E Diel, 1 Nëntor 2026

Eduardo: Do të kthehem më i fortë

Martin Tejlor është i tronditur. Mbrojtësi i Birmingamit i theu këmbën Eduardo da Silvës, në një prej përplasjeve më brutale dhe të tmerrshme në historinë e futbollit. Lojtari vazhdon të përsërisë se bëhet fjalë për një aksident të pafat dhe se nuk ka ndërhyrë për të dëmtuar kundërshtarin. Një shpjegim, të cilin ia ka përsëritur edhe sulmuesit brazilian me pasaportë kroate, gjatë vizitës në spital. Sipas tabloidit "The Sun", Tejlor ishte paraqitur në spitalin "Selly Oak" të Birmingamit që në pasditen e së shtunës, menjëherë pas mbarimit të ndeshjes që përfundoi barazim 2-2 me Arsenalin. Megjithatë, e kishte pasur të pamundur të takohej me Eduardon, pasi sulmuesi i afruar gjatë verës te "topçinjtë" po kryente vizitat mjekësore për të nxjerrë diagnozën e dëmtimit. Ai është kthyer të dielën në mëngjes dhe i kërkoi falje personalisht sulmuesit, ndërkohë që ky i fundit i ka pranuar dhe kuptoi se ndërhyrja e mbrojtësit nuk ishte e qëllimshme.

Eduardo, që dje ka festuar 25-vjetorin, është transferuar në një spital pranë Londrës. Fillimisht ekzistonte frika se pas ndërhyrjes, lojtari kishte pësuar frakturë në këmbë dhe në kaviljen e majtë. Madje, sipas specialistit Tim Alardajs, Da Silva mund të kishte humbur këmbën, nëse ndërhyrja e stafit mjekësor nuk do të kishte vepruar aq shpejt. Për "BBC Radio" ai tha: "Në aksidente të tilla është shumë e lehtë të humbasësh këmbën. Në këto lloj frakturash mund të dëmtohen damarët e gjakut dhe situata do të ishte shumë serioze". Gjithsesi, sipas raportimeve nga Anglia, janë dëmtuar dy nga tre kocka. Për Eduardon tashmë parashikohet një periudhë rikuperimi që zgjat të paktën 11 muaj, e megjithatë ai nuk duket i trembur. "Jam i vendosur që ta hedh pas krahëve këtë aksident, ka treguar ylli i Arsenalit, edhe pse nuk më kujtohet mirë se çfarë ka ndodhur. Gjithsesi, nuk do të më pëlqente ta shikoja sërish atë episod. Mbaj mend vetëm që kur rashë, pashë këmbën që ishte rrotulluar nga ana tjetër. Për atë që ndodhi më pas nuk e kam idenë. Ishte fati im i keq, por gjëra të tilla ndodhin në futboll. Nuk e di me saktësi se sa do të qëndroj jashtë fushave, por me siguri nuk do të jem në gjendje që të luaj deri në fund të sezonit dhe nuk do të marr pjesë në Euro 2008. Kjo nuk më shqetëson shumë, sepse në këto çaste jam i përqendruar tek ajo që do të ndodhë në të ardhmen. Dëshiroj të kthehem në fushë sa më shpejtë që të jetë e mundur dhe akoma më i fortë nga sa isha".

Por, megjithëse Eduardo e ka falur Tejlorin për atë që ka ndodhur, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për tifozët. Sipas "Daily Star", lojtari i Birmingamit ka marrë kërcënime me vdekje pas ndërhyrjes së dhunshme. Menjëherë pas faullit, e përpara se ndeshja të përfundonte, pamjet kanë dalë në "Youtube" (edhe pse televizioni anglez vendosi të mos e ritransmetonte, pasi e gjykoi si shumë të dhunshëm). Sajti elektronik është "pushtuar" nga komentet e tifozëve, të cilët kanë qenë tejet të acaruar me Tejlorin, duke e sharë në të gjitha mënyrat, madje duke i "uruar" edhe vdekjen. Sipas zëdhënësit të Birmingamit, komentet gjithë urrejtje janë nxitur edhe nga deklaratat e trajnerit Arsen Venger, që në gjaknxehtësi e sipër ka thënë se mbrojtësi duhej të pezullohej përjetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›