Procedura e re për të marrë vizë tek ambasada greke
Çdo ditë, në ambasadën greke në Tiranë paraqiten 200-400 persona për të aplikuar për vizë dhe 400 deri në 600 qytetarë për legalizim dokumentesh. Kjo ka qenë statistika e dhënë nga konsulli i ambasadës greke në Tiranë, Evangelia Kalaitzi. Sipas saj, gjatë kësaj kohe në këtë ambasadë është edhe piku i punës, pasi në këtë periudhë ka edhe shumë shqiptarë, që aplikojnë për punësim sezonal. "Nga 1 janari, ambasada greke ka nisur të aplikojë procedurat e lehtësimit, sipas marrëveshjes së Shqipërisë dhe vendeve anëtare të BE-së", deklaroi Kalaitzi. Konsulli grek në Tiranë sqaroi se të gjitha kategoritë e përfshira në marrëveshje duhet të vërtetojnë pozicionin e tyre dhe duhet të zbatojnë disa nga kritere, në mënyrë që të përfitojnë vizë.
"Në 2007-ën kemi dhënë 15 mijë viza 1-vjeçare. Mes përfituesve përmendim biznesmenët apo shoferët e autobusëve, të cilët sjellin dhe çojnë udhëtarët nga Greqia në Shqipëri apo anasjelltas", sqaroi konsulli. Në një konferencë për shtyp, dhënë dje në ambientet e ambasadës, Kalaitzi ka deklaruar se për shkak të afërsisë që kanë dy vendet mes tyre, Shqipëri, Greqi në disa raste konsullata greke në Tiranë ka dhënë viza për sipërmarrësit edhe atëherë kur ata kanë qenë biznesmenë të tregut popullor, por kanë vërtetuar marrëdhëniet e tyre tregtare me homologët në Greqi. Misioni diplomatik dhe zyrat konsullore të shteteve anëtare të BE-së do të marrin vendimin për të lëshuar një vizë brenda 10 ditëve kalendarike, që nga data e marrjes së aplikimit dhe dokumenteve të kërkuara për të. Kjo periudhë kohore mund të shkurtohet deri në 3 ditë pune, ose në më pak për raste urgjente. Ajo mund të zgjasë deri në 30 ditë kalendarike në raste individuale në veçanti, kur janë të nevojshme të kryhen shqyrtime të mëtejshme të aplikimit të të interesuarit.
Tarifa, për të përpunuar aplikimin e çdo të interesuari për vizë, është 35 euro. Kjo tarifë vlen për të dyja tipat e vizave, si për vizën me një hyrje ashtu edhe për ato me shumë hyrje.
Po ashtu, një tjetër kriter për të marrë këtë vizë është edhe nëse gjatë dy viteve të fundit i interesuari ka përdorur viza me shumë hyrje, por me qëndrim të shkurtër, në marrëveshje me ligjet e hyrjes dhe qëndrimit të shtetit anëtar të BE-së, të vizituar nga personi përkatës. Gjithashtu, vlerësohet fakti që arsyet për të kërkuar një vizë të tillë janë ende të vlefshme. Viza me shumë hyrje po me qëndrim të shkurtër në BE-ja lëshohet minimumi 2 vjet dhe maksimumi 5 vjet, në rast se qytetarët që kërkojnë për të marrë një vizë të tillë bëjnë pjesë në një nga kategoritë e personave të përmendur më sipër (në tabelë). "Sipas marrëveshjes, përfitojnë biznesmenët që janë të anëtarësuar në Dhomën e Tregtisë, gazetarët që janë të anëtarësuar në shoqatat e gazetarëve, sportistë, të gjithë nëpunësit e administratës që shkojnë në Greqi për bashkëpunim me homologët e tyre. Dy vendet tona kanë marrëdhënie shumë të mira, por Greqia ka detyrime kundrejt marrëveshjes komunitare Shengen", deklaroi Kalaitzi. Gjatë konferencës, konsulli sqaroi se një pjesë e ambienteve të ambasadës greke është rikonstruktuar. Në këtë mënyrë, personat që duan të aplikojnë për viza mund të qëndrojnë në ambiente të posaçme për të plotësuar formularët, për të dorëzuar dokumentet, apo për të pritur gjatë kohës që qëndrojnë brenda ambienteve të konsullatës.
