Rama: Liqeni Artificial, projekti i radhës për financimin kuvajtian
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, është kthyer i emocionuar nga vizita në Kuvajt. Në një dalje për mediat, ai vlerësoi bashkëpunimin dhe mbështetjen e këtij shteti, për veprat publike të kryeqytetit. Një ndër to është edhe rijetëzimi i Parkut të Madh të Liqenit, bazuar në masterplanin, që disponon aktualisht Bashkia e Tiranës. "Ambicia e përbashkët me miqtë kuvajtianë është që ky park të kthehet në një model të marrëdhënieve të komunitetit me natyrën, pasqyrë e vetëdijes së re mjedisore të botës ku jetojmë", tha Rama. Ndërsa shtoi se "vizita në Kuvajt na mësoi shumë gjëra të reja e na dha energji të reja për të vazhduar edhe me më shumë kurajë rrugën e nisur drejt transformimit e modernizimit të kryeqytetit tonë". Tirana ka gjetur partnerë të rinj e të fuqishëm që do ta mbështesin në të ardhmen. "Autoritetet kuvajtiane krijuan për ne një hapësirë të gjerë mundësish për të financuar të tjera projekte, tanimë që projekti i parë, ai i rindërtimit të sheshit "Skënderbej", ka hyrë në rrugën e realizimit me shpalljen e konkursit ndërkombëtar", u shpreh Rama. Ndërkohë, tani është radha e bashkisë të studiojë projektet dhe siç tha kreu i saj "t‘iu drejtohemi me një dosje të plotë projektesh".