E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet në Uruguai, ish-bosi i "Populli"

 

Dashamir Biçaku

Arrestohet në Montevideo me pasaportë dhe shtetësi urguajane, Bashkim Driza, ish-drejtuesi i skemës piramidale "Populli", i dënuar me 16 vite burg për mashtrimin e 300 mijë kreditorëve në shumën e 870 milionë lekëve të reja. Mësohet se 50-vjeçari, qëndronte në Uruguai me shtetësi të këtij vendi dhe me emrin e tij, ndërsa vende të tjera si Kili apo Republika Dominikane, i vizitonte në mënyrë të vazhdueshme. Burimet e policisë thonë se ish-bosi i piramidave shqiptare gjatë kohës që i fshihej drejtësisë, është marrë me biznese të ndryshme, të cilat ende janë në verifikim. Ndërkaq, mësohet se kanë nisur edhe kontrollet e llogarive bankare të tij në vendet ku Driza është strehuar gjatë kohës që ishte në kërkim. Arrestimi i kapos së shoqërisë huamarrëse "Populli", është konfirmuar dje nga Policia e Shtetit. Sipas saj, ish-drejtuesi i shoqërisë piramidale, është arrestuar në banesën e tij në Montevideo, të hënën nga policia uruguaiane. Kjo e fundit dy ditë më parë, mësohet se ka kryer operacionin për arrestimin e Drizës dhe më pas u ka kërkuar të dhëna plotësuese homologëve të tyre të Zyrës së Interpol Tiranës. Sipas burimeve, Bashkim Driza ka rënë në pranga pas më tepër se 8 muajsh ndjekje nga autoritetet policore uruguaiane, të cilat ishin në dijeni se i kërkuari qëndronte në vendin e tyre. Sipas burimeve të policisë shqiptare, ish-bosi i fondacionit "Populli", kishte mundur të merrte nënshtetësi me emrin mbiemrin e tij, në vendin ku fshihej, pa tentuar të ndryshonte asgjë nga identiteti. Një ditë pas arrestimit, Bashkim Drizës në Drejtorinë e Policisë së Montevideos, i është komunikuar një urdhër arresti ndërkombëtar ndaj tij, në bazë të vendimit të dënimit të Gjykatës së Tiranës. Kjo e fundit më 18 qershor 2002, e ka dënuar të kërkuarin në mungesë, duke dhënë 16 vite burg për mashtrim në shuma të mëdha, në bashkëpunim me persona të tjerë. Pas komunikimit të arrestimit, një gjykatë e Montevideos, kryeqytetit të Uruguait, ka urdhëruar masën e sigurisë ndaj tij me "arrest shtëpie" për shqiptarin e prangosur. Driza do të mbahet në këtë masë sigurimi derisa të ekstradohet në Shqipëri.
Lëvizjet
Deri tetë vite më parë, informacionet e policisë shqiptare për Bashkim Drizën, tregonin se ai fshihej në Gjermani, ose në Greqi. Për këtë shkak, zyra e Interpol Tiranës, kishte kryer verifikime thuajse në të gjithë vendet e Evropës, me qëllim për arrestimin e të kërkuarit. Sipas policisë, 50-vjeçari Driza duhet të ketë mbërritur në shtetet e Amerikës Latine, përpara vitit 2003, një vit pas dhënies së vendimit të gjykatës ndaj tij, kur kuptoi se nuk kishte mundësi shpëtimi nga drejtësia. Ai është regjistruar në vendin latin e madje ka mundur të fitojë edhe shtetësinë aty, duke u bërë qytetar i Montevideos. Në kryeqytetin uruguaian, sipas burimeve të policisë ai rezultonte të ishte rezident, ndërsa gjatë kësaj kohe, ai ka lëvizur në mënyrë të vazhdueshme në kryeqytetin e Kilit, Santiago, në Republikën Dominikane, në kryeqytetin e saj Santo-Domingo. Policia konfirmoi se Bashkim Driza ka udhëtuar shpesh në vendet e tjera të Amerikës Latine, si në Brazil, Argjentinë, apo në Paraguai. Gjatë gjithë udhëtimeve të tij të herëpashershme në vendet e Amerikës Latine, Driza ishte mbajtur nën vëzhgim nga Interpoli uruguaian. Këta të fundit, sipas burimeve të policisë, nëpërmjet shërbimeve të ndryshme të tyre, kontrollonin lëvizjet e Drizës pasi ai ndodhej në listën e të kërkuarve ndërkombëtarë. Për herë të fundit ai ka qëndruar në Santiago, kryeqytet i Kilit.

