Vdes minatori, i pesti për 2007-ën
Ka mbyllur sytë për gjithnjë minatori i aksidentuar të premten e javës që shkoi, gjatë punës në minierën e nxjerrjes së kromit. Sami Doga, 45 vjeç, ishte duke punuar për armatimin e një galerie, së bashku me tre minatorë të tjerë, në pusin nr.2, niveli i 16-të, rreth 1000 metra nën tokë, kur një masë e madhe shkëmbi është shkëputur nga tavani i galerisë, duke e zënë nën vete atë. Plagosja ishte shumë e rëndë, ndaj është kërkuar prej mjekëve të Spitalit të Bulqizës ardhja e helikopterit dhe dërgimi i tij në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Në spitalin e Bulqizës, aktualisht nuk punon asnjë mjek specialist, edhe pse prezenca e tyre për faktin e punës në minierë, ku aksidentet mund të ndodhin në çdo moment, është e domosdoshme.
Mjekët specialistë të Spitalit Ushtarak të Tiranës, konstatuan se plagosja e minatorit ishte tepër e rëndë dhe për asnjë moment ata nuk garantuan daljen e tij jashtë rrezikut për jetën. Madje u diskutua edhe për nxjerrjen e të aksidentuarit jashtë shtetit, në klinika mjekësore më të specializuara, për të garantuar jetën e tij, por gjendja shëndetësore e tij nuk premtonte për një lëvizje të tillë, gjë për të cilën asnjë nga mjekët specialistë nuk jepte garanci. Në të tilla kushte, i aksidentuari iu nënshtrua tre operacioneve mjaft të vështira. Të afërmit e tij konfirmojnë se ai mundi t‘u rezistonte dy operacioneve të para, por jo të tretit, pasi ishte tepër i dobët për t‘u rezistuar tre operimeve të njëkohshme.
Kështu të shtunën, rreth orës 20:30, Sami Doga, 45 vjeç, mbylli përfundimisht sytë, në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Ai nuk mundi t‘i shpëtonte "kapriçios" së galerisë, e cila edhe një vit më parë e kishte aksidentuar atë dhe po në të njëjtin nivel. Dhe para gati një viti, kur dhe ndodhi aksidenti i parë, i ndjeri ishte kuruar plot për tre muaj, po në Spitalin Ushtarak në kryeqytet. Dhe sapo mbaroi raportin mjekësor, para rreth një muaji, ai i është kthyer përsëri galerisë "kapriçioze" për ta bërë atë të sigurt për minatorët, duke mundësuar kështu marrjen e kromit prej saj. Shokë të tij minatorë, që nuk duan të identifikohen, thonë për "Shqip", se pas aksidentit të parë, ai nuk deshi t‘i rikthehej më galerisë, por duke parë edhe shëndetin e dobët të tij, kërkoi një punë më të lehtë, gjë që nuk iu mundësua nga administrata e ndërmarrjes. Firma e huaj, thonë ata, vetëm kërkon të marrë sa më shumë krom, ndërsa ne vritemi.
Që nga privatizimi i minierës, më 1 korrik të vitit 2001, firma e huaj ka punuar vetëm me pikësynimin për të marrë mineral sa më shumë, duke mos bërë asnjë lloj investimi për plotësimin e kushteve të sigurisë në punë. Dhe gjatë këtij viti, në më pak se tre muaj ndodhën 4 aksidente me humbje jete për minatorët. Kjo e detyroi ministrin e Ekonomisë, Genc Ruli, që të lëshonte urdhrin për mbylljen e minierës, deri në plotësim të kushteve. Por ende pa filluar mirë puna për prodhimin e mineralit, plas aksidenti i fundit, që i mori jetën 45-vjeçarit Sami Doga.
Shtëpia e tij, në lagjen "Tezall" të Fushë-Bulqizës, vetëm 7 kilometra larg qytetit, e cila ndodhet rreth 500 metra në të majtë të rrugës nacionale Bulqizë-Peshkopi, sot kishte hapur dyert dhe priste njerëz për mort. Një shtëpi e vogël përdhese, mbuluar me llamarina, në qendër të kësaj lagjeje, priste të afërm, shokë dhe miq të të ndjerit. Çdo gjë ishte mbuluar me një cipë të hollë dëbore dhe nën mbretërinë e temperaturave të ulëta, dukej sikur gjithçka ishte e ngurtësuar. Rexhep Doga, rreth 74 vjeç, babai i minatorit të ndjerë, pret ngushëllime për djalin që humbi jetën aksidentalisht në minierë, duke lënë tre fëmijë jetimë, nga të cilët vajza më e madhe është vetëm 15 vjeçe dhe më e vogla 5 vjeçe. "Kërkoj që shteti të vërë dorë dhe të interesohet për lidhjen e një pensioni për fëmijët e djalit, pasi ata janë të vegjël dhe duhen rritur, thotë mes lotëve babai i të ndjerit. Aty rreth orës 15:30 minuta, kufoma e minatorit Sami Doga, mbërriti pranë familjes, shoqëruar me dhjetëra makina të tjera. Nesër do të përcillet për në banesën e fundit.
Minatorët
Vdekje për 35 mijë lekë
Sami Doga punonte në një nga sektorët me rrezikshmëri më të lartë në minierë. Ai ishte armator. Së bashku me një grup specialistësh të tjerë, ai hynte në galeritë e rrezikshme dhe bënte armatimin me dru ahu, që shokët të ishin të sigurt. Për këtë punë paguhej me vetëm 35 mijë lekë në muaj, nga të cilat i mbaheshin 3500 taksë.