Shtrenjtimi i bukës, gjendet "fajtori"
Autoritetet shtetërore kanë nisur të lëvizin për të gjetur shkaktarët e rritjes së çmimit të menjëhershëm të bukës. Përveç kontrolleve të rrepta për kushtet e prodhimit dhe për dokumentacionin e subjekteve, në shënjestër janë vënë edhe shoqatat e bukëpjekësve, strukturës që vendos çmimin.
Kreu i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës në Qarkun e Fierit është gjobitur nga Autoriteti i Konkurrencës si nxitës i rritjes së çmimit të bukës në vend. Për kreun e Bukëpjekësve të Fierit, Kajo Hallka, kjo është gjoba e dytë brenda pak muajsh. Ai ka treguar dje se institucioni i Autoritetit të Konkurrencës e ka gjobitur pse kërkoi që e gjithë Shoqata e Prodhuesve të Bukës në Fier të aplikonte çmim më të lartë.
Shkaku i marrjes së gjobës me një vlerë prej 300 mijë lekësh është shkruar në formularin e dërguar nga Autoriteti i Konkurrencës drejt kreut të Shoqatës së Prodhuesve të Bukës në Fier. Shprehimisht, Autoriteti i Konkurrencës, në shkresën dërguar firmës që drejton Kajo Hallkaj, asaj "Apolonia" thotë: Gjatë procedurave hetimore, gjatë seancës dëgjimore dhe vetë deklaratave të z.Kajo Hallkaj është vërtetuar se ai ka qenë nxitësi dhe organizatori kryesor i kësaj marrëveshjeje. Z.Hallkaj gjatë kësaj periudhe është shfaqur në median e shkuar dhe atë vizive, duke deklaruar lidhjen e kësaj marrëveshjeje, e cila bie në kundërshtim me nenin 4, pika 1 e ligjit nr. 9121 datë 28.07.2003, "Për Mbrojtjen e Konkurrencës".
Vjelja e kësaj gjobe, vendosur mbi aktivitetin që regjistron kreu i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës në qark, i është deleguar Degës së Tatim Taksave Fier. Burime zyrtare nga kjo e fundit në një deklarim për gazetën "Shqip" kanë pohuar: "Janë të detyruar me ligj të vjelin gjobën edhe pse prej firmës në fjalë ka kundërshtime". Marrëveshja për të cilën flet Autoriteti i Konkurrencës është vendosur në muajin tetor të vitit 2007 ndërmjet të gjithë prodhuesve të bukës në Qarkun e Fierit, që numërohen të jenë më shumë se 70. Kjo marrëveshje që pasoi me rritjen e çmimin të bukës nga 70 në 100 lekë, çoi në dy gjobitje të njëpasnjëshme të kreut të shoqatës, Kajo Hallkaj.
Sipas tij, "Autoriteti i Konkurrencës dhe të gjitha instancat e tjera tatimore duhet që të shikojnë dhe të verifikojnë shumë subjekte prodhuese të bukës, që jo vetëm që nuk kanë plotësuar kushtet higjieno-sanitare, por nuk janë të pajisura edhe me licencë për ushtrimin e aktivitetit. Nuk mund të pranoj një gjobë të tillë, madje e kundërshtoj fare hapur. Ne si shoqatë buke kemi denoncuar edhe shumë subjekte që janë pa licencë". Hallkaj e ka cilësuar gjithashtu edhe si të pabazuar në ligj aplikimin e gjobës. Kreu i Shoqatës së Bukëpjekësve ka sqaruar edhe logjikën që është ndjekur për rritjen e çmimit të bukës. Ai e mbështet këtë vendim te rritja e çmimit të çdo artikulli tjetër ushqimor.