E Hënë, 2 Nëntor 2026

Minatorët denoncojnë deputetin për afera

Në mjaft galeri, si dhe në stoqet e mineralit të kromit, në Minierën e Bulqizës, ka nisur vjedhja e hapur e këtij minerali. Këtë e kanë konfirmuar për "Shqip", drejtuesit e sindikatës së kësaj miniere, të cilët janë mjaft të shqetësuar për atë që po ngjet këto ditë në minierë. Drejtuesit e sindikatës së minierës së kromit denoncojnë shitjen e paligjshme, sipas tyre, të galerive në "Zonën D" dhe "Pusit nr 1", ku ata që do të përfitojnë nga këto shitje, duket se do të jenë përsëri "të fortët" e Bulqizës. Kështu ata pretendojnë se janë duke u shitur në mënyrë të jashtëligjshme galeritë 29 dhe 53, në "Zonën D", ku është punuar në vazhdimësi për mbushjen e furnelave të tyre me krom. "Në këto privatizime të jashtëligjshme ka dorë edhe deputeti i zonës tonë, Sali Shehu, që ndërhyn në Tiranë pranë "Albkromit" dhe Ministrisë së Ekonomisë, për t‘ua dhënë këto galeri në pronësi miqve dhe shokëve, që ndihmuan në zgjedhjen e tij për deputet", thotë kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Dilaver Përkoxha. "Ne protestojmë për këtë padrejtësi, ku nga ky lloj privatizimi i jashtëligjshëm, mbeten pa punë 70 minatorë të "Zonës D", gjë për të cilën kërkojmë ndërhyrjen e kontrollit të shtetit, për zbardhjen e së vërtetës në këtë drejtim", thotë kryesindikalisti i minierës. Kjo është hera e parë, kur minatorët e Bulqizës ngrenë zërin për vjedhje brenda minierës, ndërsa deri tani denoncimi më shqetësues ka qenë ai për shfrytëzimin e jashtëligjshëm të mbledhjes së mineralit në stoqet e kromit, që filloi nga muaji maj i këtij viti, pas anulimit të një ankandi organizuar nga "Albkromi" për privatizimin e tyre. Një numër i konsiderueshëm banorësh të varfër të këtij qyteti, në verilindje të vendit, përfshirë në shumicë edhe gra, fëmijë dhe pensionistë, iu sulën malit artificial krijuar me hedhurinat ndër vite, nga puna në minierë, për të fituar pak lekë, për sigurimin e bukës së gojës. Por këta hallexhinj, në përpjekje për mbijetesë, rrezikuan seriozisht jetën, pasi shembja e gurëve nga skarpatet e pjerrëta të këtyre stoqeve, ishte permanente. Dhe aksidentet nuk munguan, ku më i rëndi u regjistrua në fillim të muajit nëntor, ku nga rrëshqitja e gurëve, u mbulua tërësisht trupi i 12-vjeçarit, Ledian Fiku, nxënës shkolle në klasën e gjashtë, që fatmirësisht shpëtoi për mrekulli. Puna në stoqe nxiti dukshëm interesin e individëve dhe grupeve të caktuara, nga ata që me të drejtë cilësohen si "të fortët" e Bulqizës, për ndarjen e malit të stokut në parcela të veçanta, ku një kilogram krom i mbledhur nga këta hallexhinj blihej prej tyre me 5 lekë dhe shitej me 25-30 lekë. Për rrjedhojë të përplasjeve mes "të fortëve", u bënë edhe akuzat e ndërsjella mes institucioneve vendore, të cilat akuzuan reciprokisht njëra-tjetrën për shfrytëzimin e jashtëligjshëm të këtyre stoqeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›