E Diel, 1 Nëntor 2026

Taksimi proporcional apo progresiv?

Ekonomia e një vendi në tranzicion, sidomos kur kalohet nga komunizëm në pluralizëm, mund të ndikohet nga shumë politika me karaktere dhe burime të ndryshme. Por në thelb, dhe në mënyrë të përmbledhur, dy janë politikat ekonomike nën kontrollin intelektual të qeverive apo institucioneve të pavarura prej tyre. Këto janë politikat fiskale, me anë të të cilave qeveria mund të imponojë masa lehtësuese ose shtrënguese në treg dhe politikat monetare, me anë të të cilave Banka e Shqipërisë përpiqet të mbajë nën kontroll presionet inflacioniste dhe qëndrueshmërinë e zhvillimit ekonomik në vend. Kuptohet vetvetiu se historia ekonomike e Shqipërisë mund të ketë fare mirë dy narratorë të pavarur institucionalisht nga njëri-tjetri. Për këtë arsye nuk duhet të çudisë askënd dualiteti i versioneve.

Treguesit e gjerë makroekonomikë të ofruar nga Banka e Shqipërisë dhe nga institucionet e përpunimit të të dhënave japin një tablo pozitive mbi gjendjen e ekonomisë në të tashmen dhe për parashikimet për dy muajt në vazhdim. Në fakt, pavarësisht efektshmërisë së pjesshme të ndërhyrjeve ekonomike të Bankës së Shqipërisë, politikat e saj madhore monetare duket se kanë evituar luhatje të skajshme të tregut në përgjithësi. Nga ana tjetër, politikat fiskale nuk janë domosdoshmërisht në nivelin e duhur të aktivitetit të tyre ndikues mbi zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.

Shpesh, këto dy politika janë parë si politika përplotësuese të njëra-tjetrës dhe prandaj lind nevoja që të jenë në të njëjtin nivel efektshmërie. Makroekonomistët kanë arritur gjerësisht në përfundimin se organet qendrore bankare të vendeve të ndryshme mund të bëjnë punë të shkëlqyer në menaxhimin ekonomik kombëtar vetëm nëse forca të jashtme negative, që nuk mund të faktorizohen si variabla ekonomik, nuk ndërhyjnë në treg. Një shembull i këtyre forcave mund të jetë niveli i lartë i ekonomisë informale, shuma e të cilës është e konsiderueshme për të prishur harmoninë e politikave monetare. Por më të prekshme akoma janë politikat fiskale, shembull klasik i të cilave janë sistemet e tatimeve.

Për shkak se ato i aplikohen një treguesi konkret ekonomik siç është niveli i të ardhurave, konsumatorët (individë ose korporata) e ndiejnë në mënyrë të prekshme ndikimin e ndryshimit të sistemit taksor. Në këto raste lind nevoja për një diskutim informativ dhe kritik të këtyre ndryshimeve në sensin makroekonomik. Shpesh është diskutuar mbi të mirat dhe pengesat që sjell zbatimi i taksës së sheshtë (e quajtur ndryshe proporcionale) në krahasim me taksimin progresiv.

Argumenti më i fortë mbrojtës për aplikimin e taksës së sheshtë është se sistemi në vetvete predikon barazinë duke qenë se çdo nivel të ardhurash nga çdo burim do të taksohet njëlloj. Për vetë konceptin teorik të organizimit të taksimit të sheshtë, ky argument nuk është lehtësisht i kundërshtueshëm. Gjithashtu, një tjetër argument i rëndësishëm pro taksimit proporcional është cilësia e të qenit i thjeshtë në llogaritje, dhe me kosto të ulët administrative në sajë të mungesës së burokracive shtetërore.

Mbi këtë të fundit, për vitet 2003-2008, Banka Botërore ka përllogaritur se një organizatë fitimprurëse në Shqipëri i duhen mesatarisht 96 orë në vit për të bërë gati dhe paguar detyrimet tatimore nën sistemin progresiv. Nëse aplikohet taksa e sheshtë, potenciali i uljes së kësaj kohe është i madh. Për rastin e vendit tonë, ku një pjesë e bizneseve taksohen proporcionalisht, dhe pjesa tjetër jo, thjeshtësia e sistemit tatimor bie poshtë.

