Edhe nje here mbi rezervat e naftes
Kohët e fundit, në median e folur dhe atë vizive, ka pasur shumë prononcime lidhur me deklarimin e përfaqësuesit të një shoqërie amerikane mbi zbulimin e rezervave të reja të naftës dhe gazit, kryesisht në pjesën qendrore e atë veriore të vendit tonë.
Autori i këtij artikulli, falë përvojës 40-vjeçare në fushën e kërkimit, kryesisht të naftës e gazit e pjesërisht dhe në nxjerrjen e saj, i lejon vetes të shprehë opinionin e tij mbi gjendjen e rezervave të naftës e gazit, tashmë të zbuluara, si dhe lidhur me "rezervat e reja".
Deri në vitin 1960, nafta e nxjerrë në vendin tonë lidhej me vendburimet, ku objekti i shfrytëzimit të naftës ishin formacionet ranore (Drashovica, Kuçova, Patosi dhe nga viti 1957, edhe Marinza). Zbulimi i këtyre vendburimeve dhe rezervave përkatëse lidhet me kontributin kryesor të specialistëve të huaj, si italianë, rusë etj. Pas vitit 1960 me zbulimin e rezervave të reja të naftës në objektin e ri të gëlqeroreve (vendburimet Visokë, Gorisht, Kaçul, Ballsh-Hekal dhe Cakran-Mollaj), si dhe me zgjerimin e vendburimeve tashmë të zbuluara në Patos-Marinëz, rezervat e naftës dhe prodhimi përkatës arritën vlerat maksimale. Kështu, prodhimi maksimal arriti në vitin 1974 me 2.3 milionë tonë, kurse rezervat e përgjithshme gjeologjike u llogaritën në 400 milionë tonë. Theksoj, rezervat gjeologjike dhe jo ato të nxjerrshme, sepse rezervat e nxjerrshme përbëjnë një pjesë të atyre gjeologjike. Kjo pjesë është në varësi të tipit të naftës e të teknologjisë të përdorur për nxjerrje. Në kushtet konkrete të tipit të naftave tona, ato janë të rënda, me peshë specifike rreth 0.98 gr/cm3 e me përmbajtje të ulet të karburanteve (benzinë plus gazoil) deri në rreth 25% e me përmbajtje të lartë të lëndëve djegëse e bitumeve mbi 70%. Meqë nuk specialist i fushës në fjalë dhe nuk e njoh teknologjinë e sotme të nxjerrjes së naftës së rëndë e shumë të rëndë, siç është nafta jonë, mund të gaboj kur vlerësoj se këto rezerva të nxjerrshme nuk duhet të përbëjnë mbi 30% të atyre gjeologjike, në rastin më të mirë. Natyrisht, një vlerë mbi 30% do të ishte në favor të sasisë së naftës, që mund të nxirret në sipërfaqe.
Theksoj se zbulimi i rezervave të mësipërme gjeologjike prej 400 milionë tonë dhe nxjerrja deri më sot e një sasie totale prej 30 milionë tonë nga vendburimet dhe rezervat e zbuluara deri në vitin 1980 është meritë tërësisht e specialistëve shqiptarë gjeologë, gjeofizikë, shpues dhe nxjerrës, të cilët në kushte të një ndërtimi të komplikuar gjeologjik e të mundësive teknologjike të aplikuara, kanë mundur t‘i bëjnë realitet ato. Pas vitit 1980, në vendin tonë nuk kemi më zbulime të rezervave të naftës. Në kushtet konkrete të nxjerrjes aktuale të naftës, rreth 600000 tonë në vit, bëhet e qartë se me gjithë rritjen vjetore të mundshme të nxjerrjes se naftës, falë teknologjive të reja të shfrytëzimit të vendburimeve, rezervat e mësipërme të zbuluara do të lejojnë prodhimin e naftës edhe për 60-70 vjet, e ndoshta edhe më shumë.
Rezervat e zbuluara deri në vitin 1980 ishin rezultat i një interesi shumë të lartë në kërkimin e naftës, nga më i larti në botë, duke kuptuar me këtë numrin e studimeve tematike e përgjithësuese gjeologo-gjeofizike, si dhe numrin e metrave linearë të shpuar për kërkimin dhe zbulimin e rezervave të naftës për njësi të sipërfaqes. Deri aty, sa për numrin e studimeve dhe përgjithësimeve natyrisht nuk mund të jepen vlerësime sasiore, por është e sigurt që, për kërkimin dhe zbulimin e vendburimeve janë kryer disa miliona metra linearë shpime. Ky intensitet kaq i lartë kushtëzohej nga kërkesat e një ekonomie shqiptare të mbyllur, të diktuar nga sistemi politik, si dhe nga vetë sipërfaqja e vogël e vendit tonë, e akoma më e vogël, nga sipërfaqja perspektive për kërkimin e naftës e gazit.
Pas vitit 1990, me ndryshimin e sistemit ekonomiko-politik shteti shqiptar nuk mund të investonte në kërkimin e naftës e gazit. Më tej, kompania e naftës "Albpetrol" sh.a, e destinuar për shfrytëzimin e naftës dhe kërkimin e saj, kishte mundësi financiare të merrej vetëm me shfrytëzimin e naftës, pa shpuar kështu pas vitit 1990, asnjë pus për kërkimin e saj. Në këto kushte, me të drejtë, që nga viti 1989 e në vazhdim shteti shqiptar ka ndjekur procesin e licencimit të kompanive të huaja për kërkimin e naftës dhe gazit. Kështu, fillimisht u licencua kërkimi në det në 5 blloqe për shoqëritë e huaja, si ‘Deminkes‘ (gjermane), ‘OMV‘ (austriake), ‘AGIP‘ (Italiane) ‘OCIDENTAL‘, ‘CHEVRON‘ (amerikane) dhe ‘HAMILTON‘ (australiane). Më vonë, në vitin 1992, u licencuan shoqëri të tjera për kërkimin në tokë, si ‘SHELL‘ (holandeze), ‘INANAFTAPLIN‘ (kroate) dhe ‘COPAREX‘ (franceze). Pas vitit 1995 u zgjeruan blloqet e kërkimit në tokë me licencimin e kompanive të tjera. Të gjitha shoqëritë e huaja, prej vitit 1990 e deri më 2005 kanë mbuluar pjesën detare të Shqipërisë, si dhe rreth 20000 km2 të pjesës tokësore, pra rreth 70% të territorit tonë. Gjatë kësaj kohe, nga shoqëritë e huaja janë kryer punime komplekse gjeologo-gjeofizike dhe janë shpuar 12 puse kërkimi (6 në tokë dhe 6 në det), madje edhe në thellësi mbi 5000 metra e duke shpenzuar disa qindra milionë dollarë. Me gjithë punimet dhe shpimet e kryera pas vitit 1990 në territorin e vendit tonë nuk u zbuluan rezerva të reja nafte e gazi, fakt që flet për një risk relativisht të lartë në kërkimin e naftës dhe gazit.
Befas, në këtë situatë, moszbulimi i rezervave të reja nga shoqëritë e huaja të licencuara për kërkim, publiku shqiptar informohet, si nga vetë shoqëria amerikane, ashtu edhe nga vetë shteti shqiptar nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Energjisë mbi zbulimin e rezervave të reja të naftës dhe gazit, veçanërisht në pjesën qendrore e veriore të Shqipërisë. Dhe që për nga sasia përkojnë me ato të zbuluara deri në vitin 1980 (3 miliardë barila përbëjnë afërsisht 400 milionë tonë), por nuk përkojnë me vendndodhjen e tyre, e cila siç theksuam me lart, lidhet me pjesën qendrore e veriore të vendit tonë. Kurse rezervat e zbuluara deri në vitin 1980 lidhen kryesisht me pjesën jugore të vendit. Pa dashur të absolutizoj mendimin tim në vlerësimin e rezervave të deklaruar nga shoqëria e huaj dhe Agjencia Kombëtare e Energjisë, si dhe për vetë faktin që vlerësimet gjeologjike për vetë shkencën e gjeologjisë kanë pasiguri të mëdha kur nuk janë vërtetuar.
Pjesa qendrore dhe veçanërisht ajo veriore e vendit tonë, për vetë ndërtimin gjeologjik, ku rezervuarët karbonatikë të mundshëm të naftës dalin në sipërfaqe në pjesën më të madhe të territorit, ku rajoni karakterizohet nga një aktivitet i theksuar magmatik në kohë gjeologjike, ku relievi shumë i thyer rrit jashtëzakonisht shumë koston e shpimeve të mundshme, vlerësohet me risk shumë të lartë për gjetjen e rezervave të naftës e të gazit. Vlerësimi i kryer nga Agjencia Kombëtare e Energjisë, për fat të keq nuk shoqërohet me sqarime të natyrës teknike dhe mbi ç‘bazë studimore është arritur ky vlerësim. Uroj të kem gabuar në vlerësimin e "rezervave të reja" të zbuluara, veçanërisht në pjesën veriore të vendit tonë, pasi zbulimi i tyre do të përbënte një risi për Shqipërinë dhe menaxhimi i mirë i tyre nga shteti do t‘i sillte dobi të madhe ekonomisë shqiptare.