Gjurma e fundit e ish-bosit të fajdeve u zbulua në janar 2007

TIRANE - Në janarin e vitit 2007, policia shqiptare ka rënë në gjurmët e Bashkim Drizës. Gjatë hetimit ndaj dy personave të arrestuar në Tiranë, policia zbuloi letërkëmbimet e tyre përmes postës elektronike me të shumë-kërkuarin Bashkim Driza. Ai mësohet se kishte shkëmbyer letra elektronike të rregullta me një të afërme të tij, që punonte në doganën e kryeqytetit. Gjithçka është zbuluar pas arrestimit të shtetases me iniciale E.S., e cila hetohej për një vepër tjetër penale. Në kuadër të këtij hetimi, policia ushtroi kontrolle në kompjuterin e kësaj punonjëseje të doganës, duke arritur të zbulonte edhe letërkëmbimet e saj me ish-bosin e shoqërisë huamarrëse "Populli". Sipas të dhënave të atëhershme të policisë, ishte e pamundur për shkak të mjeteve, të identifikohej vendndodhja e të kërkuarit, ndërsa në letrat që ai shkruante, jo vetëm që nuk përshkruante asgjë për vendqëndrimin e tij, por edhe përdorte identitet të rremë. Një fakt ky, që bie ndesh me veprimet që ka kryer vetë 50-vjeçari, që kishte hyrë në Uruguai me emrin e tij të vërtetë, madje kishte marrë pasaportë me këtë identitet. Policia shqiptare gjithsesi i dokumentoi letrat, që Bashkim Driza kishte shkëmbyer me të afërmen e tij, e cila punonte në doganën e Tiranës. Pavarësisht se nuk kishte asgjë të konfirmuar plotësisht, agjentët e rendit krijuan një ide rreth vendndodhjes së Bashkim Drizës, e cila në atë kohë mendohet se ishte Australia. 

Vendimi: Mori 870 mln lekë, Driza u dënua me 16 vjet burg

TIRANE - Bashkim Driza, ish-bosi i firmës piramidale "Populli" ka marrë 16 vjet burg nga Gjykata e Tiranës në vitin 2002, pasi është gjetur fajtor për mashtrimin në bashkëpunim të 304240 personave në shumën e 870 milion lekëve të reja. Ortaku i Drizës është 56-vjeçari Adem Çepele, i cili gjithashtu, u hetua dhe gjykua në mungesë, kur iu dha një dënim me 14 vite burg, që ende nuk e ka shlyer, pasi ka mundur t'u fshihet prangave. Ndërkohë prokurori i çështjes kishte kërkuar gjatë pretencës 20 vjet burg për Drizën dhe 15 për Çepelen, ndërsa avokatët pafajësi. Sipas gjykatës procedimi penal në ngarkim të akuzuarve është nisur nga Prokuroria e kryeqytetit më 23 janar 1997, nën akuzën e "vjedhjes me anë të mashtrimit", kryer në bashkëpunim. Veprimet hetimore kanë nxjerrë se dy të pandehurit, duke shfrytëzuar njohjet me njëri-tjetrin, kanë krijuar fondacionin piramidal "Populli", ku president i tij ishte Bashkim Driza. Me anë të kësaj skeme mashtruese ata kanë filluar të grumbullojnë para nga publiku i gjerë, ndërsa shumat që arkëtoheshin nga një person lejoheshin të ishin deri në 30 mijë lekë të reja. Vetëm me urdhër të Drizës mund të pranoheshin shuma më të mëdha. Raporti i shumës së arkëtuar me ato që ktheheshin fillimisht ishte në raportin 1 me 2 dhe më pas në raportin 1 me 3. "Duke vepruar në këtë mënyrë, për periudhën prill 1996 deri në janar 1997 të pandehurit kanë arritur të vjedhin 870 milionë lekë nga 304240 persona të ndryshëm", thuhet në vendimin e gjykatës, ku vazhdohet se ekzistenca e faktit dhe fajësia e dy të akuzuarve provohen nga thëniet e dëshmitarëve, të pyetur para gjykatës, një pjesë të cilëve ish-punonjës të piramidës. Gjithashtu, gjykata ka vlerësuar edhe dokumentet shkresore për të vërtetuar fajësinë e të dy të akuzuarve. "Unë kur fillova punë, kuptova që diçka nuk ecte. Burimet nga vinin paratë Bashkimi nuk i tregonte", ka pohuar një prej dëshmitarëve në proces, ndërsa një tjetër, pohon se dinte që Bashkimi nuk kishte pasuri, pasi e njihte para vitit 1990 dhe kur ai filloi këtë aktivitet, dëshmitari kishte shprehur dyshim për aktivitetin e tij, por ishte tërhequr kur Driza filloi aktivitetin me bankën. Sipas dëshmitarit, kur ishte pyetur Driza për origjinën e parave, ishte përgjigjur shkurt: "I dimë ne". Një tjetër dëshmitar pohon se: "Kur njerëzit më thosshin a ka garanci, unë u thosha pyetni Bashkimin. Ai me thirri dhe më tha: Pse i thoni kështu njerëzve! Unë e di ku i gjej lekët". Gjithashtu, gjykata vlerësoi si prova edhe disa dëshmi të tjera, sipas të cilave Driza hapte fjalë, se ishte i lidhur me fondacione të tjera në botë, kishte hotel në Kaliforni, kishte punuar në Greqi, prandaj kishte lekë gjendje  për shlyerjen e kreditorëve dhe kishte burime financiare jashtë shtetit. Ndërkohë, burimi i vërtetë i parave ishin depozitat e qytetarëve, kurse dy të pandehurit, veçse mashtronin kur flisnin për vendndodhje të ndryshme, si në SHBA apo Greqi të shumave të mëdha së të hollave.         fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›