipëria në këtë fillim edicioni. Në të gjitha ndeshjet që ka luajtur gjatë kohës që unë drejtoja skuadrën shqiptare, është paraqitur mirë dhe ka dhënë më shumë se maksimumin. Jam i lumtur që e kam pasur në skuadër gjatë kohës që isha trajner i Shqipërisë. Është një portier ideal dhe me vjen keq që nuk arrita ta ndihmoj të transferohet në një klub të madh evropian, sepse një si ai e meriton të luajë në klube të mëdha", ka thënë Bariç. Ai ka vlerësuar maksimalisht Armend Dallkun, por i këshillon të jetë më i kujdesshëm. "Mbrojtës shumë i mirë me një karakter tepër të fortë. I ka të gjitha aftësitë depërtuese dhe është i shpejtë. Jam i bindur se në të ardhmen do të luajë në ndonjë skuadër të madhe evropiane. I duhet të punojë në përmirësimin e teknikës dhe harkimeve. Çdo trajner do ta dëshironte në skuadër", ka thënë Bariç. Kur vjen puna te Debatik Curri, ai nuk i kursen elozhet për mesfushorin që luan te Vorskjla, madje mendon se është një nga futbollistët kyç të Kombëtares. "E di që është shok i mirë me Dallkun dhe të dy janë djem të përkryer. Luajnë në të njëjtin ekip dhe që të dy kam dashur t'i transferoj në Dinamo, por kontratat aktuale me Vorsklan bënë të pamundur transferimin e tyre. Është një lojtar shumë i mirë, sepse në çdo ndeshje jep më shumë se 100 për qind nga vetja. Po ashtu, ai ka një përparësi nga të tjerët në skuadër, sepse mund të luajë në pozicione të ndryshme pa asnjë problem. Meriton të luajë në një klub të madh", ka thënë tekniku. Canën e konsideron si lojtarin më të talentuar që ka ekipi përfaqësues, por ka rezerva në lidhje me mesfushorin. "Lorik Cana është një lojtar i vërtetë dhe më i talentuari në ekipin shqiptar. Besoj se ky do të jetë viti i tij, pasi Marseja këtë vit ka synime të mëdha. Megjithatë, nganjëherë është e mundur të mos luajë për Kombëtaren si pasojë e lidhjes së ngushtë me klubin. Duhet të mësohet të kontrollojë agresivitetin e tij, sepse shumë lehtë mund të marrë karton të kuq, gjë që pastaj i kushton skuadrës. Është një luftëtar i vërtetë në fushë dhe e respektoj për këtë", është shprehur kroati. Ndërkaq, ai i sugjeron Besart Berishës se duhet të punojë shumë për të nxjerrë në pah vlerat e vërteta të tij, por e cilëson atë si një futbollist me të ardhme të madhe. "Duhet të punojë më shumë. Më vjen keq që u dëmtua me Kombëtaren në kohën kur unë isha në krye të saj. Kjo e mbajti për një vit jashtë fushës. Është lojtar shumë interesant, ka disa veti që të tjerët nuk i kanë. Por, atij i duhet të qetësojë veten, t'i marrë gjërat më shtruar. Është i shpejtë dhe teknik. Një dobësi e tij është edhe pasimi, shpeshherë jo i sigurt", ka thënë Bariç.