E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Rama ngushëllon familjen Doga

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka shprehur dje ngushëllimet familjes së minatorit Sami Doga, i cili u nda nga jeta, pas dëmtimit në një aksident në minierën e kromit, në Bulqizë. Edhe më herët, Edi Rama dhe grupi parlamentar i Partisë Socialiste kanë shprehur shqetësimin për kushtet e vështira në të cilat punojnë minatorët në minierën e Bulqizës. Në njoftimin e zyrës së shtypit të PS-së, thuhet se Edi Rama dhe gjithë socialistët e Shqipërisë ndiejnë hidhërim për të gjithë jetët e humbura, që vriten nga dora e shtetit. Një dorë jo e shtrirë drejt njerëzve, por e shtrirë drejt korrupsionit. Partia Socialiste shpreh edhe njëherë nevojën që ka vendi sot për një politikë të re, që sheh nga njerëzit, për të bërë të mundur mbylljen e kësaj serie të frikshme tragjedish në minierën e Bulqizës, në këtë shpellë të vdekjes, ku ata që hyjnë nuk e kanë të sigurt daljen. Duke u bashkuar me dhimbjen e familjes së minatorit të ndjerë, Edi Rama kujton jo vetëm tre jetimët që ai la pas, por edhe fëmijët e minatorëve të tjerë, të cilët kanë humbur jetën tragjikisht nëpër galeritë e minierës, familjet e të cilëve, edhe pse iu premtua ndihmë ekonomike nga shteti, vazhdojnë të vuajnë mizerjen ku i ka zhytur humbja e kryefamiljarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›