E Diel, 1 Nëntor 2026

Nxirren nga arkiva dorëshkrimet e At Zef Pllumit

 

Ridvan Dibra

Edhe pse ka kaluar një vit nga ikja e At Zef Pllumit, fryma e tij ndihet ende në provincën fra-nçeskane në Shkodër. Për të flitet në çdo kohë, punohet për të e veprat e tij, madje vetë fretërit e provincës, jo vetëm që nuk e kanë harruar, por kanë punuar dhe vazhdojnë të punojë për evidentimin gjithnjë e më shumë të kësaj figure të madhe të kombit shqiptar. Sot mbush një vit ndarje nga jeta At Zef Pllumit, në spitalin "Gemelli" të Romës. Nuk është një humbje që kalohet thjeshtë. Kleriku, historiani, shkrimtari, humanisti, 83-vjeçari, At Zefi, prej kohësh kishte bërë për vete njerëz të ndryshëm, në mosha të ndryshme. I veshur me frakun e zi, tek çapitej aktiviteteve, konferencave, nuk harronte as të përshëndeste, këdo që përballej me të. Pas nxjerrjes nga botimi që në muajin janar të numrit të parë për këtë vit të revistës "Hylli i Dritës", ku i kushtohej e gjitha At Zefit, fretërit e kësaj province po punojnë për grumbullimin e materialeve të ndryshme të lëna në dorëshkrime dhe botimin e tyre.
***
Patër Vitor Demaj që njëkohësisht është edhe personi, i cili merret me bibliotekën e kësaj province si dhe me botimet e saj rrëfehet për gazetën "Panorama", për kujtimet e tij me At Zef Pllumin, për njohjen me të dhe njëkohësisht për përpjekjet e fretërve françeskane në Shkodër për ta kujtuar vazhdimisht një figurë të tillë. Gjatë kësaj kohe sipas Demaj, është punuar për grumbullimin, sistemimin dhe përgatitjen për botim të dorëshkrimeve të veprës më të fundit të At Zefit, e cila titullohet "Saga e fëmijërisë". "Kjo vepër mbeti pa u përfunduar plotësisht, pasi autori vdiq shtatorin e vitit të kaluar", tregon ai. Pas këtij libri studiuesit françeskanë e në mënyrë të veçantë Patër Vitor Demaj është duke punuar për grumbullimin e një sërë materialesh të tjera, të cilat pritet të shohin dritën e botimit. "Këto materiale, vazhdon pohimin e tij Demaj, përfshijnë artikuj të ndryshëm studimorë, një studim madje i kushtohet edhe figurës së Martin Camajt, të cilin At Zefi e kishte quajtur "Maloku i fundit i Letrave shqipe", aty gjenden përshkrime të ngjarjeve të ndryshme, që ka përjetuar autori, opinione për ngjarjeve të ndryshme politike që ka kaluar Shqipëria, probleme sociale, polemika në lidhje me temën e të drejtës së autorit madje këtë të fundit, pohon Demaj, e kemi pas shkruar dhe radhitur në kompjuter që kur At Zefi ishte akoma gjallë". "Të gjitha këto materiale të pabotuara ndonjëherë mendohet të botohen në një libër të vetëm në formë kolazhi me rreth 100 faqe", shton ai.
***
Por çfarë i pëlqente tjetër At Zefit? Padre Vitor Demaj sot e kujton dëshirën e madhe të At Zefit për letërsinë. "Rininë e tij ai e kaloi në bibliotekën e françeskanëve, duke lexuar veprat e kolosëve të letërsisë botërore, si Shekspiri, Balzaku etj., por një fushë tjetër që e tërhiqte At Zefin ishte edhe historia e në mënyrë të veçantë arkeologjia", tregon Demaj, duke shtuar se veç të tjerash ka qenë puna e tij hulumtuese, sensibilizuese dhe shkencore njëkohësisht, që të nxirren në dritë dhe t'i jepet vendi i duhur në historinë e monumenteve kombëtare shqiptare, si ajo e Kishës së Shirqit në breg të Bunës, Kishës së Kepit të Rodonit, Kishës së Rubikut etj. "Gjithashtu, At Zefi i kushtonte një rëndësi të veçantë nxjerrjes nga pluhurat e kohës të dorëshkrimeve të françeskanëve të tjerë, kryesisht vepra të pabotuara të autorëve të tillë si Padre Donat Kurti, Padre Justin Rrota, Padre Marin Sirdari etj., vepra që një nivel të lartë kulturor dhe shkencor", shprehet Demaj. Qëllimi i botimit të këtyre dorëshkrimeve, pohon Demaj, ishte që brezat e sotëm të njihen me këto materiale të vërteta shkencore të shkruara nga njerëz me kulturë të gjithanshme, të gjitha këto vlera të paharruara të At Zef Pllumit. Duke u nisur edhe nga ritet e fesë katolike kanë bërë që një nga kambanat e Kompanjelit të Kishës françeskane në Shkodër t'i kushtohet njëkohësit At Zef Pllumit dhe Nënë Terezës, dy figura këto që për françeskanët e meritojnë një nderim të tillë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›