E Diel, 1 Nëntor 2026

Menaxheri Pini Zahavi i ofron Realit sulmuesin meksikan Xhovani dos Santos

Pini Zahavi i ka ofruar Realit të Madridit sulmuesin Xhovani dos Santos. Menaxheri i meksikanit ka tentuar të fillojë bisedimet me drejtuesit "merengues", që nga ana e tyre e hodhën poshtë këtë mundësi. Momentalisht Dos Santos është në bisedime me Barcelonën për të rinovuar kontratën, por agjenti i tij nuk ka nguruar të shqyrtojë edhe mundësi të tjera. Por rreziku më i madh për klubin katalan vjen nga Anglia: shumë klube në Premiership kanë treguar interes për talentin që është rritur në ekipet zinxhir të Barcelonës. Zahavi mund të shfrytëzojë njohjet e tij në këtë vend (menaxheri izraelit ka miqësi të ngushtë me pronarin e Çelsit, Roman Abramoviç). Lajmi është bërë i ditur nga e përditshmja spanjolle "Marca", sipas Së cilës ky zë qarkullon prej kohësh në ambientet e Barçës. Xhovani dos Santos është një prej futbollistëve më të mirë të Meksikës dhe në fillim të këtij sezoni ai u afrua në ekipin e parë nga trajneri Frenk Rajkard. Prej muajit gusht 18-vjeçari ka pasur mjaft hapësira në dispozicion dhe paraqitjet e mira nuk kanë munguar, si në ndeshjen e fituar në fushën e Valencias, megjithatë e ardhmja e tij duket në udhëkryq. Zahavi ka lidhje edhe me disa pjesëtarë të bordit drejtues të klubit madrilen, duke qenë se kishte marrë pjesë në bisedimet që i bënë të mundur vitin e kaluar Realit të blinte argjentinasin Higuan. Kjo e ka shtyrë menaxherin që t‘i ofrojë kampionëve të Spanjës futbollistin, por përgjigja ka qenë e prerë: në këto momente madrilenët nuk janë të interesuar për Dos Santos. Ndërkohë, Lionel Mesi ka folur rreth humbjes 1-0 që Barcelona pësoi në shtëpi me Realin. "Ishte tronditëse, por jam optimist", ka deklaruar argjentinasi, që momentalisht është i dëmtuar. Më tej 20-vjeçari ka folur rreth protestës së tifozëve ndaj Ronaldinjos: "Fërshëllimat kundër tij m‘u dukën të padrejta. Ai do të vazhdojë t‘i japë shumë Barcelonës dhe mbetet numri 1 në botë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›