E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kishte mbetur pa punë, mbyll hallet me tri kokrra fostoksinë

Me tri kokrra fostoksinë u ka dhënë fund halleve. Një 53-vjeçar nga qyteti i Fierit i ka dhënë fund jetës dje, pas përpjekjeve të dështuara për të gjetur një punë. Zylyftar Basha, banor i lagjes "11 Janari" të qytetit të Fierit mbërriti i gjallë në spital, por përpjekjet e mjekëve nuk kanë mundur ta shpëtojnë nga helmimi. Mjeku toksikolog, Kilo Stoja, tha se Basha kishte mbërritur në spital vetëm pak minuta pas gëlltitjes së helmit. "Gjendja e tij shëndetësore ishte mjaft e rëndë. Ai nuk kishte puls, ndërkohë që intoksikimi ishte i një shkalle të lartë. Terapia ishte e menjëhershme, por 53-vjeçari nuk mundi ta kapërcente gjendjen kritike dhe rreth orës 16:30 minuta gjeti vdekjen", thotë mjeku Stoja. Ai saktëson gjithashtu se lënda toksike që kishte përdorur 53-vjeçari, baba i tre fëmijëve, ishte fostoksinë dhe shenjat e saj në stomak kanë qenë të një sasie të lartë që më pas u vërtetua që ishte plot 3 kokrra. Policia e Fierit është sinjalizuar nga bluzat e bardha për rastin e fundit të vetëvrasjes. Menjëherë drejt banesës dhe drejt spitalit janë dërguar grupe ekspertësh. Këta të fundit, pasi kanë këqyrur kufomën dhe pasi kanë kryer ekspertizën mjekoligjore kanë arritur në përfundimin se bëhej fjalë për vetëvrasje. Ndërkohë që nga marrja në pyetje e të afërmve të viktimës është mësuar se 53-vjeçari Zylyftar Basha kishte vetëm tri javë që kishte dhënë shenja të depresionit dhe shkak për këtë ka qenë papunësia. "Ai kishte dy fëmijë në Greqi, të cilët kishin vetëm pak kohë që kishin ikur ilegalisht, ndërkohë që ekonomikisht paraqitej në gjendje të mjeruar. Mësuam nga dëshmia e bashkëshortes së tij, se Basha kishte tentuar të gjente një punë, edhe pse ishte pa profesion, por nuk kishte arritur. Gjithashtu, gjatë vitit 2007 mësohet të ketë punuar vetëm pak ditë si hamall", treguan burimet policore. Vendimin për vetësakrifikim 53-vjeçari e kishte marrë ndërsa bashkëshortja ishte në një ngushëllim. Ai është gjendur në banesën e tij i përfshirë nga shkumët e bardha që nxirrte nga goja dhe menjëherë është transportuar drejt spitalit ku vdiq pas 90 minutash.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›