Procesi
Marrëveshja e lehtësimit të vizave
Marrëveshja e lehtësimit të vizave nënshkruhet ndërmjet Komunitetit Evropian dhe një prej vendeve, qytetarët e të cilit nevojitet të pajisen me vizë Shengen para se të hyjnë në territorin e komunitetit. Vendet me të cilat ka hyrë në fuqi ose është parashikuar realizimi i një marrëveshjeje lehtësimi të regjimit të vizave përfshijnë Rusinë, Ukrainën dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kroacisë, qytetarët e të cilës nuk kanë nevojë për vizë hyrjeje për në vendet Shengen. Ndërkohë që, marrëveshja e lehtësimit me Rusinë dhe Ukrainën është nënshkruar në vitin 2005 dhe ka hyrë në fuqi në 2006-ën.
Fillimisht u ndje e nevojshme arritja e një marrëveshjeje lehtësimi me shtetet si Rusia dhe Ukraina, për arsye se këto vende ende kishin rezervuar të drejtën e reciprocitetit të regjimit të vizave me vendet e komunitetit dhe për këtë u nënshkrua një marrëveshje lehtësimi e dyanshme, e cila lejon lehtësimin e regjimit të vizave për qytetarët e të dyja palëve kur hyjnë në territorin e shtetit tjetër apo të grupit të shteteve të Komunitetit Evropian. Duke u nisur edhe nga zhvillimet e Samitit të Selanikut, ku për vendet e Ballkanit Perëndimor u deklarua një perspektivë e qartë evropiane, hapi i parë u ndërmor për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve të këtyre vendeve për në vendet e Bashkimit Evropian, duke parë edhe vështirësitë e shumta që ekzistojnë në këtë pikë, si edhe ndjeshmërinë e lartë që ekziston te qytetarët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, kur bëhet fjalë për lëvizjen e lirë.
Tabelë 1.
Vizat me qëndrim të shkurtër
Nëse qëllimi është për të qëndruar në një nga shtetet anëtare të BE-së jo më shumë se 90 ditë brenda 180 ditëve
Kërkesat
Të plotësoni dhe të nënshkruani një formular aplikimi për vizë
Të paraqisni një pasaportë që të jetë e vlefshme të paktën tre muaj pas skadimit të vizës së kërkuar
Të përcaktoni mjetin e transportit me të cilin ju do të udhëtoni
Të demonstroni se zotëroni mjete të mjaftueshme për të përballuar shpenzimet tuaja të qëndrimit, si dhe ato të kthimit në vendin tuaj
Paraqisni një dokumentet të sigurimit shëndetësor, të vlefshëm për udhëtimin
Përshkruani qëllimin dhe rrethanat e vizës suaj
Tarifa
Për të përpunuar aplikimin tuaj për vizë, tarifa është 35 euro. Kjo tarifë vlen për të dyja tipat e vizave me një dhe shumë hyrje
Tabelë 2.
Kategoritë që përfitojnë falas
Të afërmit e ngushtë
Personat që kanë paraqitur dokumente, të cilat provojnë domosdoshmërinë e udhëtimit të tyre për qëllime humanitare, duke përfshirë këtu rastet ku kërkohet trajtim mjekësor urgjent dhe për personat që i shoqërojnë ata, apo që iu duhet të ndjekin funeralin e një të afërmi të tyre, ose të vizitojnë një të afërm, i cili është i sëmurë rëndë
Pensionistët
Fëmijët nën moshën 6 vjeç
Personat me aftësi të kufizuara, si dhe personat që i shoqërojnë ata nëse është e nevojshme
Nxënësit, studentët dhe mësuesit që i shoqërojnë, të cilët ndërmarrin udhëtime për qëllime studimi, trajnime mësimore, duke përfshirë në këtë kuadër dhe programet e shkëmbimeve, sikurse dhe aktivitete të tjera shkollore
Koha
Misioni diplomatik dhe zyrat konsullore të shteteve anëtare të BE-së do të marrin vendimin për të lëshuar një vizë brenda 10 ditëve kalendarike, që nga data e marrjes së aplikimit dhe dokumenteve të kërkuara për të.
