E Diel, 1 Nëntor 2026

Edhe në Lukovë kanë vërejtje për tabelat, por nuk i shkulën

Zyrtarisht, Bashkia e Himarës është treguar e kujdesshme të mos artikulojë kërkesën për vendosjen e tabelave në greqisht në aksin e rrugës kombëtare që kalon në këtë zonë. Në diskutimet me përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, përfaqësuesit e Bashkisë Himarë kanë ngritur pretendimin se tabelat nuk janë korrekte në përcaktimin e emrave të vendeve dhe monumenteve të kulturës.

Një shqetësim i tillë është ngritur edhe nga njësi të tjera të pushtetit vendor, që ndodhen përgjatë aksit rrugor kombëtar nga Orikumi në Butrint. Por asnjë bashki apo komunë tjetër përveç Bashkisë së Himarës nuk ka bërë shkuljen e tabelave turistike-kulturore, që u vendosën gjatë muajve gusht e shtator të vitit të shkuar.

Përgjatë rrugës së Bregdetit të Sarandës, tabelat e sinjalistikës rrugore dhe ato turistike nuk janë prekur, duke mos sjellë asnjë çoroditje në qarkullimin e njerëzve dhe grupeve të interesuara për të njohur këtë pjesë të Rivierës dhe pikat e saj të pelegrinazhit turistik.

Kryetari i Komunës së Lukovës, Vladimir Kumi, thotë se kjo nuk është lejuar të ndodhë, edhe tani, që është duke u kryer investimi madhor i sjelljes së rrugës Sarandë-Qeparo në parametra bashkëkohorë. Sot gjen pjesë kodrinash të rrafshuara për shkak të këtij investimi apo thyerje "hundësh", siç thuhet ndryshe për kthesat e famshme të rrugës së Voloderit, por është i dukshëm kujdesi që është bërë për të mos prekur tabelat që orientojnë shkuarjen në monumente të tilla kulturore siç është manastiri i Kakomesë, plazhi i Shpellës apo Krorëzës, shtëpia-muze e atentatorit nga Piqerasi, Vasil Laçi, Hero i Popullit, apo Kalaja e Borshit.

Kumi thotë se këtu nuk ka ndodhur ajo që është bërë në zonën e Himarës këtu e gjashtë muaj më parë. "Ka një arsye për të mos i pranuar njëqind për qind ashtu siç janë vënë disa prej tabelave, pasi midis tyre ka edhe gabime, por unë nuk kam ndjekur rrugën e shkuljes", shprehet Kumi. Lidhur me rezervat që ai ka për këto tabela, që janë një investim i Ministrisë së Turizmit dhe Ministrisë së Transporteve, i mbështetur nga Banka Botërore, ndalet tek emërtimet e disave prej tyre. Ai thotë se në një prej tabelave në zonën e Lukovës shkruhet "Shpella e Lukovës", duke mos qenë ajo e Lukovës, por duke injoruar shpesh rrugën institucionale, është vendosur në disa raste duke marrë informacion nga njerëz të rastit.

Bollano

Gazeta "Shqip" u përpoq të lidhej me kryetarin e Bashkisë së Himarës, përpara dhe pas botimit të artikullit për tabelat e shkulura nga rrugët e Himarës. Por zoti Bollano nuk iu përgjigj telefonatave dhe mesazheve të lëna nga gazeta

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›