Në vazhdim, ky lloj sistemi taksimi mund të aplikohet në ato grupe ekonomike brenda të cilëve nuk ka luhatje të mëdha në nivelin e të ardhurave vjetore. E shkuara jonë politike ka lënë një mosbarazi ekonomike të trashëguar. Në Shqipëri, bizneset e vogla dhe të mesme të cilëve i aplikohet kjo taksë, variojnë skajshmërisht nga njëri-tjetri në terma të ardhurash. Ligjërisht, ndërmarrje e madhe ose e vogël quhet çdo organizëm fitimprurës me të ardhura vjetore deri në 80 milionë lek. Mbi këtë prag, ky organizëm quhet biznes i madh dhe bëhet subjekt i taksimit progresiv. Kuptohet vetvetiu se është në interesin ekonomik të firmave të regjistrohen si biznese të vogla dhe të mesme, pavarësisht madhësisë reale të kapitalit të tyre. Kjo do të pasqyronte në mënyrë të gabuar gjendjen e biznesit në Shqipëri, dhe do të rriste tej mase përpjekjet për korrupsion dhe evazion fiskal, gjë që do të shkonte ndesh me qëllimin e reformave në sistemin fiskal shqiptar.

Nga ana tjetër, nëse ekziston një ndryshueshmëri e madhe në të ardhurat e një grupi të caktuar fitimprurës, atëherë bie poshtë edhe argumenti për predikimin e barazisë nga sistemi i taksimit proporcional. Për këtë të fundit shpesh është menduar se duke krijuar lehtësi adiministrative dhe fiskale, inkurajohet zhvillimi ekonomik dhe tërhiqen investime të huaja. Kjo teori në të vërtetë nuk është vërtetuar ndonjëherë, sepse statistikisht nuk mund të paraqitet ndonjë model ekonometrik efikas që të mund të nxjerrë përfundime mbi këtë temë. Por ç‘ka kemi në dorë mbi këtë argument të fundit pro taksës së sheshtë janë shembuj të vendeve postkomuniste të rajonit euro-aziatik, veçanërisht: Estonia, Letonia, Lituania, Rusia, Ukraina, Rumania dhe Sllovakia. Tri vendet e para balltike filluan të aplikonin taksën e sheshtë që në vitin 1994, përkatësisht në masën 24%, 25%, 33%. Ndërsa në 2001, Rusia filloi të tatonte të ardhurat personale në masën 13%, e ndjekur nga Ukraina në vitin 2003. Sllovakia dhe Rumania filluan të taksonin të ardhurat personale dhe të biznesit përkatësisht në masën 19% dhe 16%, në vitet 2004 dhe 2005.

Vendet e përmendura më sipër kanë qenë objekt i rritjeve të mëdha ekonomike gjatë viteve të fundit, por shpesh e më shpesh po vërtetohet se taksimi i sheshtë ka luajtur dhe po luan rol çdo herë e me të vogël, pavarësisht argumenteve teorike që e mbështesin atë. Varfëria në Lituani vazhdon të mbetet e lartë, me nivel të ulët pagash dhe standard jetese pak të përparuar. Në Rusi, prodhimi i përgjithshëm bruto dhe rritja e të ardhurave tatimore, që përkoi me kohën kur filloi të aplikohej taksa e sheshtë, nuk i detyrohej reformës fiskale, por rritjes së menjëhershme të çmimit të naftës, të nivelit të pagave dhe luftës së ashpër kundër evazionit fiskal. Ndërsa në Estoni është vërejtur se rritja e konsiderueshme e të ardhurave nga taksat vjen si rezultat i rritjes jo proporcionale të të ardhurave nga TVSH-ja. Duke qenë se periudha postkomuniste i gjeti këto vende në varfëri të skajshme, mendohet se futja në punë e taksimit të sheshtë ndihmoi vetëm shtresën e lartë të popullsisë, duke bërë që deficiti tatimor të mbulohej nga shtresat më të varfra. Meqenëse mungonte potenciali monetar për ta bërë diçka të tillë, zhvillimi ekonomik u cungua gjerësisht.

Nuk është e frytshme të aplikosh një sistem të thjeshtë financiaro-fiskal siç është taksimi proporcional, në një botë ekonomike kaq komplekse të cilës po i shtohet karakteri global sekondë pas sekonde. I tillë është sistemi progresiv i taksimit: kompleks. Por kjo veti e tij thjesht pasqyron sistemin financiar mbi të cilin punon ekonomia botërore sot. Në të vërtetë, kompleksiteti i këtij sistemi qëndron në përllogaritjen e të ardhurave dhe burimeve të ndryshme që ligjërisht i përkasin kategorive të ndryshme, dhe jo nga kompleksiteti i procesit të taksimit. Mbi të gjitha, në sistemin progresiv, individët apo ndërmarrjet me të ardhura të mëdha vjetore mund të përballojnë punësimin e profesionistëve dhe analistëve financiarë, të cilët minimizojnë detyrimet tatimore deri në limit.

