Lirohen dy të rinj, reagon policia
LEZHE - Gjykata e Lezhës la dje në arrest shtëpie Sajmir Ndoin dhe Aleks Dedën. Dy të rinjtë u akuzuan nga Prokuroria për veprat penale të "vrasjes së mbetur në tentativë" dhe "armëmbajtje pa leje". Gjyqtari i kësaj çështje vendosi masën e mësipërme duke argumentuar se, nuk kishte prova të mjaftueshme për mbajtjen në burg të dy të arrestuarve. Pas këtij vendimi, reagoi Prokuroria, e cila theksoi se do të bënte apelimin e tij. Gjithashtu, edhe policia e Lezhës ka reaguar ndaj këtij vendimi. Sipas saj, do të vërë në dijeni ministrin e Drejtësisë dhe atë të Brendshëm, pasi në momentin e arrestimit ata kanë kërcënuar edhe punonjësit e policisë. Ndoi dhe Deda u konfliktuan pak ditë më parë me armë në mes të qytetit. Ata debatuan për vendin e parkimit e pas disa orësh, kur u ndeshën në qytet me makinat e tyre, hapën zjarr ndaj njëri-tjetrit. Pas arrestimit të tyre, policia e Lezhës shpalli në kërkim dhe një të tretë. r.n