E Diel, 1 Nëntor 2026

Vidhet një shtëpi, shoqërohen 24 veta

Banesa e një kardiologu të qytetit të Fierit është bërë objekt vjedhjeje mbrëmjen e së shtunës. Ndërsa prej shtëpisë është rrëmbyer një shumë e konsiderueshme valute dhe lekësh, policia ka siguruar gjurmët dhe ka shoqëruar për në ambientet e komisariatit më shumë se 24 persona, të dyshuar si autorë të mundshëm të vjedhjes. Burimet zyrtare nga policia e Fierit bëjnë të ditur për gazetën "Shqip" se mbrëmjen e së shtunës, rreth orës 23:30 është grabitur banesa e kardiologut N.Caushi. Ky i fundit së bashku me familjarët e tjerë nuk ka qenë në të në momentin e vjedhjes. Banesa ndodhet në lagjen "15 Tetori" të qytetit të Fierit dhe është një vilë trekatëshe, në katin e parë të së cilës kardiologu ka edhe klinikën. Sipas burimeve policore, persona ende të paidentifikuar kanë hyrë nga njëra prej dritareve të katit të parë të godinës. Vjedhësit kanë bastisur shtëpinë ndërsa kanë kërkuar për sende me vlerë. Në dhomën e gjumit të kardiologut, në një prej rafteve kanë gjetur sasinë e valutës, që sipas policisë e kapërcen shumën e 10 mijë eurove, si dhe rreth 300 mijë lekë shqiptare. Vjedhja është konstatuar nga mjeku kur është kthyer në shtëpi. Policia ka shoqëruar 24 të rinj të lagjes, por ende nuk ka vënë gishtin mbi autorin e vjedhjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›