Shkresat që paraprinë shkuljen e tabelave
Urdhri i Bashkisë Himarë
Drejtuar Z.Gramoz /Nr.telef. 06.....
Në bazë të ligjit 8652 "Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor, ligjit 8224 "Për Policinë Bashkiake", ligjit 8405 "Për urbanistikën", ligjit 8992 "Për sistemin e taksave vendore", Ligjit 7501 "Për tokën", Ligjit 7917 "Për livadhet dhe kullotat", Ligjit 7697 "Për kundërvajtjet administrative".
Urdhëroheni që brenda 5 ditëve nga marrja e njoftimit të kryeni heqjen e vendosjes së tabelave në territorin e Bashkisë Himarë dhe në bazë të V.K.B. dt 21.05.2007 policia bashkiake në bazë të Ligjit 8224 bën heqjen e tyre.
Përgjegjës i policisë bashkiake
Aleks DEDI
Sqarimi i njësisë së koordinimit të projektit
Drejtuar: Z.Aleks Dedi, përgjegjës i policisë bashkiake Himarë
I nderuar Z.Dedi
Në lidhje me njoftimin e policisë bashkiake për heqjen e vendosjes së tabelave të sinjalistikës kulturore-turistike në territorin e Bashkisë Himarë, më lejoni t‘ju informoj si vijon:
projekti për sinjalistikën kulturore-turistike (tabelat ngjyrë kafe) është kërkuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si një investim me rëndësi për thithjen dhe orientimin e turistëve në zonën ku vepron projekti ynë. Pas disa takimeve me ekspertë të MPPTT, MTKRS, Drejtorisë së Rrugëve dhe punonjës të Bankës Botërore, u pranua të shihej me përparësi financimi i këtij projekti me interes për të gjithë zonën. Në bisedime me palët për të siguruar 20% të kontributit nga përfituesi, u bë e qartë që përfituesi kryesor do të ishte Drejtoria e Rrugëve (MPPTT) si pronar i rrugëve kombëtare ku është parashikuar të vendoset sinjalistika vertikale.
Sipas Kodit Rrugor, rrugët nacionale dhe sinjalistika ka për ent pronar Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, ndaj dhe vendimet për vendosje ose heqje të tabelave të sinjalistikës kulturore-turistike në rrugë kombëtare merren me miratim nga kjo drejtori. Bashkëlidhur po ju vendosim pjesë (nene) nga Kodi Rrugor në lidhje me çështjen në fjalë.
Ju lutemi vini re vendimin e Këshillit Teknik të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, datë 16.07.2007, që miraton "Projektin e sinjalistikës kulturore-turistike të zonës bregdetare nga Orikumi në Butrint, të paraqitur nga Njësia e Koordinimit të Projektit (PCU)".
Lutemi të konsideroni se ka vetëm pak tabela informuese, të cilat nuk janë në rrugë nacionale, por në objektet e monumenteve të kulturës. Ne besojmë që këto objekte janë në administrim të MTKRS dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës pranë kësaj ministrie ka konfirmuar emrat e këtyre monumenteve të kulturës dhe ka paraqitur përshkrimin përkatës për secilin.
Qoftë tabelat e sinjalistikës vertikale që vendosen në rrugët kombëtare, qoftë tabelat informuese pranë monumenteve të kulturës, janë duke u vendosur përgjatë gjithë zonës bregdetare nga Orikumi në Butrint, sipas projektit të miratuar në MPPTT.
Duke mirëkuptuar interesimin tuaj në këtë çështje, me paraqitjen e sqarimeve të mësipërme, shpresojmë në zhbllokimin e shpejtë të situatës.
Sinqerisht,
Jamarbër Malltezi
Koordinator
*(Gabimet logjike dhe drejtshkrimore në tekst janë të origjinalit)
Sqarimi
Gramozi: Unë jam vetëm importuesi
Gramoz Dalipaj, të cilit i drejtohet urdhri i policisë bashkiake të Himarës për heqjen e tabelave kulturore turistike nga rrugët e Himarës, sqaron se nuk ka asnjë lidhje me zbatimin e projektit në fjalë. Ai është personi që ka porositur dhe ka importuar tabelat sipas kërkesës së bërë nga njësia e koordinimit të projektit, pranë MPPTT. Gjatë një bisede telefonike ai u shpreh: "Unë nuk kam asnjë lidhje me projektin. Unë thjesht kam siguruar tabelat sipas porosisë që ka bërë firma që është marrë me këtë punë. As përgjegjësin e policisë bashkiake të Himarës nuk e njoh. Ata e kanë gjetur emrin tim te tabelat, ku është shkruar me germa të vogla në anën e pasme dhe kanë dërguar atë shkresë, që nuk ka lidhje me mua. Unë as heq e as vë tabela. Unë porosis dhe importoj tabelat të cilat më kërkojnë".