E Diel, 1 Nëntor 2026

Kolina, presioni e shtyn drejt dorëheqjes

Pierluixhi Kolina, ish-gjyqtari më i mirë në botë, tashmë po mediton largimin nga posti i tij si përcaktues i gjyqtarëve të Kampionatit Italian. Letra e hapur e Juventusit drejtuar AIA-s dhe FIGS-it, ka qenë vetëm goditja e fundit ndaj besueshmërisë së Kolinës, i cili nuk ka kaluar një periudhë të qetë në vitin e tij të parë si përzgjedhës i gjyqtarëve, pasi gabimet e njëpasnjëshme të "xhaketave të zeza" kanë shtuar zërat për qëndrime të njëanshme. Ish-gjyqtari nuk po gjen më qetësi dhe sikur të mos mjaftonin problemet me vartësit e tij, prej dy muajsh shëtit i shoqëruar nga truproja, për shkak të fyerjeve dhe kërcënimeve të vazhdueshme në adresë të tij.

Vetëm në fundjavën e fundit kanë qenë të shumta skuadrat që janë ankuar për gjykimin, duke filluar nga emrat e mëdhenj si Juventus, Milan, Fiorentina dhe Palermo. Klima është tejet e nervozuar dhe Kolina një gjë të tillë e ka kuptuar në stadiumin e Empolit, ku është kontestuar ashpër nga tifozeria, e cila e ka detyruar të largohet nga tribuna para përfundimit të takimit. Gabimet e gjyqtarëve kanë lindur bashkë me futbollin, por në Itali nuk përjetohej një situatë kaq e tensionuar prej shumë vitesh. Pas "Calciopoli" dhe ndryshimeve rrënjësore që ndodhën në listën e gjyqtarëve, Kolina mendonte se do të kishte më shumë mbështetje nga klubet, apo edhe vetë gjyqtarët e rinj, ndonëse këta të fundit kanë qenë thuajse të gjithë zhgënjyes. Për këtë arsye, ish-gjyqtari po mendon që të japë dorëheqjen nga posti i tij në fund të sezonit, pas një viti tërësisht negativ nga çdo pikëpamje, ndonëse në fillim shihej si shpëtimtari i situatës. FIGC dhe AIA kanë ende besim tek ai dhe gjatë ditës së fundit e kanë mbështetur disa herë, por është vetë Kolina ai që dëshiron të ndryshojë ambient. Gjatë mesjavës në Itali luhen dy sfida shumë të rëndësishme, derbi Juventus-Torino dhe përballja e kreut mes Interit dhe Romës. Çdo gabim i vogël do të sillte polemika të tjera, ndaj Kolina po mendon seriozisht të bëjë gati valixhet që tani dhe të braktisë zyrën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›