Grabisnin si në ‘97-ën, bien në pranga
Dy të rinj të armatosur kanë kthyer atmosferën e vitit 1997 në rrugën Tepelenë-Gjirokastër, por janë arrestuar pak orë pas realizimit të dy grabitjeve të dhunshme. Policia e Gjirokastrës arrestoi dje dy persona, njëri nga Dukaj i Tepelenës dhe tjetri nga fshati Zhulat i Gjirokastrës, të cilët gjatë një nate kanë kryer dy grabitje me armë. Pas shumë verifikimeve, ndjekjeve dhe hetimeve, policia arriti të arrestojë grabitësit e rrezikshëm natën duke u gdhirë e diel, rreth orës 02:00, në afërsi të kthesës së Jorgucatit, në autostradën Gjirokastër-Kakavijë. Në momentin e arrestimit, policia sekuestroi sendet dhe të hollat e grabitura dhe njërën prej armëve të përdorura prej tyre për të kërcënuar viktimat. Të arrestuarit kanë kryer brenda një nate, në intervalin e dy orëve, dy grabitje të njëpasnjëshme. Njërën në të dalë të qytetit të Tepelenës dhe tjetrën brenda në qytetin e Gjirokastrës. Pas marrjes së dy denoncimeve në sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, policia është vënë në ndjekje të dy autorëve dhe rreth 20 orë pas kryerjes së grabitjes së dytë ka mundur të kapë dhe arrestojë shtetasit Sajmir Flamur Kaba, 20 vjeç lindur dhe banues në fshatin Dukaj të Komunës Qendër-Tepelenë, i dënuar edhe më parë për vjedhje me dhunë dhe Fisnik Nustret Logli, 25 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Zhulat të Komunës Cepo në Gjirokastër. Sipas policisë, grabitjen e parë, dy të arrestuarit e kanë kryer brenda në qytetin e Gjirokastrës, natën duke u gdhirë e shtunë. Rreth orës 02:00 të kësaj nate, dy grabitësit, të pamaskuar, kanë hyrë në banesën e zënë me qira nga dy nxënësit Ardit Sinaj dhe Riza Boraj, në lagjen "18 Shtatori" të këtij qyteti. Viktimat e kësaj grabitjeje janë nxënës në vitin e tretë në shkollën pedagogjike "Pandeli Sotiri". Të akuzuarit për këtë grabitje Sajmir Kaba dhe Fisnik Logli fillimisht kanë trokitur në derën e nxënësve, si emigrantë që kishin nevojë të strehoheshin, por menjëherë pas hyrjes në apartament, ata i kanë rrahur dy adoleshentët dhe u kanë marrë me dhunë 130 euro dhe 3 telefona celularë që gjetën në banesë. Këto sende u sekuestruan nga policia në momentin e ndalimit me cilësinë e provës materiale në makinën e tyre tip "Golf" me targa TR 86 81 C me të cilën kanë realizuar lëvizjen e tyre. Pas grabitjes së parë ata janë larguar me shpejtësi në drejtim të Tepelenës, për t‘iu shmangur policisë. Por rreth dy orë më pas, duke udhëtuar në një zonë me qarkullim të rrallë në rrugën Tepelenë - Dukaj, ata kanë kryer grabitjen e dytë. Gjatë lëvizjes në këtë rrugë, ata kanë parë një çift nga fshati Veliqot, 40-vjeçaren H.Zh dhe 42-vjeçarin Anastas Vasiliu, emigrant në Athinë. Këta dy persona kishin dalë në rrugë për të gjetur ndonjë makinë për në Kakavijë. Grabitësit janë ndalur duke kthyer makinën gjoja për ta vënë në shërbim të emigrantëve si taksi. Udhëtimi i emigrantëve së bashku me grabitësit nuk ka zgjatur veçse pak kilometra, pasi në afërsi të vendit të quajtur kthesa e Salarisë, në afërsi të hyrjes për në qytetin e Tepelenës, emigrantët janë përballur me kërcënimin me armë të dy të arrestuarve që u kërkonin të hollat dhe sendet me vlerë që kishin me vete. Ata kanë mundur të vjedhin 420 euro dhe dy telefona celularë, ndërkohë që sipas policisë dhe denoncimit të viktimave, grabitësit kanë ushtruar dhunë fizike ndaj shtetases H.Zh., duke e goditur me sende të forta, në pjesë të ndryshme të trupit. Pas grabitjes dhe dhunë, ndaj dy emigrantëve ata janë larguar me shpejtësi duke i lënë viktimat në rrugë. Pas marrjes së denoncimeve, policia e Gjirokastrës arriti t‘i arrestojë dy grabitësit e rrezikshëm në orët e para të mëngjesit të djeshëm, teksa udhëtonin së bashku në drejtim të Kakavijës.