Por argumenti më i fortë pro sistemit progresiv të taksimit merr një formë makroekonomike. Ky sistem funksionon si stabilizator automatik në rast se ekonomia në vend zhvillohet tej mase (duke rritur probabilitetin për presione inflacionsite), apo ngadalësohet (duke rritur probabilitetin për recesion). Ka marrë cilësimin "stabilizator automatik" i ekonomisë, sepse mekanizmi mbi të cilin funksionon nuk kërkon ndërhyrje nga faktorë të jashtëm si bankat qendrore me politika monetare, apo qeveritë me politika fiskale.

Në momentin që të ardhurat tatimore dhe shpenzimet qeveritare nuk janë në ekuilibër, krijohet mundësia për deficit ose tepricë të ardhurash në buxhetin shtetëror. Mënyra se si vjen ky dizekuilibrim është nëpërmjet rënies apo rritjes së prodhimit të përgjithshëm bruto. Rasti i parë (rënia e PBB-së) do të thotë se gjenerohen më pak të ardhura si pasojë e prodhimit më të ulët të mallrave dhe shërbimeve. Nën një sistem tatimi progresiv, më pak të ardhura do të tatoheshin me një përqindje më të vogël, duke i lënë konsumatorëve më shumë para në dispozicion për shpenzime shtëpiake dhe më pak për taksa. Pra kemi një ekonomi në rënie dhe konsumatorë të gatshëm të shpenzojnë, gjë që do të rikthejë ekonominë automatikisht në gjendjen e mëparshme dhe në eliminimin e mundësisë së recesionit. Ajo që duhet vërejtur është se e gjithë kjo mund të arrihet pa ndërhyrje të jashtme në treg. E kundërta e kësaj logjike është gjithashtu e vërtetë. Kur prodhimi i përgjithshëm bruto rritet tej mase do të thotë se gjenerohen më shumë të ardhura, tatimi mbi të cilat do jetë i një përqindjeje më të lartë. Duke qenë se tashmë konsumatorët paguajnë një përqindje më të madhe taksash nga të ardhurat e tyre, i ngelen më pak para për t‘u shpenzuar jashtë sistemit bankar. Në momentin që konsumatorët refuzojnë të shpenzojnë më shumë se ç‘munden, ndodh kontraktimi i ekonomisë në mënyrë automatike, gjë që ul presionet inflacioniste. Përsëri, rezultati i rastit të dytë u arrit pa ndërhyrje të jashtme nga Banka Qendrore apo qeveria.

Përkundrazi, sistemi i tatimit të sheshtë (ose proporcional) nuk mund ta ketë këtë funksion. Madje, në momente të deficitit buxhetor, taksa e sheshtë shndërrohet në një instrument të rrezikshëm. Kjo sepse, nëse qeveria planifikon të rrisë shpenzimet qeveritare, në pamundësi për të rritur të ardhurat tatimore tashmë për shkak të taksës së sheshtë, thellon edhe më tej deficitin buxhetor. Kjo do ta lërë rrugën e hapur për të dëshiruar kreditim me terma më pak të leverdishëm dhe në uljen e besueshmërisë të investitorëve të huaj dhe sipërmarrësve vendas në sistemin financiar shqiptar.

Rrjedhimisht, kur arrin të peshosh argumentet për secilin sistem tatimor, duket qartë se ekonomia filizë e Shqipërisë nuk është ende gati për një masë financiare "dembele" siç është taksa e sheshtë. Ajo që rekomandohet është shfrytëzimi me efikas i burimeve ekzistuese. Efikasiteti në këtë fushë merr shumë kuptime dhe ndër to mund të jenë: informatizimi i sistemit tatimor shqiptar me qëllim uljen e kohës së përpunimit të të dhënave, ulja e burokracive procedurale për të minimizuar evazionin fiskal dhe pasqyrimin real të gjendjes së biznesit në vend, harmonizimi i paketave ligjore me politikat dhe masat fiskale qeveritare, përpunimi periodik i të dhënave tatimore nëpër kompani për të ulur amullinë dhe ngarkesën në sistem në fund të vitit dhe më në fund, rritja e efektshmërisë së personelit në administratën fiskale me anë të promovimit profesional. Kështu do të mund të ngrihet një sistem ekonomik i shëndetshëm që bazohet në eficencën e përdorimit të burimeve të tij kapitale dhe që përfshin në mënyrë të gjithanshme të gjithë vepruesit aktivë të një ekonomie të lirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›