Tiranë, gati dosjet për 25 pallate me shtesa
Plot 25 pallate të reja në kryeqytet që presin të legalizohen do të mund të përfitojnë nga ky proces në mbledhjet e ardhshme të Këshillit të Rregullimit të Territorit në Bashkinë e Tiranës. Në këto pallate të ndërtuara gjatë dhjetëvjeçarit të fundit ka pasur shkelje ligjore dhe për këtë shkak ato nuk kanë mundur të shndërrohen në pasuri të patundshme me tituj pronësie për blerësit e tyre. Shkeljet e konstatuara janë të tipit teknik si shtim i volumit të punimeve, shtesa pa leje të kateve të sipërme, për të cilat nuk është marrë më parë miratimi në KRRT. Këto konsiderohen si dalje nga projekti i miratuar dhe për rrjedhojë nuk mund të pajisen me lejen e shfrytëzimit nga ana e Bashkisë së Tiranës. Tashmë dosjet e këtyre 25 objekteve pritet të shqyrtohen dhe të marrin përfundimisht provimin përpara KRRT-së, që më pas të shndërrohen në pronë të ligjshme. Në KRRT-në e bashkisë së kryeqytetit, janë miratuar deri tani 62 pallate me shtesa dhe probleme të kësaj natyre. Përgatitja e dokumentacionit është një proces që kryhet paraprakisht në Agjencinë e Legalizimit (ALUIZNI). Pas dorëzimit vullnetar të dokumentacionit nga të interesuarit, është kryer edhe verifikimi i këtyre vetëdeklarimeve, duke u përgatitur më pas dosjet që pas kalimit në duart e KRRT-ve të bashkive mbyllin edhe legjitimimin e tyre. Përfaqësues të ALUIZNI-t bëjnë të ditur se aktualisht po punohet në këtë drejtim për përgatitjen e dokumentacionit të plotë dhe verifikimit të tij për pallate, që kanë devijime të projekteve edhe në qytete të tjera të vendit si: Elbasan, Durrës, Vlorë etj. Drejtues të Agjencisë së Legalizimit, në përputhje me statistikat e deritanishme, pohojnë faktin se aktualisht janë miratuar në KRRT-të e qyteteve të ndryshme rreth 25 mijë ndërtime informale.