PS: Këshillimi i karrierës, thjesht demagogji
"Për çfarë po këshillohen nxënësit? Ata do të vijojnë të dynden nëpër fakultete, jo sepse kjo rezulton zgjidhja më e mirë, por, sepse nuk kanë alternativë tjetër". Kështu u shpreh për mediat Ledi Shamku, kryetare e Komisionit të Edukimit në Partinë Socialiste. Sipas saj, kjo qeveri, me gjithë premtimet e mëdha për ngritjen e akademive profesionale apo të çdo forme tjetër evropiane shkollimi që formon të rinj të aftë për punë, nuk përmbushi në tre vjet asnjë nga këto detyrime jetike. Pra, me këshillim apo jo të ministrit, nxënësit tanë do t‘u drejtohen fakulteteve, se nuk kanë ku të shkojnë tjetër.
Ndërsa ka folur për këshillimin e karrierës, Shamku ka dhënë edhe një këshillë për Pollon. "Këshillimi i karrierës duhej të niste në fakt nga informimi për të dhëna konkrete, domethënë nga kuotat e regjistrimit dhe nga koeficientet si do të konvertohen shkollat e mesme", u shpreh ajo.
Objektivi i këshillimit të karrierës, sipas Ministrisë së Arsimit "është që nxënësit, aktualisht, maturantët e shkollave të mesme publike dhe private, por edhe maturantët e ardhshëm, para provimeve të Maturës dhe para se të zgjedhin mes shumë fakulteteve në vend, të kenë një informacion të plotë për degët që ata do të zgjedhin për të studiuar".