Gjyqtarët, në qendër të kontestimeve
Penalltia e dhënë në favor të Interit në sfidën me Empolin ishte inekzistente, ashtu sikurse edhe 11-metërshi që kishte si protagonist Fernando Kouton në takimin Inter-Parma. Ndërkohë, penalltia e humbur nga Lukareli në sfidën Parma-Atalanta, duhej të ishte përsëritur. Dizajnatori i gjyqtarëve në kampionatin italian, Pierluixhi Kolina, ka analizuar episodet më të kontenstuara të së dielës, duke shpjeguar sipas rregullores gabimet e radhës të bëra (me ose pa dashje) nga "xhaketat e zeza". Edhe pas "Calciopolit", gjyqtarët vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes, madje në disa media është hedhur ideja që pas ndeshjeve vetëm "bilbilat" të dalin në konferencë për të shpjeguar gabimet që kanë bërë. "Rreth daljes së arbitrave përpara mediave pas ndeshjes, ka thënë Kolina, sektori i gjyqtarëve është gjithmonë i disponueshëm për sugjerime të cilat do të ndihmojnë në evitimin e episodeve të pakëndshme. Gjithsesi, nevojitet që për këtë çështje të krijohet një kod, por kjo nuk varet nga gjyqtarët. Momenti kur akordohet një 11-metërsh është i sqaruar: nëse topi më parë përplaset në një pjesë të trupit dhe më pas në dorë, faulli konsiderohet i pavullnetshëm. Ndërhyrja me dorë e Koutos në takimin Inter-Parma nuk duhej të ndëshkohej me penallti. Penalltia e Interit nuk duhej të jepej as në ndeshjen e së dielës me Empolin, për rregullin që sapo shpjegova. Arbitri ka sanksionuar diçka që ishte plotësisht jashtë realitetit; edhe po të kishte pasur prekje me dorë, ajo duhej të ishte konsideruar si e pavullnetshme. Penalltia e parë e Parmës u përsërit me të drejtë, por duhej të përsëritej edhe ekzekutimi i dytë. Gjithsesi, duhet të kemi parasysh se nga ana psikologjike është shumë e vështirë që penalltia të përsëritet tri herë".