Orienteering, sporti më i ri
Gara e orientimit, e njohur në të gjithë botën si "orienteering", ose "sporti i pyjeve", ka bërë debutimin edhe në Shqipëri. Disiplina është një garë e kronometruar në terrene të ndryshme, ku atleti i pajisur me hartë dhe busull duhet të arrijë në finish duke kaluar në mënyrë të detyrueshme nga disa pika kontrolli (që fiksohen në fillim). Në kuadër të kampionatit mesdhetar, dje është zhvilluar "turi i Shqipërisë". Në liqenin artificial të Tiranës janë paraqitur rreth 100 atletë nga 22 vende të botës (pjesa më e madhe e të cilëve nga vendet skandinave), por e veçanta ishte se aty kanë konkurruar edhe 4 shqiptarë. Më i suksesshmi nga sportistët vendas ka qenë Edmond Bajraktari, i cili fitoi çmimin e parë në kategorinë e të rinjve. Aktiviteti zgjati për afro 4 orë dhe është përshëndetur nga sekretari i Përgjithshëm i KOKSH, Stavri Bello.