Gjirokastër, bashkia nderon 60 mësues
Bashkia e Gjirokastrës ka vlerësuar dje me titullin "Andon Zako Çajupi" 60 mësues të rrethit, me motivacion "Për punë të palodhur, këmbëngulje, pasion e fantazi në ngritjen cilësore të mësimit dhe edukimit në rrethin tonë". Ceremonia e dorëzimit të titujve u organizua në mjediset e teatrit "Zihni Zako" të qytetit të Gjirokastrës, në prani të drejtuesve të lartë të pushtetit vendor. Në fjalën përshëndetëse, kryetari i bashkisë, Flamur Bime, tha se vlerësimi i mësuesve ka ardhur si rezultat i punës së palodhshme të arsimtarëve, të cilët çdo vit nxjerrin të rinj të arsimuar. "Këta të rinj do ta integrojnë vendin drejt strukturave të Bashkimit Evropian. Më lejoni t‘ju falënderoj për gjithçka keni bërë në dobi të arsimit gjirokastrit", tha Bime. Ndërkohë, Vasil Muka, drejtori i Arsimit Rajonal për Qarkun e Gjirokastrës, ka vlerësuar vendimin e pushtetit vendor. I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe prefekti i Qarkut të Gjirokastrës, Spiro Ksera.