E Diel, 1 Nëntor 2026

I vdes nëna me dy motra, 14-vjeçarja kurim në Bari

 

KORÇE/ JORGJETA GJANÇI

Një vajzë 14 vjeçe, e cila jetonte në ankth duke numëruar ditët për shkak të një sëmundjeje të pashërueshme në vendin tonë, merr "ok" e mjekësisë italiane për t'i shpëtuar asaj jetën. Lotët e gëzimit nuk ndalen për Sidorela Ha-mitin, e cila u nis dje për një kurim falas në Bari, falë ndërhyrjes së prefektes së Korçës, Elfrida Zefi. Kjo e fundit u prek shumë kur dëgjoi historinë e rrallë e të dhimbshme për familjen Hamiti, në fshatin Orman. Sëmundja e rëndë e azotemisë, (atrofizimi i veshkave) kishte marrë jetën e gruas dhe dy vajzave 18 dhe 16-vjeçare të Nazmi Hamitit brenda një harku kohor prej 6 vjetësh. Të njëjtën sëmundje kishte edhe vajza e fundit e familjes. "Babi, unë i kam ditët e numëruara. Këtu në shtëpi çdo gjë, që prek e shoh, më kujtojnë nënën e motrat dhe e vetmja gjë që mendoj është se edhe unë si ato do të vdes. Kjo ma copëton zemrën. Për mua jeta nuk ka më kuptim". Sidorela bashkë me të atin u endën më kot spitaleve të Korçës dhe Tiranës. Mjekët nuk dhanë shpresa jete as për 14-vjeçaren. Ndërsa kërkesa njerëzore e babait të vajzës, që ta ndihmonin për kurimin e saj jashtë shtetit, ishte shoqëruar veçse me një ngritje supesh dhe keq-ardhje nga ana e mjekëve. Vetëm vajza e madhe e familjes Hamiti, e cila është e martuar dhe jeton në Itali nuk e ka "trashëguar", sëmundjen e rëndë. Ajo pasi ishte konsultuar me mjekët italianë kishte mësuar se sëmundja prej të cilës humbi nënën dhe dy motrat, kurohet në një spital në Bari. Lajmi shërbeu në familjen e saj si një rreze shprese. Nazmiu filloi të trokasë në shumë dyer. I shprehnin keqardhje, i premtonin, por ditët e muajt kalonin e rreziku nga sëmundja e rëndë sa vinte e rritej. Më pas, ai i drejtohet prefektes së Korçës duke shpresuar se mbase ajo si grua e nënë mund t'i gjendej pranë në hallin e madh që kishte. "Erdha dhe e takova prefekten Zefi dhe i tregova gjithë historinë e familjes sime. Pas atij takimi shpresa për ta kuruar vajzën time u shtua. Kam humbur tre nga njerëzit e mi më të dashur prej kësaj sëmundjeje, gruan dhe dy vajza. Prefektja e kuptoi dhimbjen time. Në sytë e asaj gruaje unë pashë lot dhimbjeje. Më tha që do të përpiqej të më ndihmonte. Brenda 10 ditësh na mundësoi vizat për të shkuar në Itali, dhe kurimin falas në spitalin e Barit. Nuk di si do t'ia shpërblej", u shpreh dje Nazmi Hamiti. Atë e priste një makinë e prefekturës, që i kishte vënë në dispozicion vetë prefektja për ta çuar në Durrës, ku më pas do të nisej me traget drejt Barit. Para se të nisej për në Durrës, Sidorela u ndalua dhe përshëndeti prefekten Zefi. Ajo nuk mund të largohej pa falënderuar gruan që i dha shpresë për jetën. Shumë e emocionuar dhe me lot në sy, Sidorela nuk gjen fjalë të përshkruajë gëzimin e lajmit të mirë, të cilën ajo preferon ta përmbledhë me pak fjalë: nuk do vdes. "Kur dëgjova historinë e familjes Hamiti ndjeva dhimbje. I thashë vetes: "Kjo vajzë duhet ndihmuar", u shpreh prefektja. Ajo falënderoi ambasadën italiane, që mundësoi kurimin e vajzës nga sëmundja e rëndë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›