E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndjekje penale 5 bukëpjekësve

Furrat e bukës në sitën e inspektorëve të Ushqimit, Shëndetësisë dhe agjentëve të policisë së krimit ekonomiko-financiar, nisin ndjekjet penale për pesë pronarë. Situata e krijuar në vend ka nxjerrë në kontroll ndaj furrave të bukës dhe fabrikave të miellit specialistë për të verifikuar dokumentacionin, për të ndjekur ecurinë e çmimeve të ofruara për konsumatorët, si dhe për të analizuar cilësinë e kampioneve të bukës së prodhuar dhe tregtuar prej tyre. Rritja e paralajmëruar e çmimit të bukës përmes spekulimeve në tregun vendas ka nxjerrë në pah domosdoshmërinë e kontrollit ndaj subjekteve që veprojnë në këtë treg. Në aksion është përfshirë dhe prefekti i qarkut, Klodian Pajuni. Gjatë kontrollit rezultoi se vetëm njëra prej furrave ishte e licencuar dhe e kryente aktivitetin e saj kundrejt të gjitha rregullave, duke plotësuar edhe kushtet e kërkuara të punës. Të tjerat ishin me mangësi. Kontrollet janë ushtruar në qytet dhe periferitë e tij. Konstatimet kanë nxjerrë në pah kushtet aspak të mira në të cilat prodhohet buka prej shumë nga furrat e inspektuara. Përtej mungesës së dokumentacionit dhe mos shlyerjes së detyrimeve që kanë ndaj shtetit si biznese, këto subjekte prodhojnë dhe tregtojnë bukë në kushte jo të përshtatshme higjieno-sanitare.

Të gjitha këto subjekte iu nënshtruan masave administrative që variojnë nga 20 deri në 50 mijë lekë të reja, ndërsa për pronarët e tyre ka nisur ndjekja penale në gjendje të lirë. Rreth 15 furra buke janë vënë në kontroll, por vetëm në pesë prej tyre janë konstatuar shkelje të dukshme. Ndaj pronarëve të këtyre furrave me veprimtari kryesisht në lagjet 15 dhe 18 të qytetit të Durrësit, përkatësisht shtetasve Fatmir Saliu, Filip Bajrami, Hysni Suçi, Bardhyl Likmeta dhe Agron Sadikllari ka nisur procedimi penal. Gjatë kontrollit është vënë re se një prej furrave të bukës e kishte mbyllur aktivitetin e vet, duke mos përballuar konkurrencën e tregut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›