Qendrat polici-komunitet, s‘po punojnë me kapacitet
"Ndryshe nga pritshmëria jonë, qendrat polici-komunitet nuk po punojnë në kapacitet të plotë". Shqetësimit të ngritur nga "Shqip" dy ditë më parë lidhur me mosfunksionimin e qendrës për policimin në komunitet, i është përgjigjur eksperti kombëtar i projektit "Mbështetje e reformave në sektorin e sigurisë" të PNUD-it. Robert Korkuti ka thënë dje se "fjala mosfunksionim nuk është fjala e saktë" për qendrën që është ngritur me financimin e PNUD-it, por nuk ka shprehur një lloj zhgënjimi për nivelin e aktivitetit që zhvillohet në këto qendra. Sipas tij, synimi i projektit ka qenë të sillte policinë te publiku, duke ndikuar në rritjen e sigurisë nëpërmjet këtij bashkëpunimi. Në vendet e Evropës Perëndimore, kjo lloj marrëdhënieje është prej vitesh një sistem pune, ndërsa në Shqipëri duke qenë një filozofi e re për policinë, ka ende mjaft vështirësi në zbatim.
Cili ka qenë synimi i projektit të PNUD-it për policimin në komunitet?
Synimi i këtij projekti ka qenë të sillte policinë te publiku. T‘i afrojë të dy këta partnerë kryesorë të vendosjes së rendit dhe qetësisë publike në Shqipëri, me qëllim që të konsolidojë mjedisin demokratik të vendit dhe të përmirësojë cilësinë e jetës në komunitetet përkatëse. Kuptohet që këto janë projekte pilot dhe si të tilla kërkojnë që të vlerësohen dhe me cilësinë e pilotimit të mbështeten dhe të shumëfishohen nga autoritetet lokale.
Çfarë është bërë konkretisht gjatë projektit në këto 10 qytete?
Të shpjegosh me pak fjalë se çfarë kemi bërë është e vështirë. Sidoqoftë është një trekëndësh që përbën thelbin e punës sonë dhe ky trekëndësh ka të bëjë me policinë, me anëtarë të zgjedhur të komunitetit dhe me pushtetin lokal. Puna me policinë është një komponent i rëndësishëm i projektit, që është përqendruar në sensibilizimin, përmirësimin e imazhit të saj edhe trajnimin me këtë filozofi të re të policimit. Në drejtim të komunitetit, ne kemi nxitur krijimin e komuniteteve, sepse dihet që në Shqipërinë postkomuniste, me lëvizjet e mëdha urbane që janë bërë, komunitetet e vjetra janë prishur, dhe si të tilla kanë pasur nevojë të stimulohen për t‘u organizuar. Sepse vetë fjala komunitet shpreh një shkallë organizimi që ndryshon nga publiku ose populli, pra është forma më e lartë e organizimit të banorëve të një zone të caktuar. Komponenti i tretë ka qenë dhe vazhdon të jetë pushteti lokal, si një pjesë e rëndësishme e projektit, në logjikën që ky bashkëpunim i komunitetit me policinë të gjejë mbështetjen e pushtetit vendor, në mënyrë që në të ardhmen këto përvoja të nxiten dhe të përhapen edhe më tej nga autoritetet lokale.
Po për sa i përket anës financiare? Ju keni hapur disa qendra të policimit në komunitet. Sa është investuar në kuadër të këtij projekti?
Krahas anës teorike që përmenda më lart, PNUD-i ka investuar edhe në infrastrukturë, për të krijuar kushtet që anëtarët e zgjedhur të komunitetit dhe punonjësit e policisë që më së shumti janë inspektorët e rendit në zona, të kenë mundësi të mblidhen, të diskutojnë, të ndajnë problemet në mënyrë pro aktive dhe njëkohësisht të gjejnë zgjidhje që kanë të bëjnë siç thashë me përmirësimin e cilësisë së jetës në komunitet. Faza e parë, kishte të bënte me zgjedhjen e anëtarëve të komunitetit që do të bënin pjesë në këto grupe pune. Ne i bëmë thirrje të gjithë komunitetit që të marrë pjesë në një mbledhje të hapur. Ata vetë zgjodhën përfaqësuesit më të përkushtuar për t‘i përfaqësuar. Më pas, inspektori i policisë së rendit, me grupin e punës së komunitetit, patën mundësinë që këto ambiente për të cilat PNUD-i kishte investuar, t‘i përdornin për t‘i mbledhur dhe për të diskutuar e gjetur zgjidhje për problemet lokale që i shqetësonin reciprokisht.
Hapi i parë ka qenë përcaktimi i emergjencave. Në këtë kuptim në shumicën e zonave pilot, prioritare, anëtarët e komunitetit gjetën ndriçimin e rrugicave dhe ambienteve pranë zonave të banuara, të cilat si rezultat i errësirës që mbretëronte në to në orët e mbrëmjes ishin burim kriminaliteti. Me zgjedhjen e këtij prioriteti, nga ana e projektit u financua ndriçimi i këtyre rrugicave dhe ambienteve të tjera. Sigurisht nuk u bë gjithçka vetëm nga projekti, por në bashkëpunim të plotë me anëtarët e komunitetit. Domethënë anëtarët e komunitetit investuan gjithashtu shuma modeste monetare, por njëkohësisht edhe pushteti lokal u bë pjesë e këtij partneriteti. Kështu që kjo ishte si të thuash nisma e parë, ose rezultantja e parë e këtij bashkëpunimi i cili vazhdoi pastaj më pas me diskutime të tjera, me zgjidhje të tjera problemesh, të cilat siç thashë kanë të bëjnë me fushën e sigurisë publike.
Nga vëzhgimet e bëra nga gazeta "Shqip" ka rezultuar se Zyra për Policimin në komunitet në Tiranë nuk ka funksionuar për një kohë të gjatë. Ju a keni informacion se si funksionojë këto qendra që projekti juaj ka hapur, pasi ato i dorëzohen policisë?
Fjala mosfunksionim nuk është fjala e saktë. Do të thosha që ndryshe nga pritshmëria jonë, ato nuk po punojnë në kapacitet të plotë. Kuptohet që duke qenë një filozofi e re, duke qenë një projekt pilot, ky do ketë vështirësitë e veta, sfidat e veta. Ne presim që zyra e komunitetit dhe policisë, që përbëhet nga dy ambiente, njëra për anëtarët e zgjedhur të komunitetit dhe tjetra për punonjësit e policisë, të jetë në aktivitet të plotë gjatë gjithë ditës. Faktikisht, inspektori i rendit në këtë zyrë qëndron aq sa mund të qëndrojë, pasi ai ka edhe detyra të tjera, po kështu edhe zyra e komunitetit qëndron e hapur, sërish në një kohë të kufizuar. Ajo që do të donim ne është që kjo zyrë të jetë "non stop" e hapur. Pra të jetë më aktive. Pra kjo është ajo çka po ndodh në këtë zyrë. Aty po operohet, aty njerëzit e komunitetit e shikojnë që diçka po lëviz, po e shikojnë me kureshtje. Një pjesë janë afruar, një pjesë tjetër hezitojnë dhe këtu ndikon edhe mentaliteti i vjetër i bashkëpunimit të policisë me komunitetin. Por sidoqoftë, këto janë sfidat dhe unë jam optimist që me kalimin e kohës ky ambient i përbashkët do ta gjejë veten, do të bëhet vërtetë një qendër e komunikimit të policisë me komunitetin, një qendër e parandalimit të krimit, një qendër që do t‘i shërbejë rritjes cilësore të sigurisë në komunitet, përfshirë këtu shumë elementë si dhunën në familje, përfshirë konfliktet për pronësinë, të cilat mund të them se janë nga shqetësimet kryesore të komuniteteve në Shqipëri.