E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabiten zyrat e rektoratit në Gjirokastër

Në ditën e 7 Marsit, festës së mësuesit, persona ende të panjohur për policinë e Gjirokastrës kanë hyrë natën duke u gdhirë e premte në zyrën e sekretarisë së rektorit dhe njërën prej zyrave të degës së financës dhe kanë rrëmbyer dy kompjuterë të markës AGIS. Burimet zyrtare të policisë thanë se rektori i universitetit "Eqrem Çabej" të Gjirokastrës, prof.Gëzim Sala, rreth orës 07:30 ka njoftuar sallën operative të Drejtorisë së Policisë Gjirokastër se ka konstatuar që dera e sekretarisë së rektorit ishte e hapur. Në vendngjarje ka shkuar menjëherë grupi hetimor i policisë. Nga këqyrja e vendngjarjes dhe hetimet e para ka rezultuar se grabitja është realizuar duke hequr fishekun e bravës së derës së sekretarisë në paradhomën e rektorit, nga ku është marrë një kompjuter. E njëjta mënyrë vjedhjeje ka ndodhur edhe në derën e zyrës së financës së këtij universiteti, nga ku grabitësit kishin marrë një kompjuter. Ndërkohë, është tentuar të hapet edhe kasaforta e zyrës së financës, por grabitësit nuk kanë mundur ta hapin. Grupi hetimor konstatoi gjithashtu se vjedhja është kryer nga dritarja e korridorit të godinës së Fakultetit të Shkencave të Natyrës, e cila ka qenë e hapur. Hajdutët kanë hyrë prej aty dhe më pas kanë hequr fishekun e bravave në dyert e sekretarisë dhe të zyrës së financës. Ndërkohë që universiteti ruhet nga njësitë e policisë private të firmës "Anakonda" SH.P.L Gjirokastër. Nga deklarimet e marra nga sekretarja e rektorit, nga vetë rektori dhe nga punonjësit e financës, rezulton se në këta dy kompjuterë nuk ka pasur materiale sekrete, por thjesht materiale të korrespodencës dhe se nga verifikimet e bëra policia këmbëngul që "...nuk është vjedhur asnjë send tjetër përveç dy kompjuterëve. Ndërkaq mësohet se nga policia është shoqëruar për në komisariat dhe është pyetur për ngjarjen një punonjës i policisë private. Policia po punon për zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe vënien e autorëve para drejtësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›