E Diel, 1 Nëntor 2026

Skela, "sherr" me Rangelovin për penalltinë

 

Ai cilësohet lideri i Kotbusit, por kjo shpeshherë ngjall xhelozi, madje edhe brenda skuadrës. Sipas medias gjermane, ky është shkaku që Ervin Skela, mesfushori i përfaqësueses shqiptare ka pasur një debat me shokun e tij të skuadrës, Dimitar Rangleov, gjatë ndeshjes kundër Mënshengladbahut, të cilën ekipi i tij e fitoi me rezultatin 3-0. Të tre golat Kotbusi i shënoi me penallti, fillimisht Rangelov (1) dhe më pas Skela (2). Ka qenë penalltia e fundit që është bërë shkak për një zënkë mes tij dhe sulmuesit bullgar. 11-metërshin e ka fituar Rangelov, por trajneri kishte përcaktuar se goditjet e penalltive t'i gjuante Skela. Rangelov nuk e ka respektuar vendimin e trajnerit në penalltinë e parë të akorduar nga gjyqtari në favor të Kotbusit dhe ka preferuar të gjuajë vetë, duke shënuar. Penalltinë e dytë e ka ekzekutuar Skela, ndërsa penalltinë e tretë në minutën e 89-të, të cilën e ka fituar sërish Rangelov, ka dashur ta gjuajë vetë ky i fundit. Mesfushori shqiptar nuk ka qenë dakord dhe ia ka marrë topin nga duart sulmuesit bullgar, e ka gjuajtur vetë dhe ka shënuar gol duke thelluar shifrat në 3-0. Kjo nuk i ka pëlqyer aspak Rangelovit, i cili pas ndeshjes është larguar tejet i nervozuar për në dhomat e zhveshjes. I pyetur për këtë debat mes lojtarëve, kapiteni i Kotbusit, Timo Rost, ka dalë në mbrojtje të fantazistit shqiptar duke thënë: "Të gjithë e dimë se penalltitë i gjuan Skela, ndaj nuk kam se çfarë të them më tepër. Megjithatë e rëndësishme është fitorja".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›