Kjo periudhë kohore mund të shkurtohet deri në 3 ditë pune ose në më pak në raste urgjente. Ajo mund të zgjasë deri në 30 ditë kalendarike në raste individuale, në veçanti kur shqyrtime të mëtejshme të aplikimit tuaj janë të nevojshme të kryhen.
Tabelë 3.
Vizë me shumë hyrje-dalje dhe qëndrim të shkurtër
Një vizë me shumë hyrje-dalje, por për qëndrim të shkurtër në BE, e vlefshme deri në 1 vit, lëshohet në rast se:
Gjatë vitit të mëparshëm ju keni marrë të paktën një vizë
Ju e keni përdorur në përputhje me ligjet e hyrjes dhe qëndrimit të shtetit anëtar të BE-së të vizituar
Ju rregullisht udhëtoni në shtetet anëtare të BE-së dhe jeni
biznesmen
Anëtar i profesioneve të tilla, që ftohen të marrin pjesë në ekspozita ndërkombëtare, konferenca, simpoziume, seminare ose veprimtari të ngjashme
Personat, që kanë nevojë të vizitohen rregullisht, për arsye shëndetësore ose një shoqërues i tij, që është i domosdoshëm
Person, që rregullisht merr pjesë në aktivitete shkencore kulturore, artistike, sportive
Student, që udhëton rregullisht për arsye studimi ose trajnimi
-Viza me shumë hyrje, po me qëndrim të shkurtër në BE lëshohet minimumi 2 vjet, maksimumi 5 vjet në rast se:
Bëni pjesë në një nga kategoritë e personave të përmendur më sipër
Gjatë dy viteve të fundit ju keni përdorur viza me shumë hyrje, por me qëndrim të shkurtër në marrëveshje me ligjet e hyrjes dhe qëndrimit të shtetit anëtar të BE-së të vizituar nga ju dhe
arsyet për të kërkuar një vizë të tillë janë akoma të vlefshme
Tabelë 4
Kriteret që duhet të plotësoni
Biznesmen
Duhet të paraqisni një kërkesë me shkrim nga pala mikpritëse, që mund të jetë një person juridik, ose kompani, ose autoritet shtetëror, e vërtetuar nga Dhoma e Tregtisë së vendit tuaj
Pjesëmarrës në ekspozita ndërkombëtare, simpoziume seminare
Një kërkesë me shkrim nga organizata mikpritëse
Nxënës, student apo kujdestar
Një kërkesë me shkrim apo certifikatë e regjistrimit nga universiteti, kolegji apo shkolla mikpritëse
Pjesëmarrës në veprimtari shkencore, kulturore, artistike, sportive
Një kërkesë me shkrim nga organizata mikpritëse
I afërm, bashkëshort, fëmijë ose i afërm i shtetasit, i cili është rezident në një nga shtetet e BE-së
Një kërkesë me shkrim nga i afërmi, që ju keni si qëllim ta vizitoni
Person i cili ka si qëllim të vizitojë një nga shtetet e BE-së, për arsye shëndetësore ose kur personi shoqërues është i nevojshëm
Një dokument zyrtar të një institucioni shëndetësor dhe prova që ke mjete financiare të mjaftueshme për të paguar trajtimin mjekësor
Udhëtim për turizëm
Një dokument i rezervimit të hotelit dhe fluturimit lëshuar nga një agjenci udhëtimi ose operator turistik
Të ndjekë një ceremoni varrimi
Një dokument zyrtar, që konfirmon faktin e vdekjes, sikurse dhe konfirmimi nga familja apo nga të afërm të tjerë