Plagosje me armë, për lojërat e fatit
Një 17-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë me dy plumba pistolete, ndërsa autori i plagosjes, 22 vjeç, është vënë në pranga disa orë më vonë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në qytetin e Lushnjës dhe shkak i konfliktit sipas policisë,ka qenë një lojë kompjuteri. Burime zyrtare të policisë lokale thanë se "17-vjeçari E.Xh., banues në lagjen "Kongresi i Lushnjës", u qëllua me armë zjarri pas një grindjeje në një lokal lojërash fati dhe aktualisht ndodhet në rrezik për jetën nën kujdesin e mjekëve të spitalit të Lushnjës". Policia ka identifikuar si autor të kësaj ngjarjeje 22-vjeçarin nga Lushnja, Ardit Kërçuku, i cili është arrestuar për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje.