Elbasan, arrestohet librashitësi se falsifikoi faturat
Policia e Elbasanit ka arrestuar një librashitës të akuzuar për korrupsion me librin shkollor. Sipas burimeve zyrtare të policisë, është arrestuar në flagrancë Pëllumb Zekthi, librashitës në një nga dy libraritë kryesore në qendër të Elbasanit. Sipas burimit në fjalë, Zelthi është ndaluar për falsifikim faturash në furnizime me libra të ndryshëm, në favor të përfitimeve të paligjshme. Mësohet se gjatë kontrollit në librarinë e Zekthit, janë gjetur fatura të paregjistruara në zyrën tatimore të rrethit, si dhe fatura të falsifikuara, që ulin përqindjen e xhiros ditore në favor të përfitimeve personale. Ky aksion është bërë në kuadër të kontrolleve të përgjithshme për ato librari që kanë fituara të drejtën e tregtimit të librit shkollor që pjesërisht, sipas kategorive të ndryshme kanë një koeficient rimbursimi me shtetin. Në këtë kontekst mbetet e besueshme, se pas largimit nga detyra të kreut të arsimit në Elbasan, Fatos Bajraktari, dhe përgjegjësit të burimeve njerëzore pranë kësaj drejtorie, Gazmend Bylyku, informacionet janë dhënë nga vetë inspektorët e këtij institucioni arsimor, që pretendojnë se është abuzuar me librin shkollor të rimbursuar nga shteti. Zekthi, kishte vite që tregtonte, krahas librit në gamë të gjerë për lexuesit e kancelarive të ndryshme, edhe një paketë tenderuese ose oferte nga Drejtoria Arsimore Rajonale, të librit shkollor, llogaritë e të cilave nuk janë mbyllur ende për vitin shkollor, 2007-2008. Ndoshta në regjistrimin e faturave të librit shkollor, specialistët e krimit ekonomik në polici kanë gjetur parregullsi e abuzime gjer në falsifikim, që ka çuar në ndalimin e Zekthit. Ndaj veprimtarisë private të këtij të fundit, vazhdojnë hetimet gjer në konkluzionet përfundimtare të shkeljeve të konstatuara, për të vërtetuar shkeljet ligjore në tregtimin e librit shkollor. Nga ana tjetër mësohet se shumë prindër, kanë refuzuar vlerat ironizuese të rimbursimeve për fëmijët në nivele të ndryshme shkollore, për vetë faktin se këto nuk e kanë kaluar shumën maksimale prej 1 mijë lekësh. Për ngjarjen në fjalë, vazhdojnë hetimet nga ana e institucionit të akuzës për të provuar abuzimet e falsifikimet e librashitësit në fjalë, që shënon rastin e parë në këtë qytet, të prangoset një person për parregullsitë e faturave të furnizimit në lidhje me tregtinë e librit, kryesisht